Politikë

Atentati në Shkodër/ Salianji nga qelia: Qeveria i shkel syrin krimeve në varësi të kalkulimeve elektorale

Ai e quajti atentatin e ndodhur një degradim të rendit dhe të sigurisë publike, pasi qytetarët janë të frikësuar për jetët e tyre

I.F
Atentati në Shkodër/ Salianji nga qelia: Qeveria i shkel syrin krimeve
Ervin Salianji

TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar nga qelia e burgut për atentatin e ndodhur në Shkodër, ku humbën jetën 3 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.

Salianji shkruan se humbja e autoritetit të shtetit po shkakton tragjedi tek qytetarët, pasi Policia nuk reagoi kur Arlind Bushati, një prej viktimave, denoncoi në komisariat se e kishin kërcënuar me armë zjarri. Ai e quajti atentatin e ndodhur një degradim të rendit dhe të sigurisë publike, pasi qytetarët janë të frikësuar për jetët e tyre

“Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve. Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varësi të kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojë vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë, por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!

Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do t’i çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!”, shkruan Salianji.

Pasditen e djeshme, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura Basha ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur. /ZËRI

Poll

MOS HUMB