Politikë

Banka Shqiptare e Zhvillimit, 51% aksione i ka shteti! Rama: Motor zhvillimi! PD e ndarë, Tabaku: Skemë piramidale. Berisha: Ishte ideja ime!

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë shoqëria aksionere, ku 51% e aksioneve do të zotërohen nga shteti, e cila do të japë kredi me interesa më të favorshme se bankat e tjera të nivelit të dytë.

k.m.
Banka Shqiptare e Zhvillimit, 51% aksione i ka shteti! Rama: Motor zhvillimi! PD
Sali Berisha dhe Edi Rama

TIRANË- Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri, atë për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. BSHZH do të jetë një shoqëri aksionere, tek e cila 51% të aksioneve do t'i ketë shteti shqiptar. Me propozim të ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Banka Shqiptare e Zhvillimet synohet që fokusin ta ketë tek financimi i biznesit të vogël dhe projekteve "start up". Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë shoqëria aksionere, ku 51% e aksioneve do të zotërohen nga shteti, e cila do të japë kredi me interesa më të favorshme se bankat e tjera të nivelit të dytë. Kapitali fillestar i bankës do të jetë 100 milionë euro të vëna nga shteti, por më tek Banka mund të pranojë fonde edhe nga banka të tjera tregtare; apo mund të përdorë edhe paratë e qytetarëve që duan të ruajnë kursimet e tyre në këtë institucion.

FOKUSI I BANKËS SË ZHVILLIMIT:

1. Mbështetja e Sipërmarrjeve Shqiptare

BZH synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMV) dhe startup-et, duke ofruar financim dhe, sipas rastit mbështetje teknike, për të ndihmuar këto biznese të përmirësojnë produktivitetin, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të zgjerojnë prezencën e tyre në tregjet
ndërkombëtare.

2. Promovimi i Eksporteve

Një nga objektivat e BZH, që gjendet edhe në një sërë institucionesh të ngjashme evropiane, është mbështetja e eksporteve shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.

3. Mbështetja e projekteve me rëndësi për zhvillimin ekonomik

Në këtë kuadër, BZH do të veprojë kryesisht në rolin e ndërmjetësit financiar, duke kanalizuar fonde ose linja financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato evropiane apo partnerë të tjerë të zhvillimit, me fokus te projektet publike në nivel qendror dhe vendor, të cilat kanë përparësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

4. Zhvillimi i Infrastrukturës Fizike dhe Digjitale

Një nga objektivat e BZH-së do të jetë gjithashtu mbështetja e zhvillimit, përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës fizike dhe digjitale, në përputhje me objektivat strategjike kombëtare, për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme dhe të orientuar drejt teknologjisë.

Banka e Zhvillimit jep kredi, ofron garanci dhe investon në letra me vlerë të borxhit dhe kapitalit, duke ndihmuar në realizimin e projekteve me rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare. Po ashtu, BZH mund të shërbejë edhe si një platformë që kombinon kapitalin publik
dhe privat për të financuar projekte me ndikim të gjerë. Po ashtu, në projektligj është e përcaktuar qartë se BZH do të jetë e përjashtuar nga tatimi mbi fitimin. Organet kyçe të qeverisjes së BZH-së do të jenë të ndara tek Asambleja e Përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës, Këshilli i Administrimit dhe Komiteti i Auditimit, të cilat janë përgjegjëse për drejtimin strategjik dhe operacional të institucionit.

REAGIMET

Projektligjin për BZHSH e prezantoi vetë kryeministri Edi Rama. Përmes një videoje të publikuar në faqen e tij në Facebook, Rama e cilësoi projektligjin e ri si një motor të ri për zhvillimin e vendit. 

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje të zhvillimit. Finalizimi i projektligjit mbi Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Falë bashkëpunimit me një institucion financiar prestigjioz të Italisë, jemi gati t’ia shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi në këtë stad të ri të vendit. Projekti është bindës dhe së shpejti do të hidhet për diskutim publik. Banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane. Do të garantojë një qeverisje të pavarur dhe profesionale të saj,"-tha Rama.

Por nga kampi tjetër ka akuza! Për deputeten demokrate, Jorida Tabaku, Banka Shtetërore (Banka Shqiptare e Zhvillimit-BSHZH), që do të ngrihet nga qeveria me nismën e re financiare, nuk është asgjë tjetër veçse një ‘firmë piramidale’ dhe ‘skemë falimentimi”. Sipas saj,  Banka do të përdoret si një mekanizëm klientelist që do t'u shërbejë interesave të "oligarkëve", për të marrë fonde publike. Madje skemën e Bankës, e krahason me atë të inceneratorëve.

"Në Shqipërinë e 2025, ku qeveria ka kapur çdo hallkë të shtetit, tani po shfaqet një tjetër projekt absurd: Krijimi i një Banke Shtetërore. Në një vend ku sektori bankar privat është ndër më të zhvilluarit në rajon, qeveria ka vendosur të ndërhyjë aty ku nuk ka vend. Dhe përse? Për të ushqyer një tjetër mekanizëm klientelist, për të financuar projekte të dështuara si inceneratorët, për të krijuar një piramidë të re mbi shpinën e qytetarëve. Pse një bankë shtetërore? Pse tani? Kur kemi privatizuar të gjithë sektorin bankar 15 vite më parë dhe kur bankat private kanë arritur standarde të larta, çfarë mund të bëjë kjo bankë që sektori privat nuk e bën? Përgjigjja është e thjeshtë: një bankë që nuk është për zhvillimin e qytetarëve, por për interesat e oligarkëve që kërkojnë një tjetër mekanizëm për të shtrydhur fondet publike. 1. Financim për të paprekshmit: Kur bankat private refuzojnë të japin kredi për projekte të rrezikshme apo kompani pa garanci, Banka Shtetërore do jetë aty. Për inceneratorët. Për “miqtë.” Për skemat e mëdha që dështojnë. 2. Rrënimi ekonomisë: Çdo dështim i kësaj banke do të thotë humbje e fondeve publike, dhe në fund kush paguan? Ju, qytetarët, që sot luftoni për të mbijetuar mes taksave dhe inflacionit. 3. Kapja totale e shtetit: Pasi kanë privatizuar portet, aeroportet, dhe kanë dhënë me koncesion çdo gjë që ka vlerë, tani kërkojnë të futen në sistemin bankar – sektori i vetëm që funksionon pa ndërhyrje shtetërore. Kjo është një grabitje ekonomike, e bërë hapur. Ajo që po ndodh nuk është zhvillim, është megallomani dhe abuzim me pushtetin. Kjo qeveri po ndërton një “firmë piramidale shtetërore” me rrezik të madh për financat tona. Nga historia e dimë ku na çojnë skemat e tilla. Dhe nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri!,"-shkruan Tabaku në rrjetet e saj sociale.

Mesa duket, në selinë e Partisë Demokratike nuk ka pasur koordinim për një qëndrim të përbashkët për Bankën e Zhvillimit, pasi kryedemokrati Sali Berisha i ka marrë vetë meritat. Në një konferencë për mediat. Berisha tha se idenë për një Bankë Shqiptare e ka hedhur vetë që në vitin 2012 (1 vit para se të humbte zgjedhjet) dhe se kryeministri i kishte marrë idenë dhe e kishte prezantuar si tijën. 

"Të thuash se Edi Rama është hajdut, nuk përbën lajm. Këto ditë ai ka dalë para qytetarëve me një premtim të paraqitur nga Sali Berisha nga viti 2012 gjer në vitin 2025 në mënyrë të përsëritur. Dhe ky premtim është Banka Shqiptare për Zhvillim. Këtu i keni disa prej titujve, që informojnë publikun për vendimin e Sali Berishës, premtimin e tij për Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Unë e kuptoj se akuzat për vjedhje për Edi Ramën nuk bëjnë lajm se janë standard normal. Por unë nuk do lodhem duke denoncuar këtë hajdut që nuk lë gjë pa vjedhur. Vetëm një gjë i them, midis kopjet dhe origjinalit, çdo qytetar i këtij vendi, kopjen e hedh në kosh dhe mban origjinalin. Prandaj, sa bën papagallin e Sali Berishës, më mirë mos e prit 11 majin se absolutisht do marrësh atë që meriton. Si mundet një kryeministër, pa u skuqur, pa u zbehur, vetëm se është hajdut, merr elementë të programit të kundërshtarit. Pra, nuk mund të mos e denoncoja këtë,"-tha Berisha sot para mediave.

Megjithatë, projektligji vazhdon të jetë për konsultim dhe shumë shpejt do të kalojë për diskutimet edhe në Komisionet paralamentare në Kuvend./ZËRI

*Më poshtë keni projektligjin e plotë...

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB