TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli këtë të enjte për mediat jashtë Parlamentit mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai njoftoi se gjatë vizitës së tij tre-ditore në Gjermani, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për Reformën në Drejtësi, duke u konsideruar si model për vendet e tjera aspirante.
Sa i përket propozimit të anëtarësimit gradual në BE, sipas Ballës kjo nuk e dëmton Shqipërinë, ndërsa ambicia mbetet mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshirë në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme.
U identifikuan më shumë se 92 hendeqe që duheshin adresuar dhe ‘Themeloret’ në historinë e BE janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin nga Gjermania, thuhet që Shqipëria me reformën në drejtësi, vettingun, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një model për vendet e tjera që aspirojnë. Kjo javë e rëndësishme përmbyllet nesër me Komitetin e Përfaësuesve dhe javën tjetër me Konferencën Ndërqeveritare. Palët politike duhet të kuptojnë këtë moment që lidhet me një qasje të re nga vendet anëtare të BE.
Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar. Ajo që propozon kancelari gjerman ka të bëjë me ratifikimin. Në fund të 2027, mbyllen negociatat. Nga ai moment bëhet gati marrëveshja që shkon për t’u ratifikuar nga vendet anëtare. Nga ai moment, topi është në fushën e tyre. Procesi i ratifikimit është i gjatë, mund të kërkojë përfshirjen e parlamenteve dhe përfshirjen e popullit me referendum”, tha Balla.