
TIRANË- Qeveria shqiptare i ka dhënë hua qeverisë italiane! Ministria e Brendshme ka alokuar në fond total prej 289 milionë lekësh, nga të cilat 100 milionë janë dhënë për armatime. Sipas "A2CNN", marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për kampin në Gjadër ka pasur edhe një klauzolë për të dhënë hua. Nga marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrin Edi Rama dhe Giorgia Melonit, shpenzimet për funksionimin e qendrave ku do të strehohen emigrantët janë të palës italiane, por Shqipëria mund të japë edhe para borxh.
“Fondi i kërkuar nga Ministria e Brendshme në kuadrin e rishikimit të buxhetit me Aktin Normativ ishte në shumën 289 milion lekë ku përfshiheshin blerje pajisje, armatim dhe mjete transporti. Në fondin e miratuar me Aktin Normativ nr. 3 në shumën 100 milion lekë, janë financuar blerje pajisje armatimi ndërsa blerja e mjeteve të transportit do të financohet në vitin 2025 për arsye të kohës së nevojshme që kërkojnë procedurat e prokurimit për blerjen e tyre. Çdo shpenzim për personelin dhe logjistikën për njësinë policore që operon në strukturat pritëse për migrantët do të rimbursohet nga pala italiane”.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar.
Emigrantët do të mbikqyren nga efektivët e Policisë italiane, të cilët do të alternohen me turne 1 mujore, kohë gjatë të cilës do të rimbursohen me 100 Euro dita, teksa ushqimi dhe strehimi do të garantohen pranë strukturave hoteliere shqiptare, nga autoritetet e Romës. Por me transferimet e para të dështuara dhe të rrëzuara nga Gjykata e Romës, mesa duket qeveria italiane ka pasur nevojë për hua për të mbuluar shpenzimet për emigrantët e rinj që do të sillen këtë të martë. Nesër, 49 emigrantë ilegalë do të mbërrijnë nga Italia mëngjesin e së martës në portin e Shëngjinit. Agjencia e lajmeve ANSA njofton se anija e marinës italiane Kasiopea është nisur drejt bregdetit shqiptar me emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare pranë Lampeduzës.
Mbërritja e tyre ishte parashikuar për të hënën, por një defekt në anijen ushtarake ka shtyrë mbërritjen e tyre me 24 orë në brigjet shqiptare. Ministria e Brendshme italiane njoftoi se 53 emigrantë të tjerë të shpëtuar kanë pranuar të paraqesin dokumente identifikimi me qëllim evitimin e dërgimit në Shqipëri.
Kjo do të jetë hera e tretë që autoritetet italiane sjellin emigrantë në vendin tonë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive, pasi edhe në dy dërgesat e para të huajit vinin nga vendesi Bangladeshi dhe Egjipti. Për Gjykatën ishin vende të pasigurta, por Gjykata e Kasacionit vendosi se i përkiste qeverisë italiane që të caktonte listën me vendet që ishin të sigurta, ose jo. Edhe pse aktualisht peshorja anon nga ana e Melonit dhe qeverisë italiane, çështja pritet të shprehet edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë./ZËRI