MALI I ZI- Këtë të premte do të mbahet Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Në këtë samit, liderët europianë riafirmojnë partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Takimi do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në Samit do të marrin pjesë gjithashtu Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Liderët do të diskutojnë mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti, me temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, do të shërbejë gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Programi i samitit nis me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Më pas do të zhvillohet seanca plenare e samitit, ku liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta europiane dhe rajonale.
Axhenda
-11:00 Mbërritjet
-12:00 Seanca plenare
-13:30 Foto familjare, pushim i shkurtër kulturor
-14:00 Dreka
-Rreth orës 15:30 konferencë për shtyp nga Presidenti Costa, Kryeministri Milatović and Presidentja von der Leyen
-16:00 Daljet dhe deklaratat për shtyp