TIRANË-Kryreministri Edi Rama së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministrin e Financave Petrit Malaj zhvilluan një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorët kryesorë në vend. Nga takimi Ramaka prezantuar platformën e re dixhitale “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve.
Rama theksoi se platforma “Pasqyrë e Çmimeve” duhet të pasqyrojë çmimin final për konsumatorin, përfshirë TVSH-në, si dhe të bëjë dallimin mes çmimit normal dhe atij promocional. Kreu i qeverisë kërkoi nga marketet dhe furnitorët të nisin transmetimin e të dhënave, ku qytetarët të kenë mundësinë të shikojnë, të krahasojnë dhe të zgjedhin.
Edi Rama: Të angazhohemi bashkarisht, jo në parim, por konkretisht! Ju të formoni rrjetin e pikave tuaja të shitjes, për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot dhe të niset transmetimi i të dhënave. Të dorëzohet lista e produkteve që përputhen me kategoritë e kësaj faze, me bar cod, me njësi matëse. Kështu, produket të jenë të krahasueshme. Të ekspozohet lista e plotë e të gjitha dyqaneve dhe adresave. Platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë qartë çmimin normal. Të përcaktohet një standard se sa shpejt ndryshojnë çmimet dhe të përcaktohet nëse platforma të tregojë edhe kur produkti nuk do të jetë në stok. Për qytetarin, ka ardhur koha të jetë shumë e thjeshtë, të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i nxjerr rruga dhe të mos ketë një pasqyrë konkurrence. Do ju lutesha të binim dakord për këto gjëra, askush nuk po thotë që do përcaktojmë çmimet apo se ju nuk do nxirrni fitime, por ka ardhur momenti ta shikojmë njëri-tjetrin në sy.