TIRANË-Debati për lumin Ibër ka sjellë replika të vazhdueshme mes Tiranës dhe Beogradit, këtë herë mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë, Ferit Hoxha dhe Marko Gjuriç.
Ministri Ferit Hoxha i është përgjigjur homologut të tij serb, Marko Gjuriç lidhur me Ibrin duke theksuar se e ardhmja e rajonit nuk qëndron te kërcënimet e akuzat, por te dialogu. Hoxha thekson se Shqipëria do të reagonte njëjtë edhe nëse dikush do të kërcënonte të privonte Serbinë.
Deklarata e plotë:
E vlerësoj tonin më të qetë të përmbylljes së mesazhit të Marko Djuric, sepse pikërisht aty qëndron e ardhmja e rajonit tonë: jo te kërcënimet dhe akuzat, por te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik. Dhe kjo na rikthen te pika ku filloi kjo bisedë. Uji.
Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon harta politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të një kufiri po rrjedh. Prandaj, kthimi i tij në një instrument ndëshkimi nuk është thjesht çështje e dikujt tjetër.
Pra, po, Ibri nuk rrjedh nëpër Shqipëri. Por nëse nesër dikush do të kërcënonte ta privonte Serbinë nga uji që rrjedh përmes territorit të tij, Shqipëria do të reagonte po aq fuqishëm. Jo sepse ai ujë do të përfundonte disi në Shqipëri, por sepse një kërcënim i tillë do të helmonte bashkëjetesën paqësore të kësaj lagjeje që të gjithë e ndajmë.
Për këtë janë fqinjët, apo jo? Jo për të llogaritur nëse uji arrin te rubineti i tyre përpara se të vendosin nëse u intereson, por për t’u interesuar përpara se llogaritje të tilla të fillojnë të përcaktojnë lagjen ku jetojmë.
Prandaj, ndoshta mund ta lëmë këtu hidrologjinë dhe të biem dakord për diçka më të thjeshtë. Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime, dhe kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen.
Sa u përket të gjitha gjërave “të Mëdha” që janë sjellë në këtë diskutim, Shqipëria mbetet e interesuar vetëm për një: një Bashkim Europian më të madh, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit tonë. Edhe dyert dhe linjat tona telefonike janë tërësisht të hapura, ashtu si edhe mendjet tona, kur bëhet fjalë për të ndërtuar më shumë shembuj konkretë të asaj që shqiptarët dhe serbët mund të arrijnë së bashku.
Pra, le të vazhdojmë me më shumë Europë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes, në vend që ta shohim të ardhmen tonë përmes syve të së kaluarës.
Dhe, po, ujë për të gjithë. Për ta pirë në paqe dhe për të ujitur, po aq paqësisht, tokat pjellore të lagjes sonë të përbashkët e të bukur.
Më herët, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Rama. Përmes një postimi në "X", ministri serb kundërshton përfshirjen e Shqipërisë në debat, duke argumentuar se Ibri nuk hyn në territorin shqiptar dhe se Shqipëria nuk është shtet breglumor i këtij lumi.
Në përfundim të reagimit, ministri serb kërkoi që çështjet mes shqiptarëve dhe serbëve të trajtohen përmes dialogut dhe ftoi Ramën dhe Hoxhën të lënë pas “diplomacinë e altoparlantëve”.
Deklarata e plotë:
Një përpjekje e kuruar verore për ta ndryshuar temën.
Në fakt, po flasim për lumin Ibër vetëm për një arsye: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa respektuar procedurat ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga pronat, qasja dhe mjetet e tyre të jetesës përmes veprimeve që janë qartësisht diskriminuese mbi baza etnike.
Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore.
Kryeministri Edi Rama ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës serbe që po ndodh pikërisht tani.
Meqë është përmendur gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.
Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk i jep statusin e shtetit breglumor një vendi përmes afërsisë etnike. Çdo shqetësim legjitim duhet të trajtohet nga palët drejtpërdrejt të interesuara, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe mbi bazën e fakteve, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë të shteteve breglumore.
Qëndrimi i Serbisë për Kosovën dhe Metohinë nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur.
E mirëpres njohjen nga Kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur.
Me lejoni t’i sugjeroj me respekt Kryeministrit Rama dhe Ministrit Hoxha që, sado interesante të jetë, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Popujt tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë të asaj që serbët dhe shqiptarët mund të arrijnë së bashku.
P.S. E gjithë kjo përplasje është krejt e papritur. Le t’i befasojmë të gjithë në mënyrë pozitive duke gjetur më shumë mënyra për t’i kapërcyer dallimet tona.
A polished summertime attempt to change the subject.
— Марко Ђурић (@markodjuric) August 10, 2026
We are actually discussing the Ibar river for one reason alone: Albin Kurti’s government is using this summer to demolish Serbian homes, without due process, along the shores of Lake Gazivode and the Ibar, depriving people of…
Deklaratat e presidentit serb kanë shkaktuar reagime nga pala shqiptare dhe kosovare, ndërsa çështja e Ibrit është bërë pjesë e debatit politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës./ZËRI
