DIMAL- Këtë të hënë është mbledhur Këshilli Bashkiak i Dimalit, ku në mënyrë unanime ka miratuar vendimin për kundërshtimin e shkrirjes së Bashkisë Dimal me Bashkinë e Beratit.
Këshilli Bashkiak argumenton se Bashkia Dimal duhet të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë e qeverisjes vendore. Ndërkohë, pasditen e kësaj të hënë, është pararlajmëruar protesta e tretë.
Sipas draftit të Reformës Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit dhe Bashkia e Dimalit parashikohen të shkrihen dhe t’i bashkohen Bashkisë së Beratit.
Disa ditë më parë, PS u ka dërguar bashkive projektligjin për ndarjen e re administrative, ndërsa në shkresë kërkohet që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të paraqesin mendimin e tyre për propozimin. Bashkitë kanë 60 ditë kohë nga marrja e kërkesës për të organizuar dëgjesa me qytetarët, me qëllim informimin dhe konsultimin e tyre lidhur me propozimin.
Propozimi i Partisë Socialiste për Reformën Territoriale 2.0 ka nxitur protesta në disa prej bashkive që parashikohen të shkrihen, që prej prezantimit të draftit.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI
