TIRANË-Fillimi i muajit gusht e ka gjetur Shqipërinë mes pikëpyetjeve lidhur me hartën e re territoriale. Mbyllja e punimeve të Komisionit për Reformën Territoriale në seancën e 27 korrikut në Kuvend, hapi një valë protestash në gjithë vendin ku gjithçka 'luhet' me numrin e bashkive. Shqiptarët ndodhen përballë dy drafteve për Reformën Territoriale, një nga PS dhe një nga PD, ku konsensusi duket shumë larg, me mazhorancën që propozon 46 bashki nga 61 që janë aktualisht dhe me opozitën që kërkon 39 bashki të reja.
DY DRAFTE:
Propozimi i Partisë Socialiste synon të ketë më pak bashki, por me territore më të mëdha, ku brenda tyre do të ketë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë më afër shërbimet për banorët. Sipas draftit, propozohet bashkimi:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
Nga ana tjetër Partia Demokratike propozon një ndarje të territorit në 100 bashki dhe 6 rajone. Opozita propozon 39 bashki të reja, konkretisht:
-Në rajonin Shkodër-Lezhë parashikohet shtimi i 8 bashkive: Velipojë, Drivast, Koplik, Bregu i Matës, Zadrimë, Orosh, Rubik dhe Mamurras.
-Në rajonin Dibër-Kukës shtohen 6 bashki: Shishtavec, Bicaj, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë.
-Në rajonin Tiranë-Durrës propozohet krijimi i 7 bashkive të reja: Petrelë, Kashar, Dajt, Arbanë, Ndroq, Sukth dhe Fushë-Krujë.
-Në rajonin Elbasan-Korçë parashikohet shtimi i 6 bashkive: Bradashesh, Shpat, Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër.
-Në rajonin Fier-Berat propozohen 8 bashki të reja: Ardenicë, Krutje, Dushk, Mallakastër Fratar, Levan, Cakran, Otllak dhe Shpirag.
-Ndërsa në rajonin Vlorë–Gjirokastër shtohen 4 bashki në Qarkun e Vlorës: Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë. Në Qarkun e Gjirokastrës nuk parashikohet ndryshim në numrin e bashkive.
Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit.
Propozimi i mazhorancës nxiti protesta të menjëherëshme në të gjithë vendin, në bashkitë të cilat pritet të shkrihen. Banorët kërkojnë që bashkitë e tyre të mos shkrihen, të ruajnë pavarësinë administrative dhe të mos largohen shërbimet publike nga komuniteti. Protestuesit kërkojnë gjithashtu që institucionet vendore të mbeten pranë vendbanimeve të tyre, që të mos detyrohen të udhëtojnë në qytete të tjera për shërbimet bazë. Protestat kundër reformës territoriale janë zhvilluar në të paktën 12 bashki deri më tani. Banorët kanë nisur peticionet dhe kërkojnë rishikimin e këtij drafti. Në krah të tyre janë vendosur edhe kryetarët e bashkive që 'rrezikojnë' të shkrihen.
Lidhur me protestat ka reaguar edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se çdo kritikë apo reagim ndaj reformës është i mirëpritur, por thekson se dokumenti i reformës ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik të detyrueshëm, periudhë gjatë së cilës çdo qytetar dhe institucion ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin për propozimin.
Harta e re territoriale mbetet ende e papërcaktuar, ndërsa vendimmarrja përfundimtare pritet të vijë pas përmbylljes së konsultimeve dhe negociatave politike. Harta e re synohet të miratohet brenda vitit 2026 për të hyrë në fuqi në zgjedhjet vendore të vitit 2027.


