Politikë

Prodhimi i energjisë/ Rama: Në vitin 2030 edhe do e shesim! Spitale me Italinë dhe Emiratet

Në fjalën e tij, Rama tha se tashmë, pas vetëm një dekade në qeverisje, shumë zona të Tiranës kanë drita dhe ujë 24 orë në ditë, ndërsa tek të tjerat 17 orë.

k.m.
Prodhimi i energjisë/ Rama: Në vitin 2030 edhe do e shesim! Spitale me
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në Tiranë me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Krrabë, Bërzhitë, Lagjia 12 të kryeqytetit. I shoqëruar nga Ogerta Manastirliu, Xhemal Qefalia dhe Etjen Xhafaj, Rama foli për ndryshimet e bëra gjatë qeverisjes socialiste, por më gjatë u ndal tek uji i pijshëm dhe tek energjia elektrike.

Në fjalën e tij, Rama tha se tashmë, pas vetëm një dekade në qeverisje, shumë zona të Tiranës kanë drita dhe ujë 24 orë në ditë, ndërsa tek të tjerat 17 orë. Duke dhënë shpjegimin e tij për kritikat, Rama shprehu ambicien se brenda kësaj dekade, Shqipëria do ta prodhojë vetë energjinë që i duhet dhe nuk do të importojë. Përkundrazi, tha ai, edhe do të shesim jashtë.

“Kur erdhëm ne në qeveri një dekadë më parë, në rrugë nuk flisje dot se nuk dëgjoheshe nga zhurma e gjeneratorit. 10% e miletit nuk e paguante energjinë. Sot, për herë të parë kemi një ulje të përgjithshme të energjisë. E ulëm, sepse kemi ndryshuar komplet qasjen dhe përmbajtjen e sektorit. Ndërkohë, janë disa që thonë s’ju vjen turp, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti dritat. Akoma s’e kanë marrë vesh që dritat s’ti jep Zoti, ia jep OSHEE.  Falë marrëveshjes së arritur me Emiratet e Bashkuara Arabe, brenda 2030 energjinë do të prodhojmë të gjithë vetë. Nga 0 që e kemi gjetur, energjia diellore do shkojë mbi 30%. Edhe lufta po të plasë, nuk do të na ndikojë, s’e do e kemi tonën luftën, madje do eksportojmë."

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sistemi i shëndetësisë, duke u shprehur se qytetarët nuk do të kenë nevojë për t’u drejtuar në shtete të tjera për trajtim. Ai tha qeveria ka në plan për ndërtim të spitaleve të reja, me marrëveshje me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara.

A ka probleme shëndetësia jonë? Patjetër, por është në një fazë ku me ndërhyrjet e reja dhe përmbushjen e objektivave të reformës në 2030 do jetë sistem shëndetësor ku do t’ua plotësojë nevojat shqiptarëve. Kemi në plan për spitale të reja të nivelit të lartë dhe me Italinë dhe Emiratet e bashkuara, dhe nuk do ndodhë më që nga halli shqiptarët të shkojnë në Turqi për shërbim, në 2030 do t’i kenë të gjitha këtu. Sepse sot kemi fituar besim të madh tek të tjerët dhe kërkesa për të ardhur dhe investuar në të gjitha sistemet, është e jashtëzakonshme. Ne kemi krijuar 3 mijë mjekë specialistë, kur erdhëm kishte katër vjet që nuk specializohej asnjë njeri,”- u shpreh kreu i ekzekutivit.

PJESË NGA FJALA E RAMËS:

Jam i sigurt që këtu të gjithë kanë, jo vetëm vërejtje dhe kritika për të bërë, por kanë dhe të drejtë në vërejtjet dhe kritikat që mund të bëjnë, por ama, nga ana tjetër, duke qenë drejtues të Partisë Socialiste atje në qendrën tuaj të votimit, ju më mirë se çdokush tjetër duhet që nga njëra anë, tua njihni njerëzve aty rrotull të drejtën që kanë për të pasur ankesa, por nga ana tjetër t’jua kujtoni mirë atyre të gjitha ato gjëra që janë bërë sepse janë bërë gjëra më shumë, në 10 vite janë bërë më shumë gjëra sesa në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku.

Po ju sjell një shembull shumë të thjeshtë, pikërisht për një nga gjërat për të cilën njerëzit ankohen, ankohen dhe shumë prej tyre ankohen nga jashtë shtetit sepse nuk e dinë fare që gjërat këtu kanë ndryshuar në njëfarë mënyrë në mos plotësisht, por ankohen dhe këtu brenda. 

“Nuk ka ujë në Tiranë”.

Kjo është e pavërtetë, është shumë e pavërtetë. Në Tiranë sot në 67% të territorit të bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së re të Tiranës, nuk flasim për pjesën e vjetër, 67% ka 24 orë ujë. Në pjesën tjetër ka 17 orë ujë mesatarisht, por nuk ka pasur kurrë, ja ku është Qefalia i madh se ky i vogli është rritur me ujin e Kujtimit. Ja ku e keni Kujtimin, pyeteni sepse Kujtimi është bukë e vjetër. Pyeteni kur ka qenë Kujtimi i vogël ka pasur ujë 24 orë në zonën e Dajtit? Ka pasur ujë këtu 24 orë, këtu ku jemi ne? Jo 24, por ka qenë me orar në mëngjes, në drekë dhe në darkë, historikisht, dhe kështu ka qenë e gjithë Shqipëria. Nuk ka pasur ujë 24 orë në kohën e komunizmit, është përrallë. 

Ka pasur ujë në zonat urbane, por në fshat harroje se ka patur 24 orë ujë.

Madje, madje, jo vetëm s'ka pas 24 orë ujë, por në shumë zona ka pas një çezmë të përbashkët për lagjen që shkonin të gjithë atje dhe mbushnin ujin në radhë dhe flas këtu për vitet ’80, nuk flas për kohën mbas luftës, sepse të ndërtosh një sistem të tërë ujësjellësi është të ndërtosh një shtet më vete dhe atyre që thonë “po mirë, akoma për ujin flisni ju, si s'ju vjen turp”? Thonë dhe “si s'ju vjen turp”, domethënë këtu duhet të të vijë turp, edhe kur bën punë sipas disave. I them që, po, flasim akoma për ujin, po, sepse ne kemi vetëm një dekadë në qeveri dhe kur ne kemi ardhur në krye të këtij vendi, ka pasur vetëm katër zona. Uji ndahet me zona në Shqipëri. Ka pasur vetëm katër zona urbane me 24 ujë dhe këtu në Tiranë, kur ne kemi ardhur në qeveri, ka qenë vetëm një zonë e vogël urbane në 24 orë. Sot janë 43 zona urbane. Katër zona urbane me 24 orë ujë nga të gjitha vitet, përfshi dhe komunizmin përpara, që kemi trashëguar me 100 vjet shtet. 

Në dhjetë vite punë, 43 zona urbane dhe 98 zona rurale kanë ujë 24 orë. Dhe puna për ujë 24 orë vazhdon, vazhdon, vazhdon! 

Ky është realiteti i punës. Nëse do ta bënim mbledhjen këtu, do ta bënim me gjenerator tani nuk do kishim drita. Do kishim gjeneratorin që do na mbante iso dhe po të dilnim te blloku sot në këtë orë vetëm 10 vite përpara, do ecnim në trotuar duke fol me gjeneratorët. Dhe në atë kohë 50%  e miletit nuk paguanin. Sot paguajnë 100%.

Tani ne ulim çmimin e energjisë, hera e parë nga 1991 që ulet çmimi i energjisë, nuk rritet. Hera e parë! Dhe ndërkohë që ne kemi barazuar çmimin në atë kohë që ishte ulje për një pjesë, por ulje e përgjithshme është hera e parë që bëhet. “Sa e a ulet, e ulet me një lek, po si s'ju vjen turp, e ulet me një lek, sikur çfarë bëtë”. Po ne nuk e ulëm një lek në 1000 lek. Ne ulëm një lek në 9 lek, tani një lek në ekzaktësisht në 9.5 lek është 10.5% pra, shko pra merre një mall sot të ulur me 10.5 % dhe thuaj shitësit “nuk e dua, se nuk e ke ulur, se nuk është gjë”. Është gjë dhe është që ç'ke me atë punë. Dhe pse e ulëm? E ulëm sepse kemi ndryshuar komplet qasjen dhe kemi ndryshuar komplet përmbajtjen e gjithë sektorit.

Një milion shqiptarë konsumatorë klientë të OSHE-së paguajnë dhjetë 10.5% më pak energjinë elektrike sot.

Ndërkohë, janë disa që thonë: S’ju vjen turp. Se ne nuk e di, për çdo gjë do të na vijë turp. “S'ju vjen turp, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti dritat”. Akoma se kanë marrë vesh që dritat nuk t'i jep Zoti, t'i jep OSHE-ja. Edhe OSHE-së ia jep KESH dhe KESH-it ia jep hidrocentrali dhe hidrocentralit ia jep uji dhe ujin ta sjellë Zoti kur qan shumë, por po nuk qau Zoti dhe s'ka ujë ti nuk ke drita. Prandaj duhet të dalësh jashtë shtetit, edhe duhet ta blesh e ta sjellësh këtu energjinë për dritat dhe kur Zoti qan gjithë vitin ne arrijmë të prodhojmë 75 % të nevojave, 25 % duhet të dalim ta blejmë jashtë. Kur Zoti qesh më shumë se ç'duhet dhe s'ka shi ne shkojmë deri në 35 % blerje jashtë. Pse? Sepse trashëguam një sistem vetëm me ujë. Dhe çfarë po bëjmë ne? Jemi mbi 10 % sot të kapacitetit të përgjithshëm me diell, do shkojmë 30 dhe ajo që patë  me presidentin e Emirateve, ajo vizita i vuri vulën marrëveshjes për lidhjen me kabullin nënujor të transmetimit të energjisë me Italinë. Dhe për një investim masiv të përbashkët të Emirateve dhe të Republikës së Shqipërisë në prodhimin e energjisë diellore këtu në Shqipëri, që ne do të na bëjë në 2030-ën, jo vetëm që të jemi 100 % të pavarur dhe të mos kemi nevojë për asnjëri. Le të plasi luftë, le të bëjë çfarë të dojë i larg qoftë X dhe Y, ne energjinë nuk ia shtrimë më dorë njeriu dhe nuk e blejmë më nga jashtë, sepse do të prodhojmë të gjithën këtu për nevojat tona. Por do kemi energji dhe për t'i shitur tjerëve, falë asaj marrëveshje. Dhe për herë të parë në histori, do të jemi të pavarur në energji./ZËRI

Poll

MOS HUMB