Politikë

Rama e Kurti kritikojnë Hagën, BE: Gjykata është e pavarur dhe e paanshme

Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë mbi parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë, ndërsa të dënuarit kanë të drejtën të ankimojnë vendimin në shkallën e apelit.

M.K.
Rama e Kurti kritikojnë Hagën, BE: Gjykata është e pavarur
foto ilustrim: edi rama-albin kurti

BRUKSEL- Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë mbi parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë, ndërsa të dënuarit kanë të drejtën të ankimojnë vendimin në shkallën e apelit. Zëdhënësi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Christian Wigand tha se BE-ja e ka marrë në dijeni vendimin e dhënë më 16 shtator.

Ai theksoi se proceset gjyqësore zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë individuale penale dhe se vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi përmes procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, tha Wigand.

Sipas tij, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mund ta kundërshtojnë vendimin përpara një trupi tjetër gjykues në Apel. Në të njëjtën kohë BE-ja u ka bërë thirrje aktorëve politikë dhe shoqërorë në Kosovë e në rajon që të tregojnë përmbajtje pas vendimit.

Wigand nënvizoi gjithashtu nevojën për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe për krijimin e një klime larg frikës dhe hakmarrjes.

Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, përcolli të njëjtin qëndrim. Duke iu referuar qëndrimit të komisioneres Marta Kos ai tha se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen ndërsa të dënuarit duhet të përdorin të drejtën e tyre për apel.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Aktgjykimet e tyre duhen të respektohen dhe personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë”, tha Mercier.

Reagimi i Brukselit vjen pasi Albin Kurti e cilësoi vendimin e Hagës si një padrejtësi, ndërsa Edi Rama e përshkroi atë si 'marre'.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara shpallën vendimin e shkallës së parë, duke dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite.

Në deklaratën e tij Mercier bëri thirrje edhe për pajtim në rajon duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe se drejtësia duhet të shërbejë edhe për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë./ZËRI

Poll

MOS HUMB