
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi foli për qëndrimin e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme, pas vendimit ndaj çështjes së “Xibrakës. Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama nuk është i përfshirë në laboratorin e drogës të zbuluar në ‘Xibrakë’. Bardhi tha se ai nuk u njoftua se dosja u pezullua dhe ai kishte të drejtë të lajmërohej si kallëzues. Më tej Bardhi shtoi se edhe SPAK e pranon që ka autorë të pazbuluar, pas 10 vitesh Prokuroria nuk ka zbuluar se si është futur lënda narkotike për t’u përpunuar në laborator.
“Mua nuk më është njoftuar asnjë njoftim pezullimi për dosjen… kallëzuesi ka disa të drejta. Rama bëri gjasme se sikur u mërzit, ishte lojë që unë mos konsiderohesha si kallëzues, sepse kallëzuesi ka të drejtë që të depozitojë fakte dhe të dhëna shtesë. Kur unë çoj informacion për fillimin e hetimeve ndaj Ballukut, këtu quhem kallëzues unë.
Nuk hymë në lojën ka çuar kallëzim apo informacion. Kur sjell informacion për Olsi Ramën unë ta quaj informacion, këtu ka dy standarde. Prokuroria nuk ma dha statusin e kallëzuesit, pasi dihej si do përfundonte hetimi. SPAK në fjalinë e parë thotë unë kam përfunduar hetimet. Olsi Rama nuk është i përfshirë, por unë nuk e çoj në gjykatë dosjen për mbyllje, por e pezulloj.
Sot që flasim edhe SPAK e pranon që këtu ka autorë të pazbuluar, pas 10 vitesh Prokuroria nuk ka zbuluar se si është futur lënda narkotike për t’u përpunuar në laborator. Patjetër që janë dyshime sepse unë nuk jam as prokuror, as gjykatës. Sepse nuk jap unë as certifikatë virgjërie, as certifikatë dënimi. Prokuroria nëse nuk ka diçka për të fshehur e çon në gjykatë për të certifikuar hetimin që ka kryer. Por e çoi në polici dosjen për ta mbajtur në arkiv, sepse dosja ishte në polici dhe nuk bëri asgjë”, tha Bardhi.
I pyetur më tej nëse ai shqetësohet se do të paditet nga Rama, Bardhi tha për “Open” se nuk ka asnjë shqetësim.
“Nuk kam asnjë shqetësim, të mos humbasim kohë me atë sepse nuk kam shqetësim. Edhe ai vetë e tha kam ngarkuar avokatët, të bëjnë ndonjë shpikje filozofike. Unë vazhdoj t’i qëndroj kësaj çështjeje dhe do të kërkoj transparencë deri në fund”, u shpreh ai.
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit. /ZËRI