
TIRANË- Vota e diasporës ka "rrëmbyer" vëmendjen e opozitës, më konkretisht të Partisë Demokratike. Sot, drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli në një konferencë për mediat u shpreh se po bëhet presion brenda administratës për votën e emigrantëve, e cila është ende duke u grumbulluar në Tiranë. Topalli i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i kërkojë kompanisë "DHL" që të përmbushë detyrimet e saj dhe të zbatojë protokollin e përcaktuar për dorëzimin dhe marrjen e votës së emigrantëve. Po ashtu, shtoi se qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, familjarët e tyre në Shqipëri u kërkojnë fotografimin e votës, një shkelje kjo e ligjit dhe Kodit Zgjedhor nëShqipëri.
“Po fotografojnë votën e tyre që i kërkohet përmes një presioni që ju bëhet familjarëve të tyre brenda administratës. Nuk është rastësi se ky presion është i jashtëzakonshëm, nuk është rastësi që në raportin e djeshëm të OSBE/ODIHR përmendet përdorimi i aseteve publike në përmasa të palejueshme, të tmerrshme në fakt, apo përdorimi i administratës përmes një presioni dhe arrogance që nuk ka ndodhur kurrë në tre dekada. Përdorimi i parave edhe nga pushteti lokal, edhe për të çuar autobusa. Nuk ka dyshim që pala tjetër po përdor mjete të dënueshme dhe jashtë standardeve të zgjedhjeve, por pavarësisht përdorimit të administratës dhe parasë mesa duket diaspora dhe shqiptarët në Shqipëri e kanë në ndërgjegjen e tyre të qartë se çfarë duhet të bëjnë në 11 Maj dhe votimi në numrin 1 është gjëja më e bukur që mund të shohim në 11 Maj. Jam këtu dhe për t’i bërë thirrje serioze KQZ që t’i kërkojë DHL që të përmbushë detyrimet e tyre. Çdo përpjekje e bërë për të mos marrë zarfin është një cënim i të drejtës së votës dhe ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj. Ky është një ndër reagimet që ne kemi. Unë personalisht kam marrë mesazhe të pafundme ku më thonë ‘ku e dinë ata numrin e telefonit tim që më telefonojnë apo më çojnë mesazhe për të votuar’. Edhe unë e kam këtë pyetje shumë serioze. Si i keni marrë ju dhe i keni përdor ju të dhënat e shqiptarëve? Ato do të na japin një përgjigje sepse përdorimi i të dhënave personale është një cënim i rëndë i privatësisë dhe i ligjit në përgjithësi. Ne mendojmë se duhet të shkojmë në një përshkallëzim. Ka pasur deklarata të mëparshme nga jurist në planin teknik, ka pasur thirrje që ju bëjmë shqiptarëve jashtë që mos prnaoni që të fotografoni apo të bëni video të tyre për t’iu përgjigjur të afërmve,"-tha në fjalën e saj Jozefina Topalli.
Ndërkohë që nga ana tjetër, përfaqësuesi Ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri thotë se shumë qytetarë po hasin vështirësi për tërheqjen e zarfeve për shkak të gabimeve në adresë ose në numrat e telefonit.
"Përfshirja e individëve të paautorizuar në Greqi në grumbullimin dhe kthimin e zarfeve të votimit: Individë në Hania (Kreta) dhe zona të tjera pretendojnë në rrjete sociale se kanë bërë ‘marrëveshje me DHL’ për të shpërndarë ose kthyer zarfat e votimit për shqiptarët në Greqi. Këto veprime, të paraqitura si ‘shërbim komunitar’, përbëjnë shkelje të rëndë të parimit të votimit të fshehtë dhe individual, dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit shqiptar zgjedhor. Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara,"-shtoi Nuri.
Ndërkohë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi konfirmoi se numri i votave që kanë ardhur nga diaspora në Shqipëri, ka shkuar në më shumë se 84783 vota. Në total, KQZ ka dërguar 245935 zarfe në total, nga të cilat janë postuar në destinacion 216577 zarfe. Gjithashtu mësohet se rreth 30 mijë të tjera janë ende në proces dhe nuk janë tërhequr nga zgjedhësit, kryesisht në Greqi. Për këtë arsye edhe ambasada shqiptare në shtetin fqinj ka njoftuar se pikat e kompanisë postare në Athinë dhe Pire do të punojnë më orë të zgjatura./ZËRI