Politikë

"Ekonomia" miraton rishikimin e buxhetit 2024/ Debate për faljen e taksave për 10 vite, opozita: Dhuratë oligarkëve!

Braçe ka kërkuar transparencë dhe informacion në lidhje me këtë projektligj, duke vënë në dukje se ky është një favor fiskal

F.I
"Ekonomia" miraton rishikimin e buxhetit 2024/ Debate për faljen
Blendi Klosi, Jorida Tabaku dhe Erion Braçe

TIRANË- Komisioni i Ekonomisë votoi pro zgjatjes së afatit për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për hotelet me 4-5 yje që kanë kontratë me Brand Name ndërkombëtar. Mbledhja është zhvilluar me debate, ku deputetët e opozitës e konsideruan nismën si dhuratën e radhës oligarkëve, ndërsa socialistët e mbrojtën duke thënë se zhvillon turizmin e luksit, rrit standardet turistike dhe shton vende të reja pune. Një dikutim pati mes dy deputetëve socialistë, Erion Braçe dhe Blendi Klosi. Në mbledhje po diskutohet projektligji i depozituar i Klosit, ku kërkohet që hotelet me 4 dhe 5 yje të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhë 10 vjeçare. 

Braçe ka kërkuar transparencë dhe informacion në lidhje me këtë projektligj, duke vënë në dukje se ky është një favor fiskal që duhet të shpallet hapur dhe të kuptohet se cilëve subjekte po u jepet ky privilegj. Klosi nga ana tjetër ka theksuar se ky është një model që po ndjekin edhe shtetet e tjera të rajonit dhe ka shpjeguar se ky favor fiskal është një mënyrë për të stimuluar investimet në këtë sektor.

Debati:

Braçe: Dua të na vini në dispozicion, sot, se është bërë e vazhdueshme që bëjmë kërkesë në komision dhe na vijnë pasi miratohet ligji në parlament, sa subjekte kanë përfituar nga kjo masë favorizuese, apo ky privilegj, nëse është lista ta kemi, ju thatë se po zhvillohen jo në zona urbane. Nga e gjitha çfarë është thënë në media, pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar në Tiranë dhe në rast se mund të më ndihmon në listë, nëse ka një të tillë në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Divjakë, Golem, Darëzezë, Vlorë brenda, Palasë, a janë 11, nëse janë 11 e përfshin të gjithë vijën ku bëhet turizëm, në Dhërmi, livadh, Ksamil, Sarandë. Sa është fitimi i deklaruar i tyre që kanë operuar gjatë kësaj periudhe në territorin e Shqipërisë, sa kanë deklaruar si fitim, që ne e kemi përjashtuar nga pjesa e tatimit, ky fitimi i deklaruar ça është bërë më pas, është riinvestuar apo akumuluar si pasuri e operatorëve apo më keq, riinvestuar jashtë këtij vendi, sa projekteve në janë proces, janë në punë e sipër. Çfarë përfitimesh kemi ne për hotelet me katër dhe pesë yje? Privilegje kemi? Ky është i vetëm apo ka edhe të tjerë.

Klosi: Ka shumë.

Braçe: Ka shumë, Po pse s’na i thoni? Dua të di kur janë bërë këto lehtësira fiskale. A vjen ky propozim me strategjinë e të ardhurave që ju keni miratuar dhe bërë publike, FMN është një nga argumentet që duhet vlerësuar, pyetur. Kanë ata FMN dhe Banka e Shqipërisë ndonjë opinion?

Klosi: Kush janë projektet që kanë, apo do me lejoni që t’i përgjigjem tabakut dhe Spahos. Duke ndarë të dyja kategoritë, teknike dhe politike, të gjithë këtu jemi në politikë në shërbim të qytetarëve. Status me 5 yje e kanë ato hotele që janë të ngjashme me Bashkimin Evropian apo botë, që të quhesh brand, kanë 3 të ngjashme në BE apo 7 në botë. Një investitor që lidh një marrëveshje me një brand nuk është lejuar të bëjë investime sipas dëshirës, janë hotele me 100 dhoma minimalisht, nuk është e gjithë industria, kështu e kemi ndërtuar, lokomotiva që tërheq të gjithë sektorin e turizmit, më vjen keq që e kuptoni se ku është ndryshimi, gjithë Rajoni e ka këtë.

Braçe: Le ta rrotullojmë si të duam, ky është favor fiskal dhe sa herë ka favor fiskal ka nevojë për transparencë, as duhet të shqetësohet kush as ta keqpërdorë kush që ka nevojë për transparencë, këto hotelet nuk kanë marrë favor fiskal, duhej thënë se ishte komplet opinion tjetër pikërisht për këtë gjë, duket hapur që favori fiskal që u bëmë herët se në 2029, e keni bërë juve, edhe para jush edhe pra nesh që e bëri më herët këtë gjë, favori po shkonte për këto që në fakt nuk e kanë përfituar, transparenca është që të gjithë të kuptojmë se kujt po i bëhet favori fiskal. Sektori i turizmit nuk është i mbyllur, por I lidhur me të gjitha sektoret. 

Klosi:Janë investime, hotele të reja që marrin përfitimin. Një investitor që lidhet me një brand, ai nuk mund të bëjë punime sipas qejfit, por çdo detaj e diskuton me brandin. Flasim për investime me minimumi 150-200 dhoma. Është vetëm një pjesë e sektorit që e përfiton, si mënyrë për të tërhequr sektorin drejt standardeve. Nga 11 subjekte që kanë përfituar këtë lehtësi, që janë investime të reja. Nga 11 që janë futur në Shqipëri, janë shtuar edhe 11 brande të tjera

Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kundërshtoi propozimin e socialistëve në Komisionin e Ekonomisë për faljen 10-vjeçare të taksave për kompanitë e huaja që investojnë në turizëm. Tabaku e ka quajtur këtë nismë një dhuratë për oligarkët e turizmit, që lë pas dore shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe bizneset e vogla. Duke e quajtur të turpshme axhendën legjislative të mazhorancës, Tabaku kritikoi faktin që sesioni parlamentar i vitit të ri nisi me ligje që favorizojnë bizneset e mëdha dhe të huaja.

Tabaku: Kur miratuam buxhetin në dhjetor, qeveria premtoi se nuk do të kishte ndryshime fiskale, as përjashtime, as privilegje. Por, vetëm një muaj më vonë, socialistët sjellin një nismë që shkel premtimet e veta dhe dispozitat ligjore, duke falur taksat për një grusht kompanish në prag të zgjedhjeve. Si mund të justifikoni që hotelet e mëdha të huaja përjashtohen nga taksat, ndërsa strukturat akomoduese shqiptare në vijën bregdetare, që punësojnë qindra njerëz, paguajnë gjithçka. Sa janë të punësuarit në hotele që nuk përfitojnë këto privilegje? Po 300,000 fermerët që punojnë çdo ditë pa asnjë përjashtim fiskal, çfarë mbështetje kanë marrë? Si mund të mbyllim sytë ndaj kësaj pabarazie? Në vend që të sillnim një ligj që prek shumicën e qytetarëve, qeveria nis vitin me privilegje për 10-11 hotele të mëdha. Kjo është dhurata më e keqe që mund t’i bëhet sistemit tonë fiskal dhe barazisë ekonomike. Faljet e taksave dhe politika preferenciale kanë krijuar një pabarazi të thellë. Hotelet shqiptare paguajnë taksa, ndërsa të huajat përjashtohen. Çfarë mesazhi po i jepni investitorëve vendas?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka propozuar një projektligj, i cili shtyn afatin e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje. Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.

Mbledhjen e sotmeKomisioni i Ekonomisë ka miratuar edhe rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2024, që kishte si synim shpërblimet e fundvitit dhe caktimin e fondeve për bonusin e pranverës për pensionistët. Në muajin e ardhshëm pensionistët do të marrin 100 euro kush merr pension nën 20 mijë lekë dhe 50 euro kush merr më shumë se 20 mijë lekë.

Ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar në komisionin e ekonomisë, se me këtë akt normativ janë dhënë fonde për të vijuar me projektet rrugore, një hua për Albcontrol si dhe janë dhënë para për të larë borxhet e bashkive. Me këtë rishikim tha Malaj para deputetëve u garantuan edhe fondet për kompensimin ushqimor për policinë.

"Shtesën e fondeve në masën 1.6mld lekë për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orë jashtë orarit/dieta/karburant në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas shlyerjes së detyrimeve nga vendimet gjyqësore. Financimin shtesë prej 300mln lekë, përkatësisht për: Në masën 100mln lekë, me qëllim organizimin e tre tureve të para të ‘Giro d’Italia’ në Republikën e Shqipërisë. Në masën 200mln lekë, me qëllim vijimin e financimit të projektit të KOKSH “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe aktiviteteve në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve. Financimin shtesë në masën rreth 1.57mld lekë për dy projektet e Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, me qëllim financimin për dy projektet “Digjitalizimi i të dhënave kadastrale të pasurive të paluajtshme” dhe “Regjistrimi fillestar i zonave kadastrale", tha ministri./ZËRI

Poll

MOS HUMB