Politikë

Himni shqiptar nuk u luajt në Pustec, Rama: Parodi, nuk e ulim veten në vendin e tyre, s’ka mushkë Troje që na lëkund

Kreu i qeverisë në reagimin e tij në platformën X, e cilëson mungesën e himnit shqiptar 'një parodi kuptimplotë'

F.I
Himni shqiptar nuk u luajt në Pustec, Rama: Parodi, nuk e ulim veten
Edi Rama

TIRANË-Mungesa e Himnit Kombëtar shqiptar gjatë hapjes së festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski si edhe kreu i bashkisë së Pustecit Pali Kolefski, ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë në reagimin e tij në platformën X, e cilëson mungesën e himnit shqiptar 'një parodi kuptimplotë e botëkuptimeve tona të ndryshme në këtë cep të Evropës'.

Rama shprehet se Shqipëria minoritet nuk i sheh si statistika, duke argumentuar se komuniteti në Pustec ka statusin e posaçëm si bashki më vete. Kryeministri deklaron se nuk do të ulim veten në nivelin e tyre.

Edi Rama: Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi kuptimplote e botëkuptimeve tona të ndryshme në këtë cep të Evropës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar më parë që të luhej edhe himni shqiptar. Ky himn u injorua dhe më pas kërkoi falje për një gabim që nuk ishte i tiji. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.

Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.

Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.

Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.

Më herët Ministria e Jashtme shprehu keqardhje për incidentin dhe deklaron se mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e mirësjelljes dhe protokollit, pasi ka pasur prezencë të përfaqësuesve të lartë si kryeministri i RMV dhe të zgjedhurit vendorë. MEPJ thkeson se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi.

Poll

MOS HUMB