Politikë

SHBA dhe BE dënuan aktet e dhunës në Kuvend, Berisha: Salianji nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve

Berisha tha se PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo

E.K
SHBA dhe BE dënuan aktet e dhunës në Kuvend, Berisha: Salianji
SALI BERISHA

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, iu përgjigj ambasadave të SHBA dhe BE, që shprehën shqetësim për aktet e dhunës që u kryen në seancën e djeshme në Kuvend. Berisha tha se PD ka respekt për partnerët ndërkombëtar, por revolta e opozitës lidhej me dënimin e padrejtës sipas tij, të deputetit Ervin Salianji.

“PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo.

Kjo është edhe përgjigjja ime.

Në qoftë se unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtin para dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, përpara burgosjes së një njeriu, i cili edhe njëherë, nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE, për aq sa është Italia një vend kryesor i BE.

Por, edhe për aq sa administrata e SHBA dhe vendeve të tjera është e interesuar për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe luftën kundër kriminalitetit.

Natyrisht unë jam i vetëdijshëm për fuqinë e jashtëzakonshme korruptive, siç është faktuar, të kreut të narkoshtetit.

Por prapë, interesat nuk mund t’i korruptojnë.

Thirrja ime kishte të bënte me interesat e përbashkëta, me vlerat e përbashkëta që ne ndajmë me partnerët. Por secili përcakton qëndrimin e tij”, u shpreh Berisha.

Ambasada e SHBA dhe BE në vendin tonë, dënuan aktet e dhunës në Kuvend, dhe thanë se sjellje të tilla të opozitës janë shqetësuese. Të dyja ambasadat e rëndësishme në vend, bënë thirrje për dialog mes forcave politike, dhe gjithpërfshirje në proceset integruese. /ZËRI

Poll

MOS HUMB