
Kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” komentoi atentatin e rëndë që ndodhi në Dobraç. Rama tha se kjo është një tragjedi, por situata e krimit në vendin tonë është ulur në krahasim me vitet para se ai të merrte detyrën. Rama më tej shtoi se beteja me krimin vazhdon. Ndërsa përsa i përket Encrochat, ai tha se kjo është një çështje e drejtësisë.
"Patjetër që këto janë tragjedi, por ne e kemi marrë detyrën me mesatarisht me 110 -115 vrasje në vit, 1 vrasje çdo 3 ditë dhe sot jemi në numrin më të ulët të vrasjeve që vjen duke u ulur. Krimi në Shqipëri është më i tkurrur në historinë e këtij vendi. Ajo është një betejë që po vazhdon. Çdo vit është duke u ulur numri i vrasjeve, dhe këtë vit është numri më i ulët. Kjo historia e Encrochat është një histori që i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë sepse aty ka me mijëra mesazhe që ata thojnë deri në momentin kur dikush thot që unë takova atë të gjatin dhe ai i gjati më tha kshu, këto janë muhabete kot. Unë po flas me fakte nga terreni, bëhet fjalë për vrasje ka qenë 1 një në 3 ditë dhe sot jemi në numrin më të vogël. Nëse flasim dhe për ato në familje janë ulur dhe ato janë vrasje, por nëse flasim edhe për këto kriminale janë dhe më pak. Nuk besoj që ka një perceptim të tillë publik se bandat po kontrollojnë vendin. Ne bëjmë anketime të përmuajshme. Policia e Shtetit vlerësohet nga qytetarët, sepse ata e ndërtojnë perceptimin…Bandat janë brenda perimetrit të tyre dhe brenda atij perimetri po goditen", tha Rama.
Pasditen e djeshme, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur.
/ZËRI