
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbjas nga SPAK në emisionin “Opinion”. Ai tha se Çyrbja është subjekt i drejtësisë për një teme qe e ka sqaruar vetë Prokuroria e Posaçme, prandaj është mbrapa hekurave. Rama tha se përgjegjësia e tij morale është të mbështes punën e drejtësisë.
"Hetimi për Çyrbjan nuk është për vendin i pesti apo i treti. Nuk është hetimi për këtë. Këto janë brockulla. Ai është subjekt i drejtësisë për një teme qe e ka sqaruar vetë SPAK. Për ato arsye që thotë organi përkatës ai është mbrapa hekurave. Përgjegjësia ime morale është të mbështes punën e drejtësisë. Ndjehem i lehtësuar se dikush që ka marrë mandat nga PS, e ka shpërdoruar këtë mandat. Përzgjedhja e njerëzve nuk bëhet mbi bazën e atyre që nuk di apo mund të bëjnë nesër. Mund të ndodhë që edhe fëmija të dalë në rrugë ters", tha Rama.
Ish-deputeti u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me grupin kriminal, të cilët e kanë ndihmuar për të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021. /ZËRI