
TIRANË- Sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama lexoi mesazhin e avokatit të ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi, Dorian Matlijas, ku tregonte se Strasburgu i kishte dhënë të drejtë. Në fjalën e tij, Rama e mori rastin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, si një shembull që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mund të gabojë në masat e sigurisë që cakton. Teksa shtoi se nuk komenton fajësinë apo pafajësinë e personave, Rama lexoi vendimin e Gjykatës së Strasburgut ku shkruhet se ish-drejtori ishte mbajtur në paraburgim duke kapërcyer çdo argument juridik e penal. Kjo pasi për Strasburgun, ai mund të ishte gjykuar edhe në gjendje të lirë për shkak se nuk përbënte as rrezikshmëri, as ishte i arratisur dhe për më tepër ishte treguar bashkëpunues.
Rama: Gjykata e Strasburgut shihni çfarë ka thënë për paraburgimin e ish drejtorit të RTSH, që unë nuk kam marrë kurrë përsipër të them në ishte i fajshëm apo i pafajshëm, sepse ai ka bërë procesin, është dënuar e të tjerë, janë dy gjëra të ndryshme nuk thotë askush mos heto të mos dënojnë ata që kanë futur duart në xhepin e taksapaguesve apo që kanë abuzuar me besimin e zgjedhësve, por ama atje në Strasburg atje ku Evropa do të bëjë pjesë na shikon përmes instrumentit që ka krijuar për të mos e lënë drejtësinë të rrëshqasë përmes Moskës, në emër të ndëshkimit por për ta bërë drejtësinë të barabartë thotë autoritetet shqiptare nuk kishin prova për të mbështetur pretendimin se Gëllçit që përbënte rrezik arratisje, ai u kthye vullnetarisht në Shqipëri, kur pavarësia kthehet në Cartabianka për të shkelur të drejtat e njeriut. Më ka shkruar avokati i Gëllçit, është dënimi edhe për shtetin shqiptar këtu, ‘arrestimet janë bërë bukë e djathë nga SPAK, u intereson më shumë shfaqja me prerje kokash’, iu nderuar avokat e dini kush e ka nisur hetimin në universitetin bujqësor e ka nisur Shërbimi Informativ dhe Policia e Shtetit. Nuk ka degë dhe gjethe afër dhe rreth meje që nëse i ka hyrë miza unë të shmang krasitjen.
Duke qenë se e citoi në retorikën e tij përballë socialistëve, avokati Dorian Matlija ka bërë një sqarim të gjatë lidhur me hapat që "çaluan" në mbrojtjen e klientit të tij. Nisur nga fjala e kryeministrit, i cili nuk ishte dakord që Avokatura e Shtetit të kishte mbajtur qëndrim "pro" Thoma Gëllçit në Strasburg, sepse kishte për detyrë të mbronte shtetin, Matlija shkruan se fakt duhet të ndodhë e kundërta.
"Si fillim, Avokatura e Shtetit varet nga Kryeministri. Po të ishte ndryshe do varej nga Kuvendi. Avokatura e Shtetit në gjyqet në Strasburg quhet “agjenti qeveritar“ dhe shteti mbrohet nga pushteti ekzekutiv. Nuk mbrohet as nga Kuvendi dhe as nga ndonjë xhep i pushtetit gjyqësor. Qeveria mund të ndodhë që të mos jetë dakord me gjykatat vendase dhe mund të jetë dakord me ankuesin që ka paditur Shqipërinë në Strasburg. Madje, në çdo gjyq atje në Strasburg, Gjykata fton palët që të zgjidhin çështjen me pajtim. Dhe herë pas here ndodh që të arrihet pajtimi. Në këto raste, Avokatura e Shtetit bën një marrëveshje, ose deklaratë të njëanshme ku pranon shkeljet e bëra, si dhe ofron zgjidhje për problemin, duke shtuar edhe një shpërblim dëmi që e merr përsipër vullnetarisht."
Pra sqaron se Avokatura e Shtetit mund të ndodhë që të jetë dakord me një qëndrim kundër Gjykatave të Shqipërisë. Madje shton edhe disa raste të ngjashme. Sipas avokatit, Avokatura e Shtetit në rastet e 21 janarit ra dakord me ankuesit dhe doli hapur kundra gjykatave vendase, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me klientin e tij, Thoma Gëllçin.
"Aty kishte shkelje të hapura të standardeve nga gjykatat shqiptare. Madje Strasburgu i bëri të qarta që nga mënyra se si i shtroi pyetjet për qeverinë. Por Avokaturës së Shtetit nuk iu duk me interes për të rënë dakord me Gëllçin dhe madje e luftoi përmes një morie shkresash e kundërshtimesh, duke bërë të bardhën të zezë e të zezën jeshile, a thua se erdhi dita e qametit që Gëllçi i rrezikshëm mund të transformohej befas në viktimë dhe SPAK në persekutor,"-shton avokati, duke sqaruar edhe më tej, që në nisje "kalvarin" e klientit të tij me drejtësinë.
SQARIMI I AVOKATIT:
Përtej një përgjigjeje Kryeministrit për Thoma Gëllçin, avokaturën sovrane të shtetit dhe ca gjëra të tjera që thuhen në kësi rastesh… Dëgjova sot ligjërimin publik të Kryeministrit, i cili kishte marrë në konsideratë një mesazh publik që postova në faqen time në Facebook. Konkretisht, ai nuk ishte dakord që Avokatura e Shtetit të kishte mbajtur qendrim pro Thoma Gëllçit në Strasburg, sepse fundja, sipas mendimit të tij, Avokatura e Shtetit, si organ sovran që përfaqëson Republikën e Shqipërisë, ka detyrë të mbrojë shtetin dhe se nuk ka çfarë ndikimi të ketë nga qeveria. Mua më ngjau që me këtë rast bëri një devijim nga përgjegjësitë politike të qeverisë në raport me shkeljen e të drejtave të njeriut që raportohen në Strasburg. Në fakt, Kryeministri gabohet, por nuk do ndalem vetëm këtu. Historia ka një përmbajtje dhe një kontekst. Si fillim, Avokatura e Shtetit varet nga Kryeministri. Po të ishte ndryshe do varej nga Kuvendi. Avokatura e Shtetit në gjyqet në Strasburg quhet “agjenti qeveritar“ dhe shteti mbrohet nga pushteti ekzekutiv. Nuk mbrohet as nga Kuvendi dhe as nga ndonjë xhep i pushtetit gjyqësor. Qeveria mund të ndodhë që të mos jetë dakord me gjykatat vendase dhe mund të jetë dakord me ankuesin që ka paditur Shqipërinë në Strasburg. Madje, në çdo gjyq atje në Strasburg, Gjykata fton palët që të zgjidhin çështjen me pajtim. Dhe herë pas here ndodh që të arrihet pajtimi. Madje, është pjesë e mekanizmit “kontrollo e balanco” që është i domosdoshëm. Pra, gjykatat e vendit mund t’ja fusin kot, të shkelin të drejtat e individëve, dhe kur Gjykata e Strasburgut pyet “agjentin qeveritar” (Avokaturën e Shtetit në rastin tonë), kjo e fundit mund të dalë kundër gjykatave vendase dhe pro individit ankues. Në këto raste, Avokatura e Shtetit bën një marrëveshje, ose deklaratë të njëanshme ku pranon shkeljet e bëra, si dhe ofron zgjidhje për problemin, duke shtuar edhe një shpërblim dëmi që e merr përsipër vullnetarisht. Në praktikë, në të paktën tre raste ku unë kam qenë i përfshirë, Avokatura e Shtetit, gjatë kohës së kësaj qeverie, ka ofruar zgjidhje me pajtim. Në rastin Veizi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, në rastin Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, si dhe në rastin Matlija kundër Shqipërisë. Dy të parat kanë lidhje me të drejtat e shkelura të familjarëve të të vrarëve të 21 janarit, dhe e treta ka lidhje me shkeljen e të drejtës për informim që më është bërë mua personalisht nga Kryeministria për një dosje që nuk ma jepnin. Mbase ka edhe të tjera si këto raste. Pse ndodhi që Avokatura e Shtetit në rastet e 21 janarit ra dakord me ankuesit dhe doli hapur kundra gjykatave vendase? Sepse u bind që gjykatat shqiptare kishin shkelur standardet. Ankuesve iu mor përsipër riçelja e hetimeve, si dhe një shpërblim dëmi për andrallat që kishin kaluar për ta çuar çështjen deri në Strasburg. A është e drejtë kjo mënyrë veprimi? Po, është e drejtë dhe e bazuar në Konventë dhe rregulloren e Gjykatës së Strasburgut. Po pse nuk e bënë të njëjtën gjë edhe për Gëllçin? Aty kishte shkelje të hapura të standardeve nga gjykatat shqiptare. Madje Strasburgu i bëri të qarta që nga mënyra se si i shtroi pyetjet për qeverinë. Por Avokaturës së Shtëtit nuk iu duk me interes për të rënë dakord me Gëllçin dhe madje e luftoi përmes një morie shkresash e kundërshtimesh, duke bërë të bardhën të zezë e të zezën jeshile, a thua se erdhi dita e qametit që Gëllçi i rrezikshëm mund të transformohej befas në viktimë dhe SPAK në persekutor. Për ta futur lexuesin pak në kontekst, për habi, Avokatura e Shtetit ishte aty kundër Gëllçit edhe kur ai kërkonte në gjykatën e Tiranës që të hapej gara për Drejtor të RTSH. Për çudi e them sepse RTSH mbrohet zakonisht nga juristët e vet, përveç rastit Gëllçi ku juristëve të RTSH-së iu hoq demonstrativisht autorizimi në mënyrë të paprecedentë për ta kaluar direkt mbrojtjen te Avokatura e Shtetit, e cila as sot nuk arrij dot ta kuptoj pse kundërshtonte hapjen e asaj dreq gare. Asaj gare që si përfundim u hap me urdhër gjykate, por vetëm pak ditë pas arrestimit të Gëllçit që nuk mund të rikandidonte dot nga biruca ku e futën. Ajo avokatura sovrane, qëlloi dy herë kundër Gëllçit, një herë në Tiranë kundër të drejtës së tij për të garuar për drejtor dhe një herë në Strasburg kundër arrestimit pa baza dhe shkeljes së prezumimit të pafajësisë. Ajo avokatura sovrane jo vetëm që nuk duhet parë si sondë jashtëtokësore nga Kryeministri, por duhet, dhe siç e thashë më lart ka ndodhur herë të tjera, të orientohet nga politikat e qeverisë. Aq më tepër kur ajo reklamon që synon BE-në. Aty ku ka shkelje të ligjeve, konventave e standardeve ta pranojë shkeljen dhe të kërkojë marrje masash, e jo të luftojë kot kundër gjithë logjikës së Strasburgut, apo ligjeve tona vendase, kur në fund prapë dihet që do humbasë, por do humbasin edhe ca vite nga jeta jonë. Qeveria dhe Kryeministri i kanë të gjitha mundësitë që të rregullojnë standardet jo andej nga fundi kur vijnë dhimbjet e ardhjes së ndonjë veze, por që kur jepen shenjat e para që ka diçka që nuk shkon. Gëllçi e dha sinjalin që në vitin 2021. Jo një sinjal, por dy. Ai e dha sinjalin në një kohë kur i vetmi rrezik real që përfaqësonte Gëllçi ishte që kishte shndërruar RTSH në një përbindësh që kishte thithur befas shikueshmërinë, kishte shtuar një mori kanalesh të reja, i kishte përpirë konkurencës edhe Champions League, Formula 1, etj., kishte investuar në teknologji të reja në studio, në antena, në programe kompjuterikë e aplikacione telefoni, kishte bërë reformë administrative si dhe transmetonte edhe ca investigime të hidhura. Dikush, ose disa, mbase e donin RTSH-në pa kokë dhe pa Thoma, dhe për ironi e akuzuan pikërisht për arritjet, për hapjen e një kanali të ri, për tenderimin e një teknologjie të re, për blerjen e Champions League, për atë aplikacionin RTSH Tani (i përjetshëm qoftë kujtimi i këtij aplikacioni tashmë të zhdukur), për antenat e riparuara, për mënyrën e menaxhimit kompjuterik të programeve, e shumë të tjera. Akuzat ndaj tij ranë njëra pas tjetrës, por ama efekti i tyre, i shoqëruar me spektaklin e arrestimit në momentin kyç të rikandidimit, bëri që drejtori afatshkurtër i mëvonshëm (i zgjedhur pak ditë pasi Gëllçi u neutralizua me arrestim), mbase i terrorizuar nga çfarë i bënë Gëllçit nuk hodhi ndonjë hap me rëndësi dhe dha dorëheqjen shpejt. Më pas një dretor tjetër afatshkurtër, në dijeninë time u njoh në publik vetëm për shkarkimet nga puna që i bëri një morie profesionistësh. Sot, RTSH është jo vetëm pa drejtor, por edhe pa Këshill Drejtues fare. Sot e ka humbur jo vetëm shkëlqimin e përkohshëm që pati në kohën e Gëllçit, por po i bien edhe ciflat e asaj që ka mbetur. Dhe të mendodh që BE kërkon jo vetëm standarde në drejtësi, por edhe përmirësimin e medias publike. SPAK dhe ajo avokatura sovrane u sollën si ai budallai i dobishëm që me një gur vranë dy zogj të bukur për standardet evropiane. Gëllçit i morën 10 muaj nga jeta në arrest pa standarde, dhe RTSH-së i morën lavdinë që duhej dhe mund të kishte si media publike me standarde. Thoma Gëllçi sot është mirë me shëndet e humor dhe i zgjidh vetë problemet me standardet e arrestimit, por RTSH sot është sëmurë dhe nuk do ishte habi edhe të mbyllej fare. Por, si çdo e keqe që ka një anë të mirë, edhe në këtë rast RTSH e ka akoma një vlerë në rritje dhe kjo është vlera e truallit të godinës.
Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ka fituar çështjen në Gjykatën e Strasburgut kundër shtetit shqiptar, pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK më 8 tetor 2021. Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar mbajtjen e tij në paraburgim me kërkesë të SPAK si të jashtëligjshme, pasi sipas tyre nuk ka pasur prova të mjaftueshme ligjore për të justifikuar paraburgimin për një periudhë prej 7 muaj e 26 ditë.
"Arsyet që justifikonin mbajtjen në paraburgim nuk ishin të mjaftueshme dhe nuk përmbushin standardet e nevojshme ligjore. Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin te pambështetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan "kujdes të veçantë" për hetimin. Sipas Gjykatës se Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gëllëin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova. Duke e konsideruar si një fitore te rëndësishme morale, Strasburgu ofroi një shume simbolike dëmshpërblimi moral, por pa harruar që të ngarkojë mbi shtetin edhe kostot avokatore të Gëllçit. Tani do vijojë beteja ne gjykatat tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane qe e shtrembëroi nevoja revolucionare e SPAK, me mbështetjen e hapur të mazhorances qeverisëse. Për sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykata vëren se argumentet e kërkuesit nuk janë peshuar siç duhet, gjithashtu në dritën e faktorëve që lidhen me karakterin, familjen, e tij. Gjykata vëren më tej se arsyetimi i gjykatave vendase nuk u zhvillua për të pasqyruar situatën në zhvillim dhe për të verifikuar nëse ato arsye mbetën të mjaftueshme në fazën e avancuar të procesit,”-shkruhet ndër të tjera në vendim. Kështu, Strasburgu urdhëroi shtetin shqiptar të paguajë një dëmshpërblim prej 500 eurosh për dëmin jopasuror dhe 5,000 euro për shpenzimet ligjore.
Thoma Gëllçi u dënua me 2 vite burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, për shkak të një abuzimi me tenderin për "RTSH Agro". Por për shkak se iu aplikua gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij u konvertua në 1.4 muaj burg. Ai u lirua nga qelia më 30 gusht 2022./ZËRI