TIRANË- Urdhëri i kryeministrit Edi Rama ka nisur që të zbatohet në të gjithë Bashkitë e vendit. "Qeveritë" lokale në 61 zona të vendit kanë nisur që të shkarkojnë nga detyra të gjithë administratorët e njësive, ndërsa të tjerë kanë shkuar edhe më tej duke larguar nga detyra nënkryetarët e tyre që prej më shumë se 2 vitesh u shërbejnë. Dje aksioni nisi në Durrës, Elbasan, Librazhd dhe në Bashki të tjera, por vijon edhe sot. Një valë shkarkimesh po zhvillohet nga Jugu në Veri të vendit, por ka hasur probleme në një prej Bashkive. E këtu nuk bëhet fjalë për një Bashki të opozitës. Nëse në Sarandë dhe Delvinë, urdhëri i Ramës është zbatuar, probleme ka hasur në Konispol.
Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij. Sipas "ReportTV", refuzimi i tij ka nxitur edhe një përplasje me kreun e qeverisë që me rastin e mosbindjes, ka kërkuar dorëheqjen e tij nga detyra.
Sarandë&Delvinë
Vala e dorëheqjeve dhe shkarkimeve ka prekur të gjithë drejtorët e Bashkisë së Sarandës. Në Bashkinë e Delvinës, është regjistruar një dorëheqje e plotë e strukturës drejtuese, ku nënkryetarët, administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur zyrtarisht largimin e tyre nga detyra.
Konispol
Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij. Burime për Report tv bëjnë me dije se kryebashkiaku i kësaj bashkie, Ergest Dule, ka refuzuar që të shkarkojë drejtorët e tij, madje për këtë situatë ka pasur dhe një debat me kryeministrit. Sipas të njëjtit burim, Dule mësohet të ketë thënë që drejtorët e tij janë të rinj dhe të aftë për punë, ndërkohë që kreu i qeverisë i ka vendosur ultimatum duke i thënë: Jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon! Deri më tani, në këtë bashki mësohet se janë dorëhequr vetëm dy nënkryetarët si dhe administratorët.
Finiq
Ndryshe nga të gjithë të tjerët, Romeo Çakuli, kryebashkiaku i Finiqit ka gjetur hapësirën për të bërë batuta dhe humor. Kur kryeministri Edi Rama i kërkoi dorëheqjen kolektive të të gjithë drejtorëve vendorë, Romeo Çakuli ia ktheu me humor duke i thënë: Do i shkarkoj dhe do i rikthej pas një jave! Nuk dihet sesi është marrë kjo batutë nga Rama.
Vlorë&Selenicë
Në Bashkinë e Selenicës kanë dhënë dorëheqjen 5 administratorët e njësive administrative. Dorëheqjet e tyre tashmë janë protokulluar nga Bashkia e Selenicës. Ndërkohë urdhëri pritet që të zbatohet edhe në Bashkinë e Vlorës, aty ku deri më tani janë konfirmuar të dorëheqjet e të gjithë drejtuesëve të institucioneve në varësi të pushtetit vendor.
Divjakë&Lushnje
Edhe në Divjakë kanë dhënë dorëheqjen nënkryetari i institucionit si dhe tre drejtues të njësive administrative. Edhe në Bashkinë e Lushnjes kanë dhënë dorëheqjen 13 drejtorë, 10 drejtues të Njësive Administrative dhe 5 drejtues të rajoneve të qytetit të Lushnjes.
Vau i Dejës
Edhe në Vaun e Dejës, kryebashkiaku Kristian Shkreli ka marrë në zyrën e tij dorëheqjen e tre nënkryetarëve, 5 administratorëve dhe të gjithë drejtorëve të Bashkisë.
Ndërkohë që përveç Konispolit, urdhëri i Ramës nuk është zbatuar në asnjë prej Bashkive që administrohen ngë kryetarë që agruan në zgjedhje me logon e Partisë Demokratike. Kavaja, Hasi, Mirdita, Fushë Arrëzi dhe të tjera kanë vendosur që të vendosin dhe të vlerësojnë vetë punën e vartësve të tyre. Po ashtu, në pritje të matjes së përformancës është edhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo. Pas mbledhjes me Ramës, ai u tha mediave se të drejtorët dhe nënkryetarët janë ende të rinj në detyrë, ndaj dhe kërkon më shumë kohë që të vlerësojë punën e tyre në terren. Ndërkohë shkarkime nuk ka pasur as nga Bashkia e Tiranës, e cila tashmë drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani për shkak se që nga muaji shkurt, Erion Veliaj është në qeli.
Bashkia Krujë
Ultimatumi i kryeministrit Edi Rama është zbatuar edhe në Bashkinë e Krujës, ku drejtorët dhe administratorët e Njësive kanë dhënë dorëheqjen. Bëhet me dije se administratorët e njësive administrative Fushë Krujë, Cudhi, Thumanë, Bubq dhe Nikël, dy nënkryetarët dhe drejtuesit e drejtorive, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre tek kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi. Përmes këtij do të vlerësohet performanca në punë e secilit, nga një grup pune që kryesohet nga Kryetari i Bashkisë.
Bashkia Përmet
Vala e dorëheqjeve ka mbërritur edhe në Përmet, ku 5 administratorë të Njësive kanë paraqitur këtë të martë dorëheqjen nga detyra. Dorëheqjet janë bërë nga administratorët e njësive Përmet, Çarçovë, Frashër, Petran dhe Piskovë./ZËRI