
TIRANË- Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka kërkuar që në mbledhjen e radhës të marrë pjesë edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të diskutuar mbi rregulloren e re për sigurimin e mjeteve. Kërkesa u bë sot nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili u shpreh se qytetarët po përballeshin me një rritje çmimesh, e cila ende nuk ishte e qartë. Ndaj kërkoi një seancë dëgjimore me AMF-në për të dalë në një përfundim.
"Ka një shqetësim shumë të madh nga qytetarët që po përballen me rritje të çmimeve. Shoqatat nuk japin shpjegime të qarta se çfarë po ndodh në treg. Situata mbetet e paqartë dhe e ka sjellë vetë rregullorja e miratuar nga AMF që jep parime, dhe në aneksin e saj ajo e përmbys rregulloren. Shqetësimi është i madh sidomos tek mjetet e punës që janë në vështirësi të madhe, janë mjete të vjetra dhe me fuqi më të madhe se mjetet e tjera, dhe çmimi ju është rritur mbi logjikën. Duhet patjetër një seancë dëgjimore për të kuptuar se çfarë po ndodh. Para se të vijnë në seancë të na sjellin krahasimet për çmimet e sigurimeve, si ishin para rregullores dhe si janë tani,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Braçe.
Nga 1 Janari i vitit 2025 të gjithë ata që zotërojnë një automjet do të paguajnë afro 25% më shumë policë sigurimi, pavarësisht historikut të tyre të aksidenteve dhe kategorive të automjeve të vend. Një faktor tjetër që do të përcaktojë çmimet është edhe sistemi bonus-malus ose i njohur ndryshe si historiku i dëmeve. Megjithatë, ky element do të fillojë të zbatohet duke filluar nga viti 2026, bazuar në historikun e dëmeve të vitit 2025, pasi viti 2025 është përcaktuar si viti “zero” nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare./ZËRI