LIVE UPDATES

Dosja 'Xibraka'! Rama MESAZH publikut: Do padis Bardhin! Çerek shekulli akuza kundër meje (E PLOTË)

➤Kryeministri Edi Rama në një mesazh publik ka reaguar për herë të parë në lidhje me dosjen "Xibraka" pas vendimit të SPAK. Rama theksoi se drejtësia foli dhe theksoi se vëllai i tij u përdor si mish për top për ta goditur atë. ➤Kryeministri premtoi se pas pezullimit të dosjes së vëllait, do padisë Gazment Bardhin për kallzim të rremë. ➤Vetë kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi i është përgjigjur Ramës me disa pyetje që sipas tij mbeten pa përgjigje dhe që vërtetojnë se nuk ka pasur asnjë hetim nga SPAK në lidhje me vëllain e kryeministrit Rama. ➤Gjatë mesazhit të tij për qytetatët, Rama foli në lidhje me akuzat që i janë hedhur nga opozita. ➤Duke i mohuar ato, kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve t’i mbyllin dyert kësaj opozitës, e cila sipas tij kërkon të vijë në pushtet përmes shpifjes.

4 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

"Xibraka"/ Rama paralajmëron: Do padis Gazment Bardhin për kallëzim të rremë

Dosja 'Xibraka'! Rama MESAZH publikut: Do padis Bardhin! Çerek
Gazment Bardhi dhe Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama paralajmëroi kallëzim penal ndaj Gazment Bardhit pasi hetimet e SPAK përfunduan se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ishte i përfshirë në dosjen e laboratorit të kokainës, të njohur si dosja “Xibraka”. Sipas Ramës, tani që u krye hetimi dhe rezultoi se kallëzimi ishte i rremë, avokatët po punojnë për një proces gjyqësor. Kreu i qeverisë u shpreh se 11 gjyqe i ka fituar ndaj opozitës, ndërsa 7 të tjera janë në radhë përfshi edhe këtë të fundit me Bardhin.

"Tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë. 11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim,"-u shpreh Rama.

Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Rama: Tik Tok-ut do t’ia mbyllë derën qeveria, por opozitës duhet t’ia mbyllë populli

Dosja 'Xibraka'! Rama MESAZH publikut: Do padis Bardhin! Çerek
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij u bëri thirrje qytetarëve t’i mbyllin dyert kësaj opozitës, e cila sipas tij kërkon të vijë në pushtet përmes shpifjes. Në fjalën e tij Rama përmendi edhe mbyllej e aplikacionit Tik Tok, ku u shpreh se përbën rrezik për sigurinë e vendit e të fëmijëve.

“Nëse ju do të më kuptoni për këtë, atëherë do të më kuptoni edhe kur ju them se jam dakord me ju, TikToku është një burim serioz rreziku për sigurinë e vendit e të fëmijëve tanë, por ende më i rrezikshëm se llumi i prurjeve të TikTokut në ekranet e celularëve, është llumi i politikës së shpifjeve e të gënjeshtrave, i akuzave, sharjeve e sherreve politike e mediatike, që nuk u lënë gjë mangut grindjeve të rrugaçëve të lagjes, ku më të vegjëlit e më të rinjtë e kësaj shoqërie, janë edhe hallka më kollaj e prekshme nga kultura e ulët që fut në dejet e njerëzve ai llumë. TikTokut do t’ia mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën një vit qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllni dyert të gjithë ju, duke nisur nga dera e parlamentit të ardhshëm. Këta shpifarakë e lafarakë nuk janë alternativa politike të shekullit XXI”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, njoftoi mbylljen e platformës si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me thikë të  14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës 'Fan Noli', gjatë një konflikti me një tjetër nxënës Mario Përlleshi, ndodhur më 18 nëntor 2024.  Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre. Pa prova konkrete që vërtetojnë se TikTok është shkaku kryesor i problemeve të identifikuara, ndalimi mund të konsiderohet i pabazuar dhe arbitrar./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

'Akuza pa prova nga Berisha', Rama mesazh publik: Më kanë bërë përdorues droge, kriminel, skizofren

Dosja 'Xibraka'! Rama MESAZH publikut: Do padis Bardhin! Çerek
Edi Rama

TIRANË-Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se ndaj tij dhe familjarëve janë hedhur akuza pa prova, në 25 vite që ai është në politikë. Kreu i qeverise deklaroi se akuzat qe iu ben ndaj te vellait si i perfshire ne trafik droge nuk jane goditja e pare, dhe as e fundit. Rama tha se ndryshe nga se veprojnë kundërshtarët e tij politik, ai asnjëherë nuk është marrë me familjen e askujt. Kryeministri deklaroi, duke iu referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishëse se “katrani i madh prej çerek shekulli fabrikon akuza kundër meje”.

Edi Rama: Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh. Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike. Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku. Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë. Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve. Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time. E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cënonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.
 
Jo, nuk kam pasur dhe as kam dashur ndonjëherë të kem ndonjë apartament tjetër, përveç atij tek parafabrikatet qysh në kohë të komunizmit, dhe pastaj atyre ku kam jetuar me qira kur isha ministër kulture e kryetar bashkie. Ashtu i shihja gjërat kur isha më i ri, ende s’e kisha familjen që kam fatin të kem sot - doja të isha njeri i lirë nga çdo lidhje apo pronë e patundshme. Pastaj, kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë edhe ne një shtëpi tonën, në periferi të Tiranës, siç janë bërë qindra, mijëra familje të tjera shqiptare në tre dekadat e fundit. 
 
Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë. Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua. Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë. Jo, kush më njeh e di që paraja s’ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua.  Jam rritur nga prindër, që u ndritë shpirti aty ku janë, më kanë mësuar se leku është thjesht haku i punës së ndershme dhe nga një gjyshe besimtare, e cila më ka mësuar se njeriu nuk vjen në jetë për të bërë lekë, po për të mos vdekur pa bërë punët për të cilat Zoti e ka sjellë në jetë. Le ta gjejnë, të gjithë katranët që më ulin e më ngrenë përditë, nëpër foltore, ekrane e portale, në hanin e parlamentit apo në pijetoret televizive, si pasanik të korruptuar dhe politikan të pasuruar nga politika, një kokërr leku, një dëshmitar apo një metër katror të vetëm jashtë kufijve të deklarimit zyrtar të pasurisë; një fakt të vetëm që të provojë se unë nuk jam ky që jam, po jam ai që ata thonë. Pastaj kollaj fare, iki vetë unë, s’ka nevojë të flasin me vete rrugëve, “Rama ik, rama ik”. 
 
Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz,  jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurrur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë. 
 
Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua: Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qyshse e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë. Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor.

Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”- ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën. Nuk besoj s’e më keni dëgjuar. Po a keni dëgjuar nga goja ime që ta ngre hajdut që në sabah, e ta ul kriminel deri në aksham këtë “babin e Zenit”, apo këdoqoftë tjetër nga kundërshtarët e mi politikë, siç ka bërë ky “babi” i tërë katranëve të tij të vegjël me mua dhe me të gjithë kundërshtarët e vet  – pa na lënë të vdekur e të gjallë të librit të shtëpisë pa bërë pis, me jashtëderdhjet e asaj zorrës shtëpiake që e quajnë akoma parti demokratike.

Nuk besoj s’e keni dëgjuar. Natyrisht, nuk ua kam kursyer kur është dashur shpatën e shqipes sime, as atij “babit” që na mbeti peshqesh nga jetimorja e servilëve më të neveritshëm të Partisë së Enver Hoxhës, as “çunave e gocave të Partisë Demokratike” që na i bëri peshqesh përdhunimi qysh në lindje i asaj partie nga “babi” dora vetë.

Por ama, jam përpjekur gjithnjë të mos bëhem një më shumë ndër lehaqenet që shajnë, shpifin e gënjejnë se “kështu e paska politika”. Partia jonë, forca popullore e shqiptarëve, ka mëkatet e veta padiskutim të tridhjetë e kusur viteve nga ardhja në jetë. Por nuk e ka mbi kurriz mëkatin e nxjerrjes së gjuhës jashtë, si thikë për të gërryer varret e familjes, për therur shpirtin e familjarëve të kundërshtarëve të vet dhe për gërmuar hendekun e urrejtjes, dasisë e helmit mes shqiptarëve. Sa për veten, e kam ndarë mendjen prej vitesh tanimë, që gjithë ç’kanë thënë e do të thonë për mua, me të keq e me zero prova, janë një çmim, për t’iu paguar privilegjit të paçmueshëm të besimit për të drejtuar dje Tiranën, e sot gjithë Shqipërinë, dhe për të bërë histori, histori me fuqinë e votës së popullit.

E vetmja dhimbje e fortë është, se kushedi sesa herë në tërë këto vite që unë jam në arenën e baltës politike, familjarët e mi, nëna ime e ndjerë, babai im i ndarë nga kjo botë pa më parë një ditë të vetme në politikë, ime shoqe, prindërit e saj, fëmijët tanë, po edhe të tjerë në rrethin tonë familjar, i kanë paguar deri këtu një çmim shumë të lartë, tërësisht të pamerituar, zgjedhjes sime për t’u marrë me politikë. 11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim.

1 MUAJ ME PARE

Dosja 'Xibraka'/ Rama: Vëllai im i pafajshëm. Bardhi: SPAK nuk nisi hetim

Dosja 'Xibraka'! Rama MESAZH publikut: Do padis Bardhin! Çerek
Edi Rama, Olsi Rama dhe Gazment Bardhi

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë. Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se nuk ka folur deri më tani në lidhje me këtë temë pasi priste që drejtësia të fliste me prova. Rama theksoi se SPAK arriti në përfundimin se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paidentifikuar të dosjes në fjalë dhe s’ka asnjë fakt që të lidhë të vëllanë me aktivitetin kriminal. Kryeministri theksoi se vëllai i tij u përdor si mish për top për ta goditur atë.

Edi Rama: Vitin e shkuar deputeti Gazment Bardhi jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim Olsi Rama. E denoncoi në publik si trafikant droge përmes një sajese kriminale. Sipas tij dy prokurorët e dosjes e paskëshin fshehur identitetin tim vëllai. Kam bërë durim, nuk kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë me drejtësia me provat e veta. SPAK deklaroi se ka arritur në përfundimin se Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paidentifikuar të dosjes në fjalë dhe s’ka asnjë fakt që të lidh tim vëlla me aktivitetin kriminal. Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur mua. Kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua. Më kanë bërë përdhosës të familjes sime duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit kam akuzuar ish gruan time se djalin tim e kishte me babain tim. Divorci im s’ka pasur asnjë konflikt, ka qenë tërësisht paqësor. Katrani i madh ka prodhuar një dokument gjyqi në atë kohë. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, por zoti më ka bërë heteroseksual. Më kanë bërë dhunues grash, edhe i nënës sime. Nëna ime e ndjerë u ndje aq e lënduar sa e çoi në gjyq katranin e madh, por ai çoi avokatët për të bërë paqe, se kështu e ka politika. Kur nëna ime nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjyqtare katran që i vuri kapakun asaj dosje. 

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi i është përgjigjur reagimit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me Olsi Ramën, për të cilin SPAK pushoi hetimet dhe tha se nuk ka asnjë prove që e implikon atë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi shtron disa pyetje që sipas tij mbeten pa përgjigje dhe që vërtetojnë se nuk ka pasur asnjë hetim nga SPAK në lidhje me vëllain e kryeministrit Rama.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Vëllai i Olsit doli sot dhe rilexoi fiks të njëjtin fjalim që mbajti kur opozita akuzonte ish-ministrin Saimir Tahiri si të përfshirë për bashkëpunim me trafikantë droge. Foli gjatë, nuk tha asgjë dhe fytyra i tregonte të kundërtën e asaj që thoshte. Foli për prova që paska gjetur SPAK që Olsi nuk ka qenë i përfshirë në Laboratorin e “Xibrakës”, por nuk përmendi çfarë konkretisht paska gjetur dhe hetuar SPAK. E vërteta është krejt e kundërt dhe sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën!  Vetëm një Prokurori ku, si rregull, anëtarët paracaktohen për t’i shërbyer pushtetit dhe jo për të zbatuar ligjin, mund të publikonte një njoftim aq qesharak dhe skandaloz me qëllim “shpërlarjen” e Ols Ramës nga dosja e Xibrakës, edhe pse vetë njofton se:

Hetimi nuk ka përfunduar!

Dosja nuk është mbyllur!

Dosja është ripezulluar!

Kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes (i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale) “nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale” që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë. Por a identifikoi prokurori i Olsit se mes këtyre të paidentifikuarve gjendet apo jo Ols Rama? Si? Çfarë provash mblodhi për këtë? Cila është foto që shoqëron raportin e grupit të vëzhgimit lidhur me personin e “pa identifikuar të moshës 45 vjeç”? Pse nuk bëhet publike foto e raportit të grupit të vëzhgimit që qytetarët të ndihmojnë me informacione “për ta identifikuar”?

Deklarata e prokurorit nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve, që është edhe thelbi i kërkesës për SPAK-un. Megjithatë, Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Hetimi bëhet ekzaktësisht për të grumbulluar provat, bazuar në indiciet që prokuroria i ka patur të plota dhe të pakontestueshme. Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!

Një përfundim të tillë prokurori mund të arrinte vetëm, nëse do të zbulonte se personi i paidentifikuar, për të cilin flet dosja e vetë prokurorisë, nuk është Olsi, por është Filan Fisteku.  Arsyetimi “ne nuk e dimë kush është, por vëmë dorën në zjarr që s’është Olsi”,  nuk është thjesht dëshmi e paaftësisë profesionale. Një rast i tillë, ndoshta unik në historinë e hetimit penal, dëshmon se presioni publik i Kryeministrit ndaj prokurorit të çështjes ka funksionuar dhe SPAK nuk ka fuqi për të hetuar Kryeministrin dhe familjen e tij. Personalisht për këtë kam qenë i qartë që ditën e parë, edhe pse, në përmbushje të funksioneve të mia si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kam dhënë mundësi SPAK-ut të provojë para shqiptarëve se është një organ i pavarur dhe i pandikueshëm nga qeveria. Unë i kuptoj, janë të pafuqishëm, ndjehen të intimiduar nga Edi Rama, por nuk kanë asnjë arsye të bëhen qesharak!

Për të treguar cilësinë e hetimit që (s)ka bërë dot prokurori, po paraqes disa fakte dhe pyetje të thjeshta:

Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.

Pyetje 1 për Edi Ramën dhe SPAK: Çfarë e lidh Ols Ramën me krerët e narko-organizatës dhe me makinën e trafikut?

Fakti 2. Nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.

Pyetje 2 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Ols Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës?

Fakti 3. Policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Ols Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.

Pyetje 3 për Edi Ramën dhe SPAK: A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe sesi kanë arritur të identifikojnë moshën fikse të personit (45 vjeç), pa ditur identitetin e tij?

Fakt 4. Ditën e arratisjes së Genci Xhixhos, Ols Rama ka kaluar kufirin me makinë, por pa e regjistruar automjetin. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.

Pyetje 4 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk është regjistruar automjeti i Ols Ramës?

Fakt 5. Kjo dosje e ka fillesën nga hetimet e prokurorisë së Hanoverit, ndërkohë SPAK deklaron se ka bashkëpunuar vetëm me autoritetet e Kosovës.

Pyetje 5 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk bashkëpunuat edhe me prokurorinë/policinë e Hanoverit, Gjermani, si autoriteti që disponon të dhënat fillestare dhe përgjimet e grupit?

Fakt 6. Ols Rama ka pranuar publikisht se e ka përdorur narkomakinën dhe njeh njërin nga narkotrafikantët.

Pyetje 6 për Edi Ramën dhe SPAK: Kë nga narkotrafikantët njeh Ols Rama dhe në pse genjeu që e ka përdorur vetëm një herë automjetin, kur të dhënat e TIMS provojnë e ka përdorur të paktën 7 herë?

Fakt 7. Në seancën e datës 4 Prill 2024, Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, ka informuar seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, se është në dijeni se kush është një nga personat e paidentifikuar, me moshë 45 vjeç.

Pyetje 7 për Edi Ramën dhr SPAK: A e kanë pyetur Ministrin e Brendshëm për atë që ka deklaruar zyrtarisht në Kuvend që di dhe nëse ai zyrtarisht e ka kallëzuar krimin për të cilin ka dijeni në SPAK?

Përgjigja për pyetjen e fundit është publike, as është thirrur dhe as ka kallëzuar. Tani pyetja bëhet edhe më e thjeshtë: Si është e mundur që nuk është thirrur për t’u pyetur Taulant Balla, i cili, në 4 Prill 2024,  si Ministër i Brendshëm, deklaroi në seancë plenare se e dinte kush ishte personi i paidentifikuar? Kaq mjafton për të kuptuar se prokurori, siç e ka zakon, nuk ka pasur për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por nxitimin për të amnistuar krimin. Por nga kjo të paktën u provua në mënyrë të pakontestueshme ajo që të gjithë dinim: vëllezërit Edi dhe Ols Rama janë të paprekshëm! Faleminderit që na e konfirmuat, edhe pse me koston tuaj për t’u bërë qesharak! Këtë të fundit mund të na e kursenit. Në fund, po ju shfaq një video bashkëlidhur, se ndoshta ju duhet për arkivë: Ministri i Brendshëm i kohës, që ka në varësi Policinë, informon Kuvendin e Shqipërisë që e di kush është “personi i paidentifikuar”. Si ka mundësi që ai e di dhe SPAK nuk e di. Pse nuk ka guxim ta pyes SPAK? Çfarë po përpiqet të fshehet?

Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB