TIRANË- Kandidati për deputet në listën e mbyllur të Tiranës për koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet", Zeqir Kordhoni nuk heq dorë nga mandatit. Edhe sot, Kordhoni i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me mandatin e tij. Në letrën dërguar ai shkruan se kërkon që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues. Me këtë vendim, ka shumë pak gjasa që të jetë Adriatik Lapaj personi që do të marrë mandatin për të përfaqësuar zgjedhësit e tij në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
LETRA DREJTUAR KQZ:
I nderuar Z. Celibashi,
Unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni, me numër.... dhe banues në Tiranë, kam kandiduar për koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet" në qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025. Përmes kësaj deklaratë të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallëm fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" ose në emrin tim dhe të marrë në konsiderata vetëm këta deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim.
Me respekt, Zeqir Kordhoni
Ndërkohë që pas publikimit të lajmit për Kordhonin, ka ardhur edhe një reagim nga Adriatik Lapaj. Në një postim në rrjetet e tij sociale, ai shkruan se të gjithë janë angazhuar që ai të mos futet në Kuvend, e fajtor bën vetëm një: Endri Shabanin, aleatin e tij në zgjedhjet e fundit.
"Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon! Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta "të rinjtë", deri dhe te ky që e futa në gji...nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë,"-shkruan Lapaj.
Pasi ka lexuar mesazhin nga aleati i tij, një mesazh i "koduar" ka ardhur dhe nga Endri Shabani. Por edhe pse ka ndarë vargjet e poezisë së Kico Th. Spirit, ajo që nënkupton është e paqartë.
REAGIMI I ENDRI SHABANIT:
Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë.
Në Tiranë, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Ndaj sipas marrëveshjes, duhet që Dajko dhe të gjithë të tjerët të lënë mandatin që në Kuvend të futet Lapaj, por Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës duket se ka plane të tjera. Vendimin tashmë do ta marrë KQZ, por për qarkun e Tiranës, mandatet ende nuk janë ndarë pasi Partia Demokratike ka vendosur që të ankimojë procesin në Kolegjin Zgjedhor./ZËRI