
TIRANË- Komisioni i Etikës në Kuvend ka përjashtuar këtë të premte me dhjetë ditë nga punimet parlamentare tetë deputetët e Partisë Demokratike, të cilët një ditë më parë "zaptuan" sallën plenare duke bllokuar foltoren, vendet e ministrave dhe atë të kryeparlamentares Lindita Nikolla. Kjo e fundit ndërpreu seancën dhe shtyu votimin për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Ky vendim vjen pas kërkesës së bërë nga Bledi Çuçi, në emër të grupit parlamentar socialist. Elda Hoti, Lefter Gështenja, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Albana Vokshi, Zheni Gjergji, Luan Baçi dhe Asllan Dogjani janë deputetët e përjashtuar. Ata nuk do të mund të marrin pjesë në asnjë mbledhje Komisioni apo seancë plenare.
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialsite Bledi Çuçi i dërgoi më herët një letër Nikollës ku i kërkonte mbledhjen e Komisionit të Etikës për përjashtimin e deputetëve demokratë. Sipas Çuçit me veprimet e tyre ata kanë shkelur etikën e deputetit.
Nisin reagimet
Lidhur me kërkesën e bërë nga grupi i PS-së, ka ardhur dhe reagimi i deputetëve të Partisë Demokratike ndaj të cilëve kërkohet masa disiplinore.
Lefter Gështenja: Kur nuk ka më asnjë rrugë për t’iu shmangur përballjes me të vërtetën, Edi Rama në mënyrë qesharake përjashton opozitën nga Kuvendi. S’ka instrument, makinacion e as maronetë që e shpëton atë nga politika antikombëtare që po bën. Me qëndrimin ndaj Kosovës, ai doli zbuluar se kush ia lëviz fijet!
Deputetja Elda Hoti shprehet se ky veprim e bën kryeministrin Edi Rama të duket edhe më qesharak ashtu si dhe antikombëtar.
Elda Hoti: Nuk kishte se si të përjashtonte të gjithë opozitën, se atë do të bënte si e si t’i shmangej përballjes. Kryeministër qesharak, po aq edhe sa antikombëtar.
E kontaktuar nga Zëri.ai, deputetja Albana Vokshi shprehet se kjo tregon qartë se kryeministri Edi Rama nuk ka vullnet politik për të ndërtuar një proces të drejtë zgjedhor, me rregulla të barabarta loje. Sipas saj koha kur Rama emëronte opozitën ka marrë fund.
Albana Vokshi: Refuzimi i PS për të vendosur në funksion Komisionin e Reformës Zgjedhore tregon qartë mungesën e vullnetit të Edi Ramës për të ndërtuar një proces të drejtë zgjedhor, me rregulla të barabarta loje. Asgjë e re në këtë drejtim. E reja është se sado që na perjashtojnë, PS nuk do të ketë më shans të emerojë opozitën. Mund ta bëjë këtë me Lulzim Bashën, por jo me grupin parlamentar të PD.
Deputetja Dhurata Çupi shkruan se "Vendimi i përjashtimit të disa deputetëve demokratë tregon se, pavarësisht fuqisë së madhe, PS ka frikë nga opozita e vërtetë". Sipas saj PS po kthjellohet dita-ditës se ka marrë fund koha kur pushteti luante me PD-në.
Dhurata Çupi: Vendimi i përjashtimit të disa deputetëve demokratë tregon se, pavarësisht fuqisë së madhe, PS ka frikë nga opozita e vërtetë. PS po kthjellohet dita-ditës se ka marrë fund koha kur pushteti luante me PD-në. Mund të bëjnë gjithfarë manovrash, por nuk na imponojnë dot përfaqësimin në komisionin e reformës zgjedhore dhe kudo. Sot, ata përjashtojnë kreun e grupit parlamentar dhe disa kolegë të tjerë, sepse e kanë të qartë se këta janë opozitarë 24 karatësh. Sado ta përjashtojnë Gazment Bardhin nga seanca e së enjtes, kur do të jetë debati për rezolutën e Kosovës, PS nuk fshin dot faktin se rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njehsohet me atë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PS gjendet e turpëruar nga deklaratat e kryeministrit se Kosova e Veriut është kthyer në tokën e askujt. Ne do të mbrojmë fort interesin kombëtar. Ne nuk e dorëzojmë opozitën!
I kontaktuar nga Zëri.ai, deputeti demokrat Luan Baçi u shpreh se gjithë kjo bëhet që disa deputetë të PD, të mos marrin pjesë në seancën që vjen ku do të diskutohet rezoluta për Kosovën.
Luan Baçi: Po çfare mund te presesh tjeter nga nje parlament qe eshte kthyer ne shtojc e qeverise E para aty ishte gjithe grupi parlamentar i PD me shume se 30 deputet Ata bejne selektime, per te bere diversion, duke perzgjedhur disa nga deputetet per ti perjashtuar! Duke pasur parasysh qe te ejten qe vjen do te diskutohet rezoluta per kosoven, ata duan qe deputetet e opozites te pengohen dhe mos te marrin pjese ne seanc! Duan qe te shtyjen afatin e komisionit te reformes zgjedhore, duke mos bere ndeyshimet qe ka propozuar opozita dhe te bejne ate qe duan vet duke, bashkepunuar me patericen! Ky eshte presion i hapur ndaj opozites, uzurpim i te gjitha pushteteve.
Çfarë ndodhi një ditë më parë?
Pas kundërshtimit të maxhorancës për ndryshimin e anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, të kërkuar nga Gazment Bardhi dhe grupi i PD-së, këta të fundit bllokuan foltoren e Kuvendit dhe ‘’zaptuan” vendin e ministrave dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla duke e bërë të pamundur zhvillimin e seancës.
Kjo detyroi Nikollën që të mbyllte seancën dhe të shtynte votimin për “Zgjedhoren”.
Jashtë Kuvendit, Bardhi u shpreh se Partia Socialiste kërkon zvarritjen e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisonit për Zgjedhoren ndërsa Sali Berisha e cilësoi veprimin si një “atentat” ndaj demokracisë./Zëri.ai