Shtëpitë e Dua Lipës dhe Bebe Rexhës përfshihen nga zjarret në Los Angeles
KALIFORNIA- Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj gjendjen ne qytetin e dytë më të madhë në SHBA, Los Angeles pas zjarreve masive që janë aktivizuar në vend. Këngëtarja përmes një postimi në Instagram rrëfen se ajri është i ndotur dhe i bën thirrje fansave të tregojnë kujdes.
“Ajri i LA sot: I trashë sa mund të pritet me thikë dhe mban erë sikur jetojmë brenda një oxhaku,” shkroi 35-vjeçarja, duke e shoqëruar mesazhin me një fotografi ku shfaqej me maskë, një masë e domosdoshme për t’u mbrojtur nga ndotja e ajrit.
Artistja gjithashtu iu drejtua shqetësimeve të ndjekësve për gjendjen e saj dhe të shtëpisë së saj në Los Angeles, duke rrëfyer se ka hasur vështirësi gjatë natës, por është mirë.
“Mbrëmë më duhej të flija në divan. Shpresoj që të gjithë të jenë mirë. Unë jam mirë. Faleminderit që u interesuat për mua”, tha ajo në një tjetër postim.
Po ashtu edhe këngëtarja shqiptare Dua Lipa është detyruar të largohet nga Los Angeles për shkak të zjarreve masive që janë përhapur në Pacific Palisades dhe Hollyëood Hills. Këngëtarja së bashku me disa yje të tjerë britanikë si James Bourne nga Busted, Mark Oëen nga Take That dhe Liam 'Gatsby' Blackwell nga TOWIE, u detyruan të evakuonin shtëpitë e tyre.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social, këngëtarja iu kërkon fansave të saj të bëjnë kujdes.
“Disa ditë shkatërruese dhe të frikshme në LA. Mendimet e mia janë me të gjithë miqtë e mi dhe njerëzit e qytetit që duhej të evakuonin shtëpitë e tyre. Do të ndaj disa faqe për këdo që dëshiron të ndihmojë dhe të dhurojë ndihma për strehimoret që aktualisht po strehojnë shumë njerëz të zhvendosur. Unë jam e sigurt dhe u largova nga qyteti. Dërgoj dashuri për të gjithë ata që po kalojnë kohë të vështirë, qëndroni të sigurt dhe kujdesuni për njëri-tjetrin”, tha Dua Lipa.
Po ashtu edhe shtëpia e Rihannës në Los Angeles u dogj për shkiak të zjarreve masive në që goditën qytetin. Edhe fituesi i çmimit Oscar, Mel Gibson tha se shtëpia e tij në Malibu u dogj. Gibson tha se jetoi në atë shtëpi për 15 vite, por çdo gjë e tij u shkatërrua. Deri më tani 10 viktima janë shënuar nga zjarret masive, ndërsa mbi 2 mijë ndërtesa janë djegur. Autoritetet lajmërojnë banorët të bëjnë kujdes dhe të mbajnë maska për shkak të nivelit të toksicitetit. /ZËRI
Zjarret në Los Angeles, ajri kthehet toksik, autoritetet thirrje banorëve: Mbani maska!
LOS ANGELES- Një qytet i kthyer si një zonë lufte kështu është kthyer Los Angeles në SHBA. Rajoni është përfshirë nga zjarret masive që kanë djegur mijëra hektarë tokë, shtëpi dhe objekte me vlerë miliarda dollarë, ndërsa kanë lënë pas 10 të vdekur deri më tani. Në të njëjtën kohë, sipas mediave ndërkombëtare, qindra të burgosur kanë marrë pjesë si zjarrfikës vullentarë. Të gjithë banorët janë detyruar të mbajnë maska pasi ajri është kthyer toksik dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha në shëndet. Deri më tani nuk është kontrolluar as 1% e fronteve të zjarrit që janë përhapur në qytetet e mëdha të shetit të Kalifornisë.
Departamenti i Korrigjimeve në Kaliforni konfirmoi për BBC se pothuajse 800 të burgosur po i bashkohen CalFire për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së zjarreve, si pjesë e një programi vullnetar. CalFire tani ka vendosur rreth 4,700 zjarrfikës në terren. Departamenti i Korrigjimeve dhe Rehabilitimit në Kaliforni operon kampe trajnimi të zjarrfikësve në mbarë vendin për të burgosurit, të cilat mbështesin reagimin e autoriteteve ndaj fatkeqësive. Më shumë se 1,800 zjarrfikës vullnetarë të burgosur janë vendosur në këto kampe, thanë zyrtarët. Ata zakonisht fitojnë pak ose aspak para, sipas grupeve të të drejtave.
Sipas autoriteteve amerikane banorët po përballen me kushte të paprecedente dhe janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Megjithatë, dëmi që tashmë është shkaktuar e bën rikuperimin veçanërisht të vështirë, ndërkohë që kriza klimatike vazhdon të paraqesë sfida të reja për Kaliforninë dhe planetin. Të paktën 10 persona kanë vdekur nga zjarret që shpërthyen rreth Los Anxhelosit, njoftoi zyra e mjekësisë ligjore të qarkut mbrëmjen e së enjtes (me orën lokale). Ndërkohë, në qiellin e nxirë nga tymi i Los Anxhelosit, dhjetëra avionë dhe helikopterë zjarrfikës po hidhnin vazhdimisht ujë ose shkumë retardante ditën e djeshme për të mbajtur nën kontroll flakët që janë ndezur në pjesë të metropolit të Kalifornisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë ujin, pasi rezervuarët po zbrazen dhe zjarrfikësit tashmë po i drejtohen pishinave dhe shatërvanëve për të rifurnizuar.
"Unë kurrë nuk kam parë kaq shumë zjarre në të njëjtën kohë”, tha për AFP Albert Azuz, piloti i një helikopteri. Duke punuar për një linjë ajrore private që nga viti 2016, Albert Azuz ka parë shumë zjarre. Ai kujton veçanërisht ato që përfshinë qytetin banjë të Malibu, në perëndim të Los Anxhelosit, gjashtë vjet më parë.
“Ishte çmenduri”, tha ai dhe shtoi se ato ishin zjarret e këqija, por si tani kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e SHBA-ve.
Ndërsa Canadair dhe helikopterë të shumtë u vendosën pranë Calabasas, një zonë e shtrenjtë plot me shtëpi pushimi multimilionerësh në perëndim të Los Anxhelosit, ku një zjarr shpërtheu mbrëmë. Gjashtë helikopterë operuan në këtë zonë për të hedhur ujë mbi flakët. Po ashtu, avionë të tjerë të vegjël vepronin si udhërrëfyes për avionin e madh me tanke plot me shkumë retardante, të cilat bënin pika për të ndaluar përhapjen e zjarreve. Disa avionë, duke përfshirë helikopterë të modifikuar Boeing Chinook të aftë për të hedhur deri në 10,000 litra ujë, u dërguan nga Kanadaja. Megjithatë, kur shpërthimet e para të zjarrit shpërthyen në Los Anxhelos të martën, absolutisht asnjë avion nuk ishte në gjendje të operonte: erërat e forta po frynin deri në 100 milje në orë.
Tani, avionët dhe helikopterët zjarrfikës mund të veprojnë dhe janë një armë absolutisht e nevojshme në betejën me flakët. Dje, helikopterët kanë bërë qindra ulje. Pas perëndimit të diellit, të gjithë avionët e aftë për të operuar gjatë natës vazhduan fluturimet, të paktën për aq kohë sa erërat lejuan. Megjithatë, Super Scooter, avioni amfib zjarrfikës i Canadair, i aftë për të hedhur qindra litra ujë në të njëjtën kohë, u bllokua në tokë për shkak të një përplasjeje me një dron.
Aksidenti nuk shkaktoi asnjë lëndim, por avioni zjarrfikës ka një vrimë në krah dhe do të ketë nevojë për riparime që nuk janë të qarta për sa kohë, sipas informacioneve nga mediat amerikane, por Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi se kishte filluar një hetim dhe paralajmëroi se kushdo që dërgon mjete ajrore pa pilot në zonat ku zhvillohen operacionet e shuarjes së zjarrit përballet me një vit burg. /ZËRI