Situata e rënduar nga dëbora, pezullohet mësimi në Kukës

KUKËS- Situata në Kukës vijon të paraqitet problematike për shkak të motit të keq. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar në qytetin e Kukësit ka njoftuar pezullimin e mësimit për ditën e nesërme, data 13 janar, në disa prej shkollave.
Bëhet fjalë për shkollat e Njësive Administrative Shishtavec, Zapod, Bushtricë, Ujmisht, Malzi, shkolla Kalimash, shkolla Çinamakë dhe Mamëz.
Pritet që të ketë një njoftim të dytë për shkollat në Njësinë Administrative Topojan.
VIDEO/ Policia Rrugore shpëton familjen e bllokuar në mes të dëborës në Berat

BERAT- Një familje me dy fëmijë të mitur është shpëtuar nga forcat e policisë mbrëmjen e sotme. Familja ishte bllokuar në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, në vendin e quajtur “Gjurma”. Efektivët e Policisë Rrugore panë një automjet që kishte ndaluar në rrugë dhe brenda kishte pesë persona, mes tyre dhe dy fëmijë.
Sipas informacionit zyrtar, familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorrit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.
“Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit që ndodheshin në automjet,”- thuhet në njoftimin zyrtar.
Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e situatës në Shqipëri

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatësnë vendin tonë.
Njoftimi:
Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë.
Akset rrugore
Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.
Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.
Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.
Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.
Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull,Lis, Derjan dhe Komsi.
Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz është bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore.
Aksi rrugor Kir-Shosh është bllokuar si pasojë e shembjeve të dherave dhe reshjeve të dëborës.
Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.
Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë thanë ka reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Në terren janë shërbimet e policisë rrugore.
Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.
Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.
Në bashkinë Vlorë, niveli i ujit në rrugët e qytetit vazhdon të rritet. Sot në qytetin e Vlorës ka rënë 87 mm shi. Mjetet qarkullojnë me vështirësi
Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës te lëvizin me shpejtësi të kufizuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe në akset me dëbore të përdorin gomat dimërore.
Portet
Në portin e Durrësit është ndaluar lundrimi i anijeve të vogla. Është ndaluar lundrimi i trageteve të linjës Durrës-Bari-Durrës. Në portin e Vlorës nuk janë raportuar probleme për lundrimin e anijeve.
Lumenjtë dhe rezervuaret
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Parashikimi motit në vijim
Bazuar informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), sot pasdite (e diel data 12) dhe nesër (e Hënë data 13) reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat Veriore, Verilindore, Qendrore dhe Juglindore të territorit. Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor. Sot pasdite (e Diel data 12) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun Vlorë, reshje intensive në qarkun Gjirokastër. Reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare dhe të dobëta deri lokalisht mesatare. Nesër e (e Hënë data 13) reshjet priten të jenë të dobëta.
Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet.
Në Veri, Verilindje, Qendër dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
* në bregdet: 5 / 12 °C ;
* në vendet e ulëta: 5 / 10 °C ;
* në vendet malore: -4 / 4 °C
Sot pasdite (e Diel data 12) dhe nesër (e Hënë data 13) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në veri dhe në bregdet deri e fortë.
Vijon monitorimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të menaxhuar në kohë çdo situatë emergjente që mund të krijohet.
Moti i keq pushton Shqipërinë, situata më e vështirë në Shkodër, zonat e thella mbeten pa energji elektrike

TIRANË- Situata në Shqipëri është problematike për shkak të motit të keq. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka bërë me dije se zona më problematike përsa i përket furnizimit me energji elektrike është Shkodra dhe kryesisht zonat rurale e të thella malore. Në rajonin e Kukësit bëhet me dije se nuk ka pasur probleme të rënda me linjat dhe furnizimin me energji. Kurse në orët e drekës si pasojë e motit të keq ka pasur problematika në rajonet e Elbasanit dhe Beratit.
“Si pasojë e kësaj situate ka pasur probleme me furnizimin me energji në fiderat 10/6 kV që furnizojnë me energji kryesisht zona rurale të thella malore. Gjatë paradites Nënstacioni Radhimë është stakuar për arsye sigurie, pasi kishte nivel të lartë të ujit nga reshjet e shumta. Aktualisht ky nënstacion është rivënë në punë dhe situata është normalizuar. Në të gjithë vendin aktualisht kemi 43 fidera me probleme. OSSH ka të angazhuar në terren aktualisht 1500 punonjës me 196 mjete motorike lëvizëse, të cilët po i përgjigjen në kohë çdo avarie apo problem që konstatohet. Në vëmendje janë edhe hidrovoret në të gjithë vendin, për të shmangur problematikat me përmbytjet,”- thuhet ndër të tjera në njoftim.
Sot i gjithë vendi është përfshirë në reshje të dendura dëbore. Në Dibër, Peshkopi dhe Bulqizë trashësia e dëborës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm. Probleme janë hasur edhe rrugët nacionale mesditën sotme, ku reshjet me stuhi të fortë po bllokojnë shpeshherë aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë në drejtim të Peshkopisë. Probleme ka pasur edhe në Korçë e Kukës.
Shiu përmbyt Vlorën, uji futet edhe në disa banesa

VLORË- Shiu i dendur ka sjellë problematika të mëdha në qytetin e Vlorës. Mësohet se reshjet e dendura të shiut kanë bllokuar akset kryesore të rrugëve duke e bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve dhe duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Në disa zona, ka pasur edhe ujë të futur në banesa, kryesisht në lagjen "Albano & Romina" dhe "Pavarësia".
Nuk dihet ende se çfarë kandodhur me banorët që jetojnë në këto shtëpi, brenda të cilave është futur uji.
Moti i keq rëndon situatën, bllokohet kalimi i kamionëve në Greqi

KORÇË- Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në drejtim të Greqisë nuk do të jetë i mundur deri në një njoftim të dytë. Policia e Shtetit kabërë me dije se nga ora 17:00 e datës 12.01.2025 dhe deri në një njoftim të dytë, nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kapshticë, në drejtim të shtetit grek. Në njoftim thuhet se do të lejohet vetëm kalimi i autoveturave dhe autobusëve, të cilët duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe me zinxhirë.
Njoftimi nga Policia e Shtetit:
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, Policia Kufitare Greke ka njoftuar Policinë Kufitare të Korçës se nga ora 17:00 e datës 12.01.2025 dhe deri në një njoftim të dytë, nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kapshticë, në drejtim të shtetit grek.
Do të lejohet vetëm kalimi i autoveturave dhe autobusëve, të cilët duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe me zinxhirë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë të mos udhëtojnë drejt kësaj pike, deri në pritje të njoftimit ditën e nesërme nga Policia Kufitare Greke, për lejimin e lëvizjes së tyre.
VIDEO/ Dëbora bllokon besimtarët në Kishën e Laçit

LAÇ- Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar besimtarët në Kishën e Laçit. Në pamjet që ju sjell ZËRI vihet re se disa automjete që janë nisur për në vendin e bekuar, janë bllokuar në rrugë. Qytetarët kanë dalë jashtë mjeteve dhe popërpiqen që të lirojnë rrugët.
Sipas asaj qe njoftojne emergjencat civile, në akset e tjera te kesaj bashkie nuk raportohen problematika. Si rezultat i erës me intensitet të vrullshëm, vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, sidomos në zonat rurale.
Sot i gjithë vendi është përfshirë në reshje të dendura dëbore. Në Dibër, Peshkopi dhe Bulqizë trashësia e dëborës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm. Probleme janë hasur edhe rrugët nacionale mesditën sotme, ku reshjet me stuhi të fortë po bllokojnë shpeshherë aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë në drejtim të Peshkopisë. Probleme ka pasur edhe në Korçë e Kukës.
VIDEO/ Dëbora bllokon dhjetëra mjete në Ulëz, të sëmurët nuk mbërrijnë dot në spital

BURREL- Dhjetëra mjete janë bllokuar në aksin nacional Burrel-Milot në vendin e quajtur Qafa e Ulzës. Kjo situatë është e tillë prej disa orësh dhe të bllokuarit janë shprehur për JOQAlbania se deri më tani nuk u ka ardhur askush në ndihmë për t’i lëvizur. Gjithashtu, raportohet se mes tyre ka edhe të sëmurë që ishin nisur drejt spitalit të Tiranës me mjete private, por kanë mbetur të bllokuar. E njëjta situatë problematike është edhe në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi në vendin e quajtur “Pishat”.
Sot i gjithë vendi është përfshirë në reshje të dendura dëbore. Në Dibër, Peshkopi dhe Bulqizë trashësia e dëborës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm. Probleme janë hasur edhe rrugët nacionale mesditën sotme, ku reshjet me stuhi të fortë po bllokojnë shpeshherë aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë në drejtim të Peshkopisë. Probleme ka pasur edhe në Korçë e Kukës.
Reshje të dendura dëbore në Peshkopi e Bulqizë, bllokohen fshatrat dhe rrugët nacionale

DIBËR-Reshje bore kanë përfshirë edhe qarkun e Dibrës. Reshjet kanë qenë me intensitet mesatar, trashësia në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm.
Për pasojë janë bllokuar fshatrat e njësive administrative të bashkisë Bulqizë. Edhe pse bashkia ka ndërhyrë për hapjen e rrugëve rurale të njësive administrative e kanë pas të pamundur ti hapin rrugët kjo për faktin edhe të mungesës së borëpastrueseve në bashki.
Probleme janë hasur edhe rrugët nacionale mesditën sotme, ku reshjet me stuhi të fortë po bllokojnë shpeshherë aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë në drejtim të Peshkopisë./ZËRI
Moti i keq në vend, Policia Rrugore: Ja rrugët e bllokuara. Apel për drejtuesit e makinave

TIRANË-Për shkak të motit të keq me reshje dëbore në disa qarqe të vendit dhe reshje shiu, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë. Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore. Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Situata aktuale në akset rrugore:
Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër është bllokuar nga Policia Rrugore e Dibrës dhe Tiranës për të shmangur pengesat dhe bllokimin e rrugës si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.
Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë, në segmentin Qafë Shari – Laku i Ballçit, aktualisht është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Nga ana e Bashkisë Fushë Arrëz po merren masa për të dërguar mjete (Fadroma) për hapjen e rrugës.
Aksi rrugor Qafë Thanë – Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët, për shkak të reshjeve të pandërprera të dëborës.
Në të gjithë vendin, akset e tjera rrugore janë të hapura. Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
“Njëkohësisht, masa janë marrë edhe në akset rrugore nacionale dhe urbane për shkak të reshjeve të shiut, duke shtuar patrullat e policisë rrugore.
Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, dhe shërbimet e Policisë do të shkojnë menjëherë pranë tyre për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme.
Rikthehen reshjet e borës në qarkun e Korçës

KORÇË- Prej mëngjesit të sotëm nga Qafë Thana, Qafë Plloçë, Grabovicë e në çdo aks të juglindjes janë prekur nga reshjet e dëborës e cila ka sjellë vështirësi të qarkullimit të automjeteve në akset kombëtare.
Aktualisht nuk ka asnjë problematikë nga rreshjet, rrugët janë të hapura por autoritetet apelojnë që drejtuesit e mjeteve që duhet të bêjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë në zonat e prekura nga rreshjet.
Puna për pastrim dhe kriposje ka nisur prej mëngjesit në Qafë Thanë, Qafë Plloçë, Grabovicë e në çdo aks të qarkut të prekur nga dëbora për largimin e saj nga rruga dhe gjithashtu për kriposjen. Çdo segment po mbahet në monitorim të vazhdueshëm. Ndërkohë që këtë mëngjes rreshjet e dëborës janë prezente edhe në qytetin e Korçës. Nuk ka probleme me reshjet e borës./ZËRI
Kukësi “mbulohet” nga dëbora! Trashësia kalon 30 cm, disa zona pa energji elektrike

KUKËS-Kukësi është përfshirë nga një stuhi e madhe bore gjatë mëngjesit të kësaj të diele, duke sjellë kushte të vështira në qytet dhe zonat përreth. Temperaturat janë ulur deri në -3°C, ndërsa trashësia e dëborës në qytet ka kaluar 10 cm, ndërsa në lartësi ajo ka arritur deri në 30 cm.
Të gjitha rrugët nacionale kanë vështirësi lëvizje, këshillohen që qytetarët të bëjnë kujdes të shtuar në përdorimin e këtyre rrugëve, e nëse është e nevojshme të shmangin qarkullimin e tyre gjatë.
Si pasojë e erës së fortë disa zona janë pa energji elektrike. Pa energji elektrije janë njësia administrative Kolsh, Surroj, Arren, Bashkia Kukës. Fshatrat Cahan, Mujaj-Dajç, Nj. Adm. Qendër-Krumë, fshatrat Kishaj, Pogaj, Nj. Adm. Gjinaj dhe fshatrat Peraj, Zgjec, Nj. Adm. Golaj Bashkia Has./ZËRI
Moti i keq në vend, bllokohet qarkullimi në bypassin e Murrizit

KUKËS- Bllokohet qarkullimi në bypassin e Murrizit, për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit. Policia e Dibrës ka vendosur postbllok në rrethrrotullimin e Klosit dhe drejtojnë mjetet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Milot. Për shkak të reshjeve të shumta të dëborës dhe përdoruesve të mjeteve që nuk janë pajisur me goma dimri apo zinxhir kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe të borëpastruesve./ZËRI
Ulje temperaturash, reshje shiu dhe dëbore, parashikimi i motit për sot

TIRANË-Ditën e sotme reshjet e shiut do të jenë prezente prej orëve të para të mëngjesit dhe pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Në intervale të shkurtra kohore pjesërisht në veri dhe në jugperëndim parashikohen reshje me intensitet deri të lartë në formën e stuhive.
Reshjet e dëborës do të rikthehen, në Alpe dhe relievet malore veri-verilindje-juglindje të vendit në lartësitë mbi 600-700metër me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga -4°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 11°C vlera maksimale e cila pritet në qytetin e Vlorës. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë makimale mbi 65 km/h nga drejtimi Verior, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 3 – 4 ballë./ZËRI