TIRANë- Kryeministri Edi Rama është ftuar sonte në emisionin "Opinion" në "Klan" ku foli dhe për arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai tha se kjo është një çështje e Policisë së Shtetit dhe ajo ndjek një protokoll. Rama nuk i ndali as sulmet ndaj gazetarëve, ku tha se çështjen e tij ia ka lënë mediave ta trajtojnë si një viktim, por kjo është një çështje që edhe ekspertë të Bashimit Evropian po merren.
"Ke gjetur njeriun e gabuar për t’ia bërë këtë pyetje. Nuk kam asnjë koment. Është një subjekt me të cilin merret drejtësia, nuk kam asnjë koment. Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit ka drejtues, ka protokolle, ka operacione që i ndërton mbi bazë të këtyre protokolleve. Dhe unë nuk bëj komente për një subjekt të drejtësisë. Jua kam lënë juve ta trajtoni si viktimë nëpër emisione, ditën dhe natën. Gjëja më e lehtë për ju është të krahasoni Shqipërinë me Kolumbinë. Të krahasoni Shqipërinë me narkoregjimet. Bëjeni, nuk ka problem fare. Shqipëria ka hapur negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Hapja e negociatave nuk i bëhet një vendi që është si Kolumbia, as një vendi që është narkoregjim, as një vendi që është regjim, por një vendi që skanohet me fakte, skanohet, jo nga gazetarë që janë këtu brenda vorbullës, por nga ekspertë të BE-së që vetëm me atë merren", tha Rama.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Për eksponetët të Partisë së Lirisë, dhuna e Policisë ishte e pajustifikueshme, ndërsa për Policinë e Shtetit ishte e nevojshme pasi hasën në rezistencë nga Meta në momentin kur i komunikuan urdhër-arrestin e prerë nga GJKKO. /ZËRI