TIRANË- Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu ka zbuluar se një nga lokalet e para që është prishur në Tiranë, në kuadër te aksionit për lirimin e hapësirave publike, ka qenë i vëllait të tij. Lokali ndodhet pranë Bulevardit "Zogu I" në kryeqytet. Ai thekson se kishte vite që paguante taksa, por në fund të fundit ka një filozofi, një mënyrë si trajtohen hapësirat publike.
“Gjithmonë ka pasur ndërhyrje të tilla. Qeveria nuk është ajo që kujdeset për hapësirat publike, e ka pushteti lokal, bashkitë e kanë detyrë. U përmend Lezha dhe unë mendoj se edhe Lezha ka probleme. Lokali i parë që është rrëzuar te bulevardi Zogu i Parë është lokali i vëllait tim, këtu në Tiranë. Ka pas disa vite që paguante taksa, por në fund të fundit ka një filozofi, një mënyrë si trajtohen hapësirat publike. Ka një klauzolë për leje provizore që duhet të rinovohen një herë në vit. Shumica e atyre nuk kanë ardhur për t’i rinovuar. Bashkia nuk mund të lërë leje të përhershme në hapësirë publike. Leje të lehta me rinovim”, është shprehur Pjerin Ndreu.
I ftuar në emisionin "Frontline", kryebashkiaku i PS komentoi dhe aksionin në Theth, ku prej ditësh jane shkatërruar ndërtime qe sipas institucioneve shtetërore janë ndërtuar pa leje.
Sa i përket aksionit të shembjeve në Theth, sipas Ndreut, koha e duhur mund të ishte ajo pas sezonit turistik. Duke komentuar bumin e madh të ndërtmit, Ndreu thotë se shumica e atyre që kanë hyrë në Theth, janë banorë të vjetër, madje sipas tij, shumica e tyre nuk kanë lidhje me shtëpitë e vjetra të Thethit.
“Kam konflikt interesi se Thethi është dashuria ime e pikave malore në Europë. Thethi për mua është diçka që e adhuroj. Jam frekuentues familjarisht i Thethit prej vitesh dhe banorët e Thethit janë më të mirët që kam parë. Nuk janë banorët e Thethit shumica e atyre që kanë hyrë tani në Theth. Janë shumë të tjerë që nuk kanë lidhje me shtëpitë e vjetra të Thethit. Kam frikë se kanë përfituar njerëz në paligjshmëri. Kryeministri u ka thënë që do t’u japë tapitë tokat, të gjitha atyre që kanë paur bujtina, kanë pas një shtëpi. Kisha një vit e sa pa hyrë në Theth, ishte komplet tjetër gjë. Kam ngelur i befasuar nga një bum shumë i madh ndërtimi. Unë mendoj që institucionet që e kanë pasur për detyrë atë punën e kanë pasur përgjegjësinë. Nëse unë shkoj ndërtoj aty dhe nuk më thotë njeri gjë, unë mund të ndërtoj”,- tha Ndreu./ZËRI/