
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur moskompetencë për padinë ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e dorëzuar nga gazetari i emisionit investigativ “Piranjat”, Edon Kuqi, pas përplasjes që patën bashkë. GJKKO shprehet në vendim se padia ndaj Ristanit nuk përfshihet në fushën e kompetencave të saj, dhe prandaj rasti do t’i kalojë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Seanca u mbajt sot në orën 13:00.
Tashmë çështja do të kalojë në duart e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Ristani është paditur nga “Piranjat” për shpërdorim detyre dhe shpifje. Padia erdhi pas publikimit të emisionit ku u transmetua përplasja mes kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe gazetarit Edon Kuqi.
Gjithçka erdhi pasi “Piranjat” publikuan me video faktin që automjetet e Bashkisë Tiranë dhe shoferët ishin vënë në dispozicion të familjes së Ristanit. Në përballje, Ristani e quajti gazetarin Kuqi: “përndjekës”, “legen,” dhe “turpi i gazetarisë.”