
TIRANË- “Primaret” duket se po shkaktojnë trazira të reja në Partinë Demokratike. Më 26 janar ishte afati i fundit për krerët e degëve që të jepnin dorëheqjen dhe të merrnin pjesë në procesin e Primarëve, në mënyrë që të futeshin në garë për t'ju shtuar emri në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë. Por përgjatë gjithë javës që kishin kohë t'u bërë pjesë e “Primareve”, vetëm 5 krerë të degavë të Partisë Demokratike hoqën dorë nga posti i tyre. Të tjerët, ose duket se janë mjaftuar me postin që kanë, ose nuk janë dakord që të lënë postin për t'u bërë pjesë e një gare të re.
Dorëheqjen e kanë dhënë deri më tani:
Blendi Himçe, Elbasan
Manjola Nikollo, Sarandë
Afrovita Dhimojani, Himarë
Ilir Klosi, Dibër dhe
Arsen Valisi dega 13, Tiranë, Kashar
Por një deklaratë nga kryedemokrati Sali Berisha u dha përgjigjen finale! Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh qartë se kryetarët e degëve që nuk kanë dhënë dorëheqjen nuk mund të hyjnë në Primare. Dhe kjo duket se është finale! Për kryedemokratin, Statuti duhet respektuar me çdo kusht.
"Mesa di unë kanë dhënë dorëheqjen 5 kryetarë degësh dhe kjo nuk është një shifër përfundimtare. Dhe kjo përbën një detyrim statutor në mënyrë që dega e PD, votimi dhe të gjitha të jenë distante me të gjithë kandidatët.Një kryetar dege që nuk jep dorëheqjen, nuk mund të hyjë në primare. Kryetari i degës që duhet të hyjë në primare, duhet të respektojë statutin. Kryetari i degës plotëson çdo kriter për të qenë kandidat dhe deputet, por ai ka detyrimin të respektojë statutin dhe të hyjë në garë, ndërkohë drejtimi i partisë merret nga një person i komanduar, i cili si rregull duhet të jetë nënkryetar se zgjedhje nuk bëhen dot tani,”- tha Berisha.
Më tej, kryetari i PD-së shtoi se do të jetë Këshilli Kombëtar ai që do të vendosë si do të veprohet me drejtuesit e qarqeve, por edhe me kandidatët e primareve pasi ende ka shumë çështje që duhen sqaruar. Por vetë u shpreh se nuk do të japë më shumë sesa vlerësimin e tij personal, pasi të gjithë procesin do ta diskutojnë vetë demokratët në Këshillin Kombëtar.
“Rregullorja është bërë gati. Diskutim do ketë për këtë. Ka tre variante. Ka një variant që të jenë degësh. Ka një variant tjetër që të jenë qarku. Ka një propozim që të jenë listë kombëtare. Tani, të them të vërtetën, secili variant ka argumentet dhe pluset e veta. Por lista kombëtare, e cila tingëllon bukur, ka një problem se aplikohet në një sistem që është rajonal dhe jo kombëtar. Por, unë nuk marr përsipër të anësoj nga asnjëri variant, veçse do diskutohen variantet dhe do vendoset varianti më logjik. “Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin. Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve. Nga ana tjetër, është shumë normale në një parti demokratike, të shprehen mendime të ndryshme. Unë u thashë më parë që në zyrën e tij kam propozime nga bashkëpunëtorë të mi dhe të tjerë që primaret të jenë me listë kombëtare. Të tjerë që të jenë me listë rajonale. Kjo është gjëja më normale. Dhe do arrihet një rezultante. Pra, nuk ka asnjë lloj orientimi nga unë përveçse atyre që janë shkruar në statut. Në qoftë se kam deklaruar se është Këshilli Kombëtar, u kam thënë një të vërtetë ju se është Këshilli Kombëtar që mund të tejkalojë statutin. Dhe ajo normë që miratohet nga Këshilli Kombëtar, instalohet nga konventa në statut... Unë e kuptoj që ka njerëz që thonë se lista duhet të jetë 100 përqind e hapur. Unë këtyre miqve, që ka edhe në parti dhe nuk kam asgjë kundër tyre, u them e nga 43 vende që aplikojnë listën e hapur, janë gjithsej vetëm 3 të tilla që e kanë plotësisht të hapur. Të gjitha të tjerat e kanë me shkallë. Kjo sepse duhet një proporcion midis partisë dhe pjesës aspirante për t’u zgjedhur. Sigurisht mund të jenë të gjithë. Por në këtë sistem ka një defekt. Një garë kryekëput individuale e harron secili, me të drejtë, jo pa të drejtë, do kërkojë votën e tij. Do ishte shumë e drejtë në qoftë se sistemi unifikonte votën e kandidatit me votën e partisë,"- përfundoi kryedemokrati.
Në momentin kur kryetarët e degëve të PD-së u njoftuan për ‘Primaret’ pati zëra kundër dhe pro procesit. Për disa demokratë, krerët e degëve nuk duheshin votuar, pasi ishin të zgjedhur me parimin "një anëtar, një votë", të tjerë u shprehën se Statuti duhet respektuar nga të gjithë. Por duket se debati do të vazhdojë edhe për pak kohë në selinë blu. "Primaret" u prezantuan nga Sali Berisha për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit të 2021 dhe për të dytën herë për zgjedhjet e 14 majit 2023.
Por çfarë janë Primaret?
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.
Kriteret e kandidatëve
Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PD. Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PD; Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.
Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim si do të ndahen kandidatët nga aleanca me Partinë e Lirisë. Me kreun e PL-së të burgosur, ende nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë vendim./ZËRI