Politikë

"Ç'lidhje ka Shqipëria?" Rama i përgjigjet Vuçiç për lumin Ibër: S'kemi pretendime ndaj territorit serb...Serbia e humbi Kosovën

Përmes një postimi në "X", Rama e cilëson një 'shkëmbim interesant veror mes ministrave të Jashtëm', duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështet Kosovën si shtet të pavarur.

zh.ll
"Ç'lidhje ka Shqipëria?" Rama i përgjigjet
edi rama-aleksander vucic

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, si dhe çështjen e Kosovës.

Përmes një postimi në "X", Rama e cilëson një 'shkëmbim interesant veror mes ministrave të Jashtëm', duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështet Kosovën si shtet të pavarur. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës kanë Republikën, institucionet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis”, shkruan Rama.

Duke u ndalur të lumi Ibër, Rama thekson ai është një sistem ujor ndërkufitar dhe se Serbia mund të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por sipas tij, kjo nuk mund të shihet si çështje vetëm e brendshme duke mos marrë parasysh pasojat që mund të ketë për një shtet tjetër.

Postimi i plotë:

Shkëmbim shumë interesant veror mes ministrave tanë të Jashtëm. Ndonëse prisja një përgjigje rreth Ibrit, disi udhëtuam nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, bëmë ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, kaluam nëpër “Kosovë e Metohi”, dhe përfundimisht mbërritëm në muzeun e njohur të ankthit historik serb.

Ekziston një copëz e çuditshme folklori politik në Beograd që duket imune ndaj kohës: sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, menjëherë duhet thirrur “Shqipëria e Madhe”, sikur përsëritja mund ta kthejë një ditë një fantazmë të vjetër në argument të vlefshëm.

Nuk do ta kthejë.

Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një “Shqipëri e Madhe” për të qëndruar pranë Kosovës.

Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kaq: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë kësaj të drejte.

Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb, dhe burimet natyrore që gjenden brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë. Miqtë tanë serbë e dinë këtë shumë mirë, përfshirë sa herë ulemi bashkë rreth tavolinave evropiane.

Pra, kthehemi te lumi.

Çështja fillestare mbetet pikërisht atje ku e la Shqipëria: Ibri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo çfarë nuk mund ta argumentojë me arsye është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen si me magji te kufiri serb.

Kjo, në fund të fundit, është arsyeja pse ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave. Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e bisedës diplomatike.

Është përmendur gjithashtu situata e komunitetit serb në Kosovë. Të drejtat e tyre kanë rëndësi. Siguria e tyre ka rëndësi. Prona, gjuha, trashëgimia kulturore dhe fetare e tyre duhet të mbrohen. Shqipëria kurrë nuk ka pasur vështirësi ta thotë këtë, sepse kjo është thjesht ajo që një shtet demokratik ua detyron qytetarëve të vet.

Dhe këtu arrijmë ndoshta te manovra më argëtuese akrobatike e këtij shkëmbimi: paralajmërimi i Shqipërisë kundër ekspansionizmit etnik, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë i referohesh territorit të një shteti tjetër sovran sikur të ishte ende serb. Është rreth mjaft i vështirë për t’u mbyllur.

Ndoshta funksionon brenda një flluske politike në Serbi. Jashtë saj, gjeometria bëhet më pak tolerante. Dhe po, jam plotësisht dakord që e ardhmja e rajonit tonë duhet të jetë një ku kufijtë humbasin gradualisht fuqinë për të na ndarë. Absolutisht.

Por ka një parakusht të vogël para se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm: pranimi i atyre që tashmë ekzistojnë. Gjeniu i projektit evropian ishte pikërisht ndarja e përkatësisë kombëtare nga oreksi territorial.

Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Shqipëria do të qëndrojë pranë tyre dhe pranë Republikës së tyre sepse ndajmë histori, gjuhë, familje dhe të ardhme, por mbi të gjitha sepse një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet evropian legjitim dhe pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit tonë.

Nuk ka asgjë të fshehtë në këtë qëndrim. Kurrë nuk ka pasur. Asnjë hartë e fshehtë. Asnjë kufi i fshehur. Asnjë “e Madhe” e nevojshme.

Qëndrimi i Shqipërisë, pra, do të mbetet pikërisht i njëjtë publikisht dhe privatisht: e respektojmë Serbinë, duam marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, dhe duam që i gjithë rajoni të jetë brenda Evropës - Serbia në veçanti.

Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të kalojë përgjithmonë në versionin serb të historisë. Ballkani ka paguar tashmë shumë e tepër, në gjak dhe në kohë të humbur, për atë lloj kompromisi. Dhe ndërkohë Ibri, plotësisht i pavetëdijshëm për të gjithë kartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë e jo folklorit.

Çfarë tha Vuçiç për lumin Ibër?

Reagimi i kryeministrit Rama vjen pasi Presidneti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, i cili furnizon me ujë Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm për Kosovën.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç.

Në një prononcim për RTS, Vuçiç e cilësoi këtë çështje si një problem të brendshëm të Serbisë. Ai vuri në pikëpyetje përfshirjen e Shqipërisë në këtë debat.

“Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë. Kemi një problem diku rreth Ribaricit, le të shohim, le të shohim për çfarë bëhet fjalë, dhe pastaj do të shohim”, tha Vuçiç.

Vuçiç pretendoi se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekziston që prej vitit 1985 dhe lidhet me nevojat e banorëve në zonën pranë liqenit. Sipas tij, Serbia po shqyrton projektin dhe ka angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe specialistë për të parë mundësinë e zbatimit të tij. Presidenti serb pranoi gjithashtu se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë në nivelin e ujit të Liqenit të Ujmanit, nga i cili furnizohet Kosova me ujë.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Kemi arsye për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen. Ne jemi një shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi. Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyeteni popullin tonë në Kosovë se te kush e shohin të vetmin mbrojtës, sepse unë i shoh shumë mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Dhe është shumë e vështirë. Ndërsa, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, tha Vuçiç.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së djeshme, për deklaratat e presidentit serb reagoi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ministri Ferit Hoxha shprehu “shqetësim të thellë”, duke theksuar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht e brendshme e Serbisë, pasi bëhet fjalë për një sistem ujor ndërkufitar.

Ministri Hoxha tha se çdo ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit që mund të prekë Kosovën, veçanërisht sa i takon furnizimit me ujë, mjedisit dhe sigurisë, duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pas konsultimeve me palën e prekur.

Sipas Hoxhës 'uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.'

Postimi i plotë:

Shqipëria shpreh shqetësim të thellë mbi deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër.

E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së #UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Shqipëria pret që #Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur.

Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.

Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e #Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.

Ne besojmë fort dhe presim qe çështje të tilla të trajtohen përmes #dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme.

Deklaratat e presidentit serb kanë shkaktuar reagime nga pala shqiptare dhe kosovare, ndërsa çështja e Ibrit është bërë pjesë e debatit politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës./ZËRI

Poll

MOS HUMB