
TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar me shumicë votash projektligjin e propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi për shtyrjen deri në dhjetor 2026 të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje. Në mbledhjen e sotme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut kishte sërish debate dhe diskutime. Teksa diskutonin për ligjin, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupingriti dyshimet se ligji ka efekt elektoral, në favor të socialistëve. Ndërsa Majko u shpreh se ka rezerva për draftin e paraqitur. Por edhe pse është shprehur kundër, Majko, votën e tij e deklaroi se do të ishte abstenim.
DISKUTIMET:
Dhurata Çupi: Projektligji është i rrezikshëm për disa arsye që do t'i listoj. Është i rrezikshëm sepse nxit pabarazinë fiskale, ul të ardhurat publike në mënyrë të ndjeshme dhe ka ndikim edhe në drejtësinë sociale, ndikon në hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Turizmi kërkon cilësi shërbimi dhe atraksion lokal. Po ashtu, hotelet e vogla dhe të mesme i mbyll. Në konceptim tim sjell efekt minimal në turizëm. Ju kërkoj që ta tërhiqni këtë projektligj, mos u përdorni nga qeveria. Ta studiojë qeveria dhe mos u përdorni për t'u futur në listë.
Klosi: Nuk vij i detyruar por vij krenar sepse kur kam qenë ministër e kam firmosur këtë politikë. Shqipëria nuk kishte asnjë brand në 2019, tani ka 11 me status special dhe tani ka edhe 11 të tjerë.
Pandeli Majko: Me Klosin ndaj një miqësi shumë të vjetër dhe kjo është parathënie për të mos krijuar asnjë lloj keqkuptimi lidhur me rezervat që unë kam për këtë propozim. Unë u binda nga argumentet e Klosit pse duhen brandet dhe mekanizmi i brandeve si presion për rritjen e cilësisë në turizëm, por nuk kuptoj pse ky standard duhet të funksionojë si i tillë deri në dhjetor 2026. Nëse bëhet fjalë se kjo cilësi do të jetë e përhershme pse e sillni përsëri për një shtyrje 2 apo 5 vjeçare. Sot industria jonë e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë ku unë jam frekuentues i rregullt, shpresoj që ju të kuptoni që unë do të abstenoj për propozimin tuaj.
Blendi Klosi: Po shpjegoj pse në kërkesë të këtij standardi ne vendosim fundin e vitit 2026. Kjo është një politikë nxitëse, pra që kërkon që një biznes i munguar në Shqipëri të vihej në lëvizje. Në 2019 vetëm 3 kompani paraqitën interes për të vendosur këtë raport. Tani kanë aplikuar 11 kompani. Duke vendosur këto standarde u nxitën edhe 11 kompani të tjera që të marrin brande. Nuk është se deri në 2026 ka brande, jo. Deri në 2026 do përfitojnë këtë lehtësi, por edhe më pas do të vazhdojnë brandet.
Drafti propozon që efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”. Në relacionin shoqërues, Klosi argumenton se kjo nismë ligjore synon “incentivimin e sektorit të turizmit" duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për hotelet dhe resortet”. Këto kompani përfitojnë edhe një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%./ZËRI