Politikë

'Socialistët e vërtetë janë mes qytetarëve, jo në antimitingje'! Kush janë figurat e PS kundër Ramës: Duhet zhbërë ky sistem

Ish-ministrja deklaron se “socialistët e vërtetë” nuk gjenden në antimitingjet e thirrur nga qeveria, por në krah të të rinjve që protestojnë për dinjitet dhe drejtësi sociale.

F.I
'Socialistët e vërtetë janë mes qytetarëve, jo
Ditmir Bushati dhe Arta Dade

TIRANË-Teksa kanë kaluar 12 ditë nga protestat masive që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit është thyer heshtja edhe nga figura politike të Partisë Socialiste. Tubimet rradhazi janë komentuar edhe nga socialistët, ku përveç atyre që renditen krah pretendimeve të kryeminstrit Edi Rama ose zgjedhin mos të komentojnë, ka nga ata që kanë shprehur mbështetjen ndaj qytetarëve.

Ish-ministrja e Jashtme socialiste, Arta Dade ka dalë hapur në mbështetje të protestave qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë ku kërkohet largimi i Edi Ramës. Dade shprehet se Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. Ish-ministrja deklaron se “socialistët e vërtetë” nuk gjenden në antimitingjet e thirrur nga qeveria, por në krah të të rinjve që protestojnë për dinjitet dhe drejtësi sociale.

Reagimi i Arta Dades: 

Sot, socialistët e vërtetë, ata që u rritën me idealet e drejtësisë shoqërore, nuk gjenden në antimitingun e thirrur “nga lart”. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet. Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë partia e kundër-protestave të organizuara me administratë dhe presion. Ajo lindi si avangardë e ndryshimit dhe ka ditur të jetë edhe në vitet më pas, në krye të çdo kthese historike të vendit. Ai shesh që kërkon të mbushë sot zoti Rama nuk përfaqëson historinë e saj, por tjetërsimin e saj.

Vendi im sot është aty ku kam qenë gjithmonë dhe e di që sot flas në emër të çdo socialisti që nuk e ka shitur kujtesën. Socialistët e vërtetë kanë qenë në krye të përballjeve në vitet më të errëta të tranzicionit, në ’92, në ’94, në vitin tragjik ’97, dhe në atë 21 Janar të përgjakur që pasoi krimin shtetëror të Gërdecit. Kemi qenë aty përballë Sali Berishës dhe regjimit të tij. Tragjedi është se ai sistem që luftuam nuk u shkatërrua. Ai u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së. Refuzimi im i sotëm është ndaj tij dhe ndaj antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës, të cilat i përkulen vetëm parasë e pushtetit, dhe harrojnë gjakun e derdhur në bulevard.

Z.Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi, për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore. Ndaj ​kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës. Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund.

Asnjë forcë tjetër politike në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka bërë më shumë për shtetformimin dhe progresin sesa Partia Socialiste. Por së fundmi, në trupin e kësaj partie janë rritur tumore të rrezikshme, korrupsioni galopant, klientelizmi dhe së fundmi arroganca e pushtetit absolut. ​Diferenca historike e PS-së ka qenë aftësia e saj për vetëkorrigjim. Socialistët e vërtetë janë vetëpastruar përmes vullnetit, idealeve dhe zërit kritik, jo përmes duartrokitjeve servile nëpër anti mitingje të rreme. ​Në këtë ndarje të madhe epokale, është e dhimbshme dhe zhgënjyese të shohësh disa ish-përfaqësues të Partisë Socialiste, njerëz me të cilët kemi ndarë beteja të vështira, që sot do rreshtohen në atë antimiting. Të vjen vërtet keq për rënien e tyre morale. ​Është e trishtueshme të konstatosh se si këto figura që dikur kishin zë, sot pranojnë të përdoren si dekor, të nxitur nga interesa të vogla, meskine të çastit.

Nuk përfaqësojnë më asgjë veçse kompromisin e tyre personal me të keqen. Duke pranuar të bëhen mburojë e korrupsionit, ata kanë dorëzuar dinjitetin e tyre përpara historisë së kësaj partie, duke zgjedhur të jenë në anën e gabuar të sheshit dhe të kohës. Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një shpallje platforme për të rikthyer shtëpinë ideologjike të së majtës te njerëzit. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat.

Ora e këtij rikthimi ka trokitur!

Edhe ish-ministri i Jashtëm dhe ish-drejtuesi politik i qarkut Shkodër, Ditmir Bushati ka mbështetur protestuesit, teksa i cilëson si “protestat e dinjitetit”. Bushati shprehet se Partia Socialiste duhet të reflektojë mbi situatën politike në vend dhe të kërkojë ndjesë për gabimet e bëra gjatë qeverisjes, duke theksuar se “partneriteti mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar duhet zhbërë”. Bushati ndalet te transformimi që sjell pushteti i gjatë, duke folur për një sistem ku pushteti politik, media, oligarkia dhe krimi i organizuar janë shndërruar në hallka të të njëjtit zinxhir. Sipas tij, atdheu ka nevojë për një shkundje të fortë dhe për zhbërjen e këtij mekanizmi të instaluar ndër vite.

Ndër reshta ai citon fjalët e At Gjergj Fishtës se: “Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia. Duhet nder, dije, urti, burrni. Qe se çka duhet”!

Reagimi i Ditmir Bushatit:

PËR NJË SHQIPËRI TË RE

Protestat e pazakonta në Shqipëri dhe në disa qytete të botës ku jetojnë shqiptarë, mund të përkufizohen si “protestat e dinjitetit”. Për të perifrazuar filozofin francez Pierre Lévy, Tirana po shfaqet para botës si një “qytet inteligjent” ku njerëzit nuk grupohen rreth një partie politike apo një pushteti që nuk i përfaqëson, por rreth disa vlerave e shqetësimeve të përbashkëta që shkojnë përtej bindjeve politike, në kërkim të një Shqipërie të re.

Ajo që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore shpejt u shndërrua në diçka më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë. Protesta po dëshmon se politika e së ardhmes po kuptohet më mirë nga ata që aktualisht janë jashtë politikës.
Përgjatë viteve të tranzicionit kemi parë se si asetet më të çmuara të vendit janë dorëzuar nga lart tek një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët e zakonshëm dhe komunitetet vendore ‘informohen’ vetëm kur vendosen gardhet dhe mbërrijnë betonierat.
Tirana dhe vija bregdetare adriatiko-joniane është pamja më kontrastuese dhe përjashtuese e të ashtuquajturit model zhvillimor të vendit që nuk ka lidhje me modelin europian të kohezionit shoqëror e as me respektin për trashëgiminë e përbashkët.

Dominimi i pakufizuar i të mirave publike e ka thelluar kontradiktën midis mundësive të krijuara nga ekonomia e tregut dhe përvetësimit nga një pakicë poseduese e pushtetit ekonomik dhe politik. Shoqëria sot është më e ndarë se kurrë nga pabarazitë e thella midis atyre që grumbullojnë pasuri dhe pushtet dhe atyre që luftojnë çdo ditë për të jetuar me dinjitet, ose thjesht për të mbijetuar. Ky nuk është një zhvillim i natyrshëm i kapitalizmit. Por rezultat i një partneriteti të kalcifikuar mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.

Flamingot janë simbol i zemërimit të grumbulluar ndaj trajtimit të atdheut si plaçkë dhe jo një protestë kundër zhvillimit të vendit. Një protestë kundër një modeli të pamëshirshëm në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm. Të parëve duke ua ngrënë kontributin. Të dytëve duke ua rrënuar trashëgiminë.

Ndaj, kërkohet një reflektim politik dhe veprim i vërtetë. Para së gjithash, nga Partia Socialiste. Mohimi i realitetit, tallja me protestuesit, përqendrimi tek numrat e pjesëmarrjes, rendja pas teorive konspirative, akuzat për fqinjët apo mediat prestigjioze ndërkombëtare, duke anashkaluar thelbin e zemërimit popullor që ka vërshuar rrugëve, u ngjajnë lojës me zjarrin, dhe vendosin në pikëpyetje të ardhmen e Shqipërisë.

Trembëdhjetë vjet më parë, teksa mbyllnim fushatën zgjedhore të 2013-ës, në Shkodër, Edi Rama dhe Partia Socialiste u zotua para shqiptarëve se do t’u jepte fund fenomeneve gërryese të tranzicionit, duke jetësuar fjalët e At Gjergj Fishtës se: “Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia. Duhet nder, dije, urti, burrni. Qe se çka duhet”!

Mbi këtë zotim të thjeshtë por të fuqishëm u kërkuam shqiptarëve besimin për të qeverisur dhe jo sunduar. Zotimin se do të ishim një parti e ideve dhe idealeve, dhe jo e pushtetit si qëllim në vetvete. Se do të punonim për drejtësinë shoqërore, shtetin e së drejtës dhe përfaqësonim interesat e shumicës. Se do të ishim një parti që do të matej me pritshmëritë e qytetarëve dhe jo me shfrytëzimin e dobësive të kundërshtarëve. Një parti dhe qeverisje e dallueshme për vizionin, pluralitetin e ideve dhe personaliteteve politike dhe jo një parti që asfikson mendimin, narrativën dhe veprimin politik.

Protestat e këtyre ditëve janë pasqyra më e qartë se nuk u kemi qëndruar besnikë parimeve e zotimeve të mësipërme. Censura në mediat kombëtare dhe transmetimi i protestës fillimisht vetëm në News24, rrjete sociale e më pas nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, më solli ndër mend gjendjen e vështirë të vitit 1990 dhe ngjarjet tragjike të viteve 1996-1997, ku mund të informoheshim për çfarë ndodhte në Shqipëri vetëm përmes Zërit të Amerikës, BBC dhe gazetës Koha Jonë.
Ndaj është e domosdoshme të dilet nga gjendja e mohimit, të kërkohet ndjesë për gabimet, e të reflektohet për çfarë duhet bërë për të mos humbur arsyen pse ekzistojmë, trashëgiminë dhe kontributin e pamohoueshëm të PS-së, që prej themelimit të saj, në drejtim të punëve të vendit.

PUSHTETI SI QËLLIM NË VETVETE

Partitë politike nuk dështojnë vetëm kur humbasin zgjedhjet. Por edhe nga shpërfillja e rregullave demokratike të lojës, përqendrimi i madh i pushtetit dhe njehsimi me shtetin. Fitoret e zgjedhjeve janë bekim për çdo forcë politike kur shoqërohen me demokratizimin e tyre dhe të shoqërisë. Por qëndrimi i gjatë dhe personalizimi i pushtetit krijon iluzionin se modeli funksionon, se llogaridhënia dhe korrigjimet nuk janë të nevojshme, se personalitetet politike mund të zëvendësohen nga besnikëria e kartonëve, se militantët dhe qytetarët do të vazhdojnë të besojnë pafundësisht, në kushtet kur kundërshtari politik është i dobët. Pikërisht këtu fillon rrëshqitja.

Një nga transformimet më të rrezikshme që ndodh në jetën politike nuk është kapja e shtetit nga një parti, udhëheqës apo një grup oligarkësh. Është diçka më delikate se kaq: momenti kur shteti fillon të përvetësojë logjikën e tyre dhe ato fillojnë të përvetësojë logjikën e shtetit. Në fillim, ky proces duket i padëmshëm. Kufijtë mes interesit të shtetit dhe pushtetit bëhen më pak të dallueshëm. Ajo që në fillim paraqitet si stabilitet shndërrohet në sundim. Pushteti konsiderohet si gjendja e natyrshme e gjërave. Media kombëtare del jashtë misionit të saj dhe konsiderohet si levë e pushtetit. Synimi nuk është që të binden njerëzit për të vërtetën e narrativës së pushtetit, por të prodhohet ligështim, cinizëm, të rraskapitet mendimi kritik dhe të krijohet një ndjenjë pafuqie te njerëzit.

Energjitë përqendrohen te mënjanimi dhe përjashtimi i bashkëpunëtorëve që mendojnë ndryshe. Pushteti kthehet qëllim në vetvete në kurriz të cilësisë së qeverisjes. Korrupsioni gërryen çdo sferë të vendimmarjes. Demokracia, pluralizmi dhe sundimi i së drejtës në ekonomi minohen. Boshti i vlerave programatike dhe idealeve rreth të cilit grupohen njerëzit në parti zëvendësohet me kundërshtarët e dikurshëm dhe oportunistët, të cilët, përfaqësojnë sot pushtetin, më shumë sesa socialistët. E gjitha i ngjan një loje tregu dhe jo logjikës demokratike. Pikërisht ky është kurthi para nesh.

Ne shqiptarët nuk kemi vuajtur nga mungesa e udhëheqësve të pushtetshëm, por nga mungesa e burrështetasve të mençur e patriotë që sakrifikojnë pushtetin për shtetin. Që nuk bëjnë pirueta diplomatike në funksion të mbijetesës politike, duke vendosur në rrezik sigurinë kombëtare. Momentet më të arta të historisë sonë janë të lidhura me përpjekjet e përbashkëta për t’iu nënshtruar rregullave të demokracisë. Demokracia nuk ndërtohet mbi idenë e pushtetit të përhershëm. Por mbi idenë e kufizimit të pushtetit në të gjitha nivelet.

Kur pushteti personalizohet tejskashmërisht, tundimi më i madh nuk është abuzimi me të. Por normalizimi i gjithçkaje. Normalizimi i idesë së barazimit të udhëheqësit me shtetin. Normalizimi i idesë se kritika ndaj pushtetit është kritikë ndaj vendit. Normalizimi i idesë se kundërshtimi është pengesë dhe jo kontribut. Normalizimi i idesë se çdo segment i shoqërisë duhet të funksionojë në harmoni dhe në shërbim të pushtetit. Asnjë prej këtyre proceseve nuk ndodh brenda natës. Pikërisht për këtë arsye janë të vështira për t'u identifikuar në kohë. Ato nuk paraqiten si devijime spektakolare. Përkundrazi, paraqiten si zgjidhje praktike të mbështjella me shije estetike.

Megjithatë, eksperienca botërore tregon se rezultati është pashmangshmërisht i njëjtë: shoqëria fillon të organizohet rreth nevojave të pushtetit dhe jo pushteti rreth nevojave të shoqërisë. Në këtë pikë keqpërdorimi i pushtetit pushon së qeni një seri rastesh individuale dhe fillon të bëhet simptomë e një problemi më të madh. Ai nuk lind sepse papritur shfaqen njerëz me vese që nuk i rezistojnë tundimit të pushtetit apo hanë “dardha pas shpine”. Por sepse mekanizmat politikë që duhet ta frenojnë janë shkallmuar nga pushteti. Rreshtimi vlerësohet më shumë se integriteti. Nxjerrja e përgjegjësive politike dhe garantimi i integritetit të detyrës publike konsiderohen herezi. Lojtarët ndryshohen. Popullit tentohet t’i hidhet hi syve përmes proceseve gjyqësore që ngjajnë me episodet e Netflix. Ndërkohë, loja e zakoneve të vjetra vijon e patrazuar. Për t’u ndarë nga kjo gjendje është e domosdoshme të sigurohet ndarja e shtetit nga pushteti. Është gjithashtu e rëndësishme të rizbulojmë togfjalëshin e harruar “ne”. Si në vendimmarrje ashtu edhe në shpërndarjen e pasurisë dhe pushtetit politik në dobi të popullit.

E KEQJA MË E VOGËL DHE JO ALTERNATIVA MË E MIRË

Në vitin 2005 Edi Rama paralajmëronte se Partia Socialiste kishte gabuar kur ishte matur me dobësitë e kundërshtarit të atëhershëm në opozitë dhe jo me pritshmëritë e qytetarëve. Ishte një mësim i vlefshëm atëherë. Është një mësim edhe më i vlefshëm për situatën e krijuar sot.
Një parti serioze duhet të matet me pyetjen më të vështirë nga të gjitha: a po e përmirësojmë jetën e njerëzve aq sa ata presin prej nesh?

Që prej vitit 2019 kur opozita u fut në një spirale vetëshkatërruese, pushteti përvetësoi logjikën e tregut në politikë. Duke marrë kundërshtarët e deridjeshëm e duke i graduar në funksione të ndryshme të pushtetit. Prej një kohe të gjatë socialistët nuk janë pjesë e vendimmarrjes.

Distanca mes socialistëve dhe pushtetit është më e madhe se kurrë. Në parti nuk zhvillohet asnjë debat programor, asnjë llogaridhënie për kostot shkaktuar vendit, asnjë garë e konsultim, por vetëm aktivitete me skenarë dhe regji të përqendruar.
Reagimi i socialistëve në ceremoninë për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, përveçse shprehje respekti për një periudhë ku në Partinë Socialiste mbizotëronte një frymë demokratike dhe garë, e cila i dha vendit ekuilibër politik dhe paqe sociale në momente kritike, ishte edhe një shprehje frustrimi me gjendjen e tanishme.
Në Partinë Socialiste ka humbur liria për t'u dëgjuar. Sepse demokracia e brendshme nuk është e drejta për të folur.

Demokracia e brendshme është e drejta për t'u dëgjuar.
Partitë që dëgjojnë vetëm duartrokitjet humbasin aftësinë për të kuptuar realitetin.
Partitë politike nuk janë krijuar për të mbajtur pushtetin. Por për të ndryshuar shoqërinë përmes vizionit qeverisës. Kur ky raport përmbyset, kur energjia më e madhe investohet në ruajtjen e pushtetit dhe jo në prodhimin e jetësimin e ideve, partia mund të duket e fortë organizativisht për shkak të njehsimit me shtetin, por e dobët politikisht.

Kjo është arsyeja pse për një kohë të gjatë nuk kemi një përgjigje bindëse për rrëshqitjen e standardeve demokratike; për shtresën e mesme që ka vite që ndjen trysninë e parasë së pisët në ekonomi; për pabarazinë e përjashtimin shoqëror; për ndikimin e teknologjisë në sistemin demokratik dhe tregun e punës; për raportin e drejtë mes punës e kapitalit; për raportin mes qendrës dhe periferisë; për ekonominë e bllokuar në një model të vjetruar produktiv; për punëtorët dhe sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm që luftojnë çdo ditë për mbijetesë; për strehimin që është bërë një ëndërr e largët dhe e paarritshme e shumicës së familjeve shqiptare; për spekulimet me çmimet dhe qiratë e pronave që pengojnë çiftet e reja të kenë një shtëpi, të rrisin fëmijë dhe të jetojnë me dinjitet. Dhe e gjithë kjo në një kohë kur braktisja e vendit përbën një kërcënim serioz për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj, sfida e madhe shoqërore sot nuk është vetëm rritja ekonomike përmes ndërtimtarisë e turizmit, por garantimi i një jete me dinjitet pa presionin e vazhdueshëm të mbijetesës.

NEVOJA PËR NJË RIPËRTËRITJE DEMOKRATIKE

Shqipëria ka nevojë për një ripërtëritje demokratike. Si përgjigje ndaj zhgënjimit, zemërimit, korrupsionit të projekteve pa krye kombëtare dhe shoqërore, padrejtësisë, pabarazisë dhe krizës së vetë demokracisë. Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm.Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Shqipëria ka nevojë për një plan demokratik që siguron ndarjen e shtetit nga pushteti, rregulla loje të barabarta dhe institucione demokratike. Garancia më e mirë për këtë është vigjilenca dhe bashkëveprimi qytetar.

Shqipëria ka nevojë për një të majtë me vizion të ri, të guximshme e me shpirt që u paraprin nevojave të shoqërisë. Për një të majtë që përqafon një patriotizëm të ri të lidhur në mënyrë të pandashme me drejtësinë sociale. Një patriotizëm që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Që vendos kufij mbi oligarkinë dhe mbron interesin publik. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, solidariteti dhe kohezioni social.

Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje dhe zhbërje të partneritetit mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.
Sistemi ynë politik ka nevojë për një epokë të re që mundëson ripërtëritjen e elitave, përfaqësimin e popullit në vendimmarrje dhe mekanizma parandalues të përqendrimit të pushtetit politik edhe ekonomik. Ekonomia jonë ka nevojë për një plan kombëtar rindërtimi që synon zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Modeli ynë produktiv kërkon riorientim rrënjësor.

Shqiptarët nuk meritojnë të zgjedhin vazhdimisht mes frikës dhe zhgënjimit. Nuk meritojnë të votojnë kundër dikujt. Meritojnë të votojnë për një vizion. Të zgjedhin alternativën që u jep më shumë besim për të ardhmen, por edhe më shumë siguri për të tashmen. Pikërisht këtu duhet të matet e majta e re të cilën unë aspiroj. Me kërkesat e shqiptarëve ndaj nesh. Një e majtë që do të fitonte vendin në histori duke ndryshuar jetën e njerëzve. Nëse harrohet ky mision, do të humbasim diçka shumë më të rëndësishme. Arsyen pse ekzistojmë. Sfida nuk është mbajtja e pushtetit, por të meritosh besimin. Çdo ditë. Nga e para.

Poll

MOS HUMB