
TIRANË- Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka reaguar pas deklaratev të kryedemokratit Sali Berisha se administrata po djeg dosjet. Ristani u shpreh se ky lajm i shpërndarë me dashakeqësi nuk është i vërtetë. Më tej, ajo shtoi se çdo dosje ruhet në arkiv.
“Lajmi i shpërndarë me dashakeqësi ditën e djeshme se Bashkia e Tiranës po zhduk prova dshe dokumente, është i pavërtetë. Ne në Bashkinë e Tiranës nuk çuditemi më nga asgjë, nga askush, që na akuzon pa prova, pa fakte, pa arsye tjetër përveç interesave politike. Që nga këndi i lodrave tek liqeni ku u akuzuam se do te ndertonim kulla midis të tjerash, deri te zhvendosja e Shkollës Sami Frasheri që na la të gjithëve gojëhapur, kemi parë dhe kemi dëgjuar lloj lloj çudirash, aq shumë dhe aq shpesh sa pergjigja ka qenë vetëm një: Vijojmë punën!
Por asnjëherë, në asnjë rast, nuk harrojmë se i detyrohemi qytetarëve, sqarimet përkatëse kur nivelet e shpifjes dhe të lajmeve tronditëse dhe krejtesisht të rreme përhapen nga kanale mediatike dhe arrijnë nivele të tilla përndotjeje.
Bashkia e Tiranës akuzohet se djeg dhe zhduk kamionë me dokumenta në mes te ditës në sytë e një zonje që është punësuar nga Partia Demokratike për t’u stacionuar në trotuarin përpara bashkisë dhe në praninë e TV Syrit të po së njëjtës Parti.
Natyrisht që kjo është një marrëzi e një niveli të denjë për shfaqje seriale, ku nuk mungon as aksioni as satira, por nuk mungon as trishtimi dhe ky i fundit është për ata qytetarë që nuk e kanë kusur për t’u helmuar me trillime, të ndryshëm nga ata që shpifja dhe gënjeshtra i ushqen përditë, por nuk i ngop kurre. Për të dy kategoritë na vjen thellësisht keq.
Por për cdo rast, Bashkia e Tiranës siguron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se çdo shkresë e jetës institucionale të saj, ruhet me rigorozitetin më të madh në arkivën tonë, i cili në përmbushje të ligjeve përkatëse është i vendosur në një objekt jashtë godinës qendrore dhe plotëson kushtet e ruajtjes dhe sigurimit sipas një protokolli të mirëpërcaktuar.
Në përgjigje të kërcënimeve për denoncimin e radhës për këtë krim të ri imagjinar, ne u themi të gjithë kundërshtarëve dhe përndjekësve politikë e mediatikë të Bashkisë së Tiranës se jeni mëse të mirëseardhur për t’u bërë qesharakë. E të tilla probleme imagjinare paçim, pasi në një qytet me 1 milionë banorë, e më shumë miliona vizitorë, problemet me të cilat përballemi çdo ditë dhe hallet për t’u zgjidhur nuk janë aspak qesharake dhe ne i marrim me të gjithë seriozitetin e mundshëm.
Ne nuk jemi trembur as nga letrat anonime, as nga ato me autorë dhe as nuk do të trembemi nga të tilla denoncime, për asnjë arsye tjetër përveç punës që na ka nderuar e na e mban kokën lart dhe shikimin në sy për çdo qytetar të këtij qyteti që nuk do të ndalet”, tha kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Ditën e djeshme Berisha akuzoi Bashkinë e Tiranës se po djeg dokumente me rëndësi. Kryedemokrati hodhi akuza edhe ndaj Ministrisë së Brendeshme se po e fsheh grisjen dhe djegien e dokumenteve. Sipas tij, ka 3 javë që po bëhen përpjekje për zhdukjen e provave shkresore të veprimtarive kriminale.
“Regjimi po shkërmoqet, siç edhe ligji më i pandryshuar i diktaturave. Institucionet janë angazhuar në një përpjekje të ethshme për të zhdukur provat shkresore, dokumentet e veprimtarive të tyre kriminale. Ka 3 javë që një proces i tillë, i ethshëm, po kryhet në disa dikastere. Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut. Ajo, ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave në ministritë dhe agjencitë e Lubi Ballukut, Ministrinë e Jashtme, çuditërisht domethënë, se edhe ajo ka kusure të mëdha, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inagurua ‘inceneratori i Tiranës’. Djegia në Bashkinë e Tiranës, e dokumenteve, jo vetëm të bashkisë e bënë përgjegjëse këtë bashki për një krim shumë të rëndë, jo vetëm të bashkisë, por edhe institucione të tjera. Njerëz të ndershëm të mbajnë kopje të çdo veprimtarie antiligjore kriminale të zyrtarëve të lartë të tyre. Të mos implikohen, të mos bëhen bashkëautorë në një proces karakteristik për përmbysjen e sistemeve. Të mos harrojnë se, gjurma dixhitale do të gjendet edhe në hënë, kudo që të jetë dhe auditi i përgjithshëm për të gjetur se ku kanë shkuar 56 miliardë në 12 vite të Edi Ramës, të cilat nuk janë dhënë rroga dhe pensione”, tha Berisha./ZËRI