TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të premte pamje nga takimi i përjavshëm mbi ecurinë e nismës “Prania Besnike”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë një video me disa momente nga takimi, gjatë të cilit drejtuesit e qarqeve raportojnë mbi bilancet dhe ecurinë e punës në territor.
Takimi është zhvilluar në orën 17:00, si çdo të premte, bën me dije kryeministri, me pjesëmarrjen e drejtuesve në qarqe.
“Dhe me momente nga takimi i përjavshëm mbi ecurinë e Pranisë Besnike, e cila vijoi edhe këtë të premte në krejt territorin e vendit në 17:00, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama krahas videos.
Gjatë takimit, kreu i qeverisë është shprehur se qëllimi i procesit nuk është vetëm evidentimi dhe përcjellja e problematikave, por edhe përmirësimi i funksionimit të institucioneve.
“Nuk është ideja thjesht që ne të marrim halle dhe t’i çojmë, këtu ideja është që ky proces t’i ndihmojë institucionet të funksionojnë më mirë. ‘Keep going’, sipas objektivave dhe sipas planit”, u shpreh Rama.
Pjesë nga diskutimet në mbledhjen e Ramës me drejtuesit e qarqeve
Blendi Klosi: Është për tu shënuar që në javën e dytë dëgjesat janë rritur me mbi 50%. Nga 80 që kanë qenë në javën e parë, tashmë janë 149 të tilla, duke shënuar rritje.
Niko Peleshi: Bashkia Korçë nga 263 në total, ka 118 raste. 45% lidhen me Bashkinë Korçë si territor. 85 nga Pogradeci dhe 57 raste nga Kolonja. Procesi po funksionon dhe ka fituar kredibilitet.
Taulant Balla: Në Kamëz është përmbyllur procesi i rindërtimit me 1200 përfitues.
Belinda Balluku: Të gjitha ankesat në total janë 431. I kemi vendosur vetes një qëllim që të rrisim numrin e ankesave të zgjidhura në javën e ardhshme.
Ulsi Manja: 38 ankesa kanë ardhur në këtë javë të dytë, 100% të rasteve për të dyja këto të premte janë referuar për zgjidhje nga deputetët.
Ogerta Manastirliu: Jemi takuar me mbi 1200 pjesëmarrës. Është një proces që po ecën mirë, pjesëmarrja po rritet nga java në javë për çështjet individuale, por edhe për pjesën e komunitetit.
Enea Karakaçi: Në dy javë janë mbajtur 172 ankesa, janë më shumë të natyrës individuale, njerëzit e kanë pritur shumë mirë.
Bledi Çuçi: Në Vlorë kanë mbërritur 179 ankesa gjithsej. E-mailet që vijnë nga deputetët duhet të ketë prioritet maksimal.
Arbjan Mazniku: Sistemi tani është plotësisht funksional, janë çuar të gjitha e-mailet në të gjitha institucionet, 31 prej tyre kanë marrë përgjigje.
Mirela Kumbaro: Mendoj që problematika të njëjta të qarqeve të ndryshme t’i bashkojmë dhe t’i kategorizojmë me një lloj prioriteti.
Ervin Demo: Dy-tre javët që kemi para do të jenë kritike për të konsoliduar pastaj një gjë që të jetë sa më funksionale.
"Prania Besnike" nisi me 4 shtator. Nisma është kërkuar nga kryeministri Edi Rama, me synim praninë e deputetëve pranë qytetarëve dhe evidentimin nga afër të problematikave në komunitet. "Prania Besnike" u njoftua nga vetë kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke deklaruar se kjo nismë do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës dhe do të bëhet gjithmonë për sa kohë ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste./ZËRI