TIRANË- Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat qytetare që po mbahen prej më shumë se tre javësh në kryeqytet, duke theksuar se zhvillimi i vendit mbetet prioritet i mandatit të tij të katërt. Sipas Ramës, ndërsa në Tiranë po zhvillohen protesta kundër projektit, në Vlorë, ku ai pritet të ndërtohet, qytetarët e mbështesin atë.
“Siç e thashë, janë të gjitha shqetësimet e tjera të një pjese të popullsisë që duan gjëra të ndryshme, por ne u zgjodhëm për të bërë atë që premtuam dhe midis premtimeve është ky projekt. Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku është parashikuar të bëhet projekti, njerëzit e duan atë”, shprehet Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se debati publik në Shqipëri ndikohet nga ndërhyrje të jashtme. Rama përsëriti sërish pretendimet për ndërhyrje të huaja në protestë, duke përmendur Iranin dhe aktorë të tjerë rajonalë, të cilët sipas tij nuk janë në favor të zhvillimit të këtij investimi në Shqipëri.
“Saktësisht për çfarë po ndodh. Ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike që prej tri vitesh, ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, shtoi Rama.
Prej rreth një muaji, qytetarët kanë protestuar në sheshin e Tiranës dhe para godinës së Kryeministrisë, kundër investimit në zonën e Zvërnecit. Megjithatë, tashmë për 25 ditë, protestuesit kanë shpalosur kërkesat, ku mes tyre kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Rama. /ZËRI