Politikë

Reforma territoriale ndezi debate në Cërrik, këshilli bashkiak kundër bashkimit me Elbasanin

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka, nuk ka mbajtur një qëndrim përfundimtar mbi çështjen, duke deklaruar se procesi duhet të vijojë përmes dëgjesave publike dhe konsultimit me komunitetin.

M.K.
Reforma territoriale ndezi debate në Cërrik, këshilli bashkiak
KESHILLI BASHKIAK CERRIK

CËRRIK- Propozimi për reformën e re territoriale ka shkaktuar reagime në Cërrik, ku këshilli bashkiak ka shprehur kundërshtimin ndaj mundësisë së bashkimit të kësaj bashkie me Elbasanin.

Gjatë mbledhjes së keshillit bashkiak, këshilltarë nga mazhoranca dhe opozita kanë artikuluar kundërshtime ndaj ndryshimit të propozuar, duke argumentuar se shkrirja e bashkisë së Cërrikut mund të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët dhe veçanërisht te aksesi i tyre në shërbimet administrative. Sipas këshilltarëve, largimi i shërbimeve nga komuniteti do ta vrshtirësonte marrjen e tyre nga banorët e zonës. Në diskutime është ngritur gjithashtu shqetësimi se, në një perspektivë afatgjatë, ndryshimi i strukturës administrative mund të ndikojë në shtimin e emigrimit dhe shpopullimit të zonës.

Debatet janë shoqëruar edhe me kritika për mënyrën dhe kohën e zhvillimit të konsultimeve publike. Disa prej këshilltarëve i kanë konsideruar dëgjesat të vonuara, ndërsa është hedhur si propozim edhe zhvillimi i një referendumi lokal, për t’ua lënë vetë banorëve vendimarrjen për të ardhmen administrative të Cërrikut. Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka, nuk ka mbajtur një qëndrim përfundimtar mbi çështjen, duke deklaruar se procesi duhet të vijojë përmes dëgjesave publike dhe konsultimit me komunitetin. Sipas tij, një qëndrim zyrtar do të mbahet pas përfundimit të këtij procesi.

Mbledhja është ndjekur edhe nga deputetët e opozitës, Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja, të cilët kanë kritikuar mënyrën se si po zhvillohet reforma. Ata kanë theksuar se ndryshimet administrative duhet të bëhen vetëm pas një konsultimi real dhe gjithëpërfshirës me banorët.

Në përfundim të mbledhjes, pas diskutimeve dhe debateve mes këshilltarëve, Këshilli Bashkiak i Cërrikut ka votuar me shumicë votash pro zhvillimit të dëgjesave publike me komunitetin, duke hapr kështu fazën e konsultimit me banorët për çështjen e reformës territoriale./ZËRI

Poll

MOS HUMB