BRUKSEL- Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet më të avancuara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ato mbeten pararojë e zgjerimit të bllokut.
Gjatë diskutimit në panelin kushtuar rindërtimit të Ukrainës, në konferencën e organizuar në Gdansk, Kos u shpreh se Mali i Zi është kandidati më realist për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së. Sipas komisioneres, pas Malit të Zi, Shqipëria është vendi që po avancon më shpejt në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Kandidati më realist për anëtarësimin më të afërt në Bashkimin Evropian është Mali i Zi. Jam e gatshme të parashikoj me besim anëtarësimin e këtij shteti para përfundimit të mandatit tim në vitin 2029. Dua të vë në dukje progresin e Shqipërisë, e cila tashmë është e gatshme të mbyllë kapitujt e negociatave.", u shpreh Kos.
Komisionerja Europiane tërhoqi vëmendjen edhe te dinamika e negociatave me Shqipërinë. Sipas saj, vendi po tregon përparim të dukshëm në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim.
"Shqipëria tani po fillon të mbyllë kapitujt e negociatave. Pra, lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit.", tha Kos.
Ajo theksoi se ritmi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është aktualisht më i lartë se në dekadën e fundit, por nënvizoi se procesi duhet të përshpejtohet për t’iu përgjigjur sfidave gjeopolitike.
Shqipëria ka shpallur si objektiv anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Qeveria synon që brenda vitit 2027 të përfundojë negociatat për të gjithë kapitujt./ZËRI