
TIRANË-Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla ka deklaruar se do të ankimojë vendimin me 1 vit burg të dhënë nga GJKKO. Me anë të një regaimi në rrjetin social Facebook, Memolla deklaron se nuk do të largohet nga posti i kryetarit të bashkisë Rrogozhinë pa dhënë fjalën e vet dhe Apeli i GJKKO-së. Sipas tij vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk bazohet në prova dhe fakte.
Regaimi:
Që kur mu besua detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë në dijeni për peshën që do sillte në çdo dimension të sajin. Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe si rrjedhojë jam i hapur të pranoj çfarëdolloj vendimi të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim i cili nuk është i mbështetur aspak në prova dhe fakte. Theksoj se deri në një vendim të formës së prerë e më tej, unë jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell. Së fundmi, ju falenderoj nga zemra të gjithë ju që keni qenë pranë meje duke më njohur, mbështetur si njeri, duke besuar të vërtetën time të pafajshme dhe s'më keni kthyer shpinën edhe kur situata duket e vështirë.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi dënimin me 1 vit burg kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës duke e shpallur fajtor për akuzat “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. GJKKO vendosi të lërë në fuqi pretencën e SPAK e cila një seancë më parë kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas SPAK, Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës. I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i kishte premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.
Edison Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në 23 korrik 2023. Por me shpalljen fajtor nga Gjykata e Posaçme ai zyrtarisht e ka humbur postin e kryebashkiakut. Në pritje të zbardhjes së vendimit dhe rrugës që do të ndjekë Memolla për çështjen, ngelet për tu parë se kush do të zejë vendin e tij.ZËRI