Politikë

Shkurtohet koha e aplikimit për pajisjen me dokumente biometrike për shqiptarët e diasporës

Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk do të presin më 30 ditë për të marrë pasaportën, por 15 ditë.

I.F
Shkurtohet koha e aplikimit për pajisjen me dokumente biometrike për
Ervin Hoxha, Igli Hasani dhe Freskida Halilaj

TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj lajmëruan se nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”. Kjo marrëveshje bashkëpunimi përgjysmon kohën e aplikimit të marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk do të presin më 30 ditë për të marrë pasaportën, por 15 ditë.

Ministri i Brendshëm e cilësoi si një standard të ri që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.

“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, u shpreh ai.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi bashkëpunimin me Ministrin e Brendshme dhe IdentiTek dhe u shpreh se do të vazhdojnë përpjekjet në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta.

“Të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndiejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin të cilin ne kemi marrë përsipër. Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë kudo ku janë”, tha ministri Hasani.

Sipas administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike, format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër.

“Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona “mobile” do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, përfundoi ajo. /ZËRI

Poll

MOS HUMB