
VLORË- Atird Hoxha kryetari i Partisë Demokratike nga dega e Vlorës ka lajmëruar se ka dhënë dorëheqjen për të marrë pjesë në garën e “Primareve”. Gjatë fjalimit të tij, ai u shpreh se vendimi për t’u larguar nga pozicioni i tij nuk ka qenë i lehtë, por është një mundësi e re.
“Për të ndjekur një mundësi të re në procesin e primareve, pas një reflektimi të gjatë dhe të kujdesshëm, kam paraqitur dorëheqjen time nga pozicioni i Kryetarit të Partisë Demokratike, Dega Vlorë. Dorëheqja është një akt individual dhe të ndjekur një mundësi të re në procesin e primareve që pritet të zhvillohet brenda forcës politike. Vendimi për t’u larguar nga ky rol nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e demokratëve dhe me besim në Zot, ky do të jetë hapi i duhur për të avancuar më tej dhe për të shërbyer e kontribuar në një nivel tjetër”, tha Hoxha.
Por, “Primaret” në PD kanë shkaktuar “përçarje” brenda strukturave. Drejtuesit e partisë janë të ndarë, kundër dhe pro garës, por janë të detyruar të japin dorëheqjen nëse duan të kandidojnë në listat për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Më 26 janar ishte afati i fundit për krerët e degëve që të jepnin dorëheqjen dhe të merrnin pjesë në procesin e Primarëve, në mënyrë që të futeshin në garë për t'ju shtuar emri në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë. Deri më tani vetëm 6 krerë të degavë të Partisë Demokratike hoqën dorë nga posti i tyre. Të tjerët, ose duket se janë mjaftuar me postin që kanë, ose nuk janë dakord që të lënë postin për t'u bërë pjesë e një gare të re.
Dorëheqjen e kanë dhënë deri më tani:
Blendi Himçe, Elbasan
Manjola Nikollo, Sarandë
Afrovita Dhimojani, Himarë
Ilir Klosi, Dibër dhe
Arsen Valisi dega 13, Tiranë, Kashar
Atird Hoxha, Vlorë
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh disa ditë më parë se kryetarët e degëve që nuk kanë dhënë dorëheqjen nuk mund të hyjnë në Primare. Dhe kjo duket se është finale! Për kryedemokratin, Statuti duhet respektuar me çdo kusht.
Në momentin kur kryetarët e degëve të PD-së u njoftuan për ‘Primaret’ pati zëra kundër dhe pro procesit. Për disa demokratë, krerët e degëve nuk duheshin votuar, pasi ishin të zgjedhur me parimin "një anëtar, një votë", të tjerë u shprehën se Statuti duhet respektuar nga të gjithë. Por duket se debati do të vazhdojë edhe për pak kohë në selinë blu. "Primaret" u prezantuan nga Sali Berisha për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit të 2021 dhe për të dytën herë për zgjedhjet e 14 majit 2023.
Por çfarë janë Primaret?
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.
Kriteret e kandidatëve
Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PD. Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PD; Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.
Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim si do të ndahen kandidatët nga aleanca me Partinë e Lirisë. Me kreun e PL-së të burgosur, ende nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë vendim./ZËRI