
FIER- Gjykata e Fierit ka dënuar me 12 vite heqje lirie Florian Mukën, autorin e vrasjes së Grei Bihucit. 1 vit burg është caktuar edhe për kushëririn e autorit, pasi 16-vjeçari është shpallur fajtor për moskallëzim krimi. I mituri (emri i të cilit nuk publikohet për shkak të moshës) do të lirohet pasi e ka kryer dënimin. Në seancën e sotme, ku dy të akuzuarit kërkuan falje për krimin e kryer, por sërish Prokuroria për Mukën kërkoi 25 vite burg, ndërsa për të miturin tjetër, 12.
Pasi Prokuroria bëri parashtrimet e saj, avokati Ervis Goxhaj u shpreh se Florian Muka e ka pranuar vrasjen, por pretendon se e ka kryer në kushte vetëmbrojtjeje. Ndërsa i mituri, 16-vjeçari K.M., pohoi se ka qenë i pranishëm në vendngjarje gjatë sherrit, por nuk ka marrë asnjë veprim.
Akuza për Florian Mukën ishte “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, por duke marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe pendesën, ai u dënua me 12 vjet burg, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal.
Paraditen e 11 Marsit, sapo kishte mbaruar mësim, Grei Bihuci u thirr në telefon nga shoku i tij i mitur, i cili ishte ne telashe. 11 adoleshentë të moshës nga 15 deri në 19 vjeç u përfshin në një konflikt fizik para hotel “Fieri”, me zanafillë një thikë që autori Florian Muka ia kishte dhënë mikut të Greit për ta mbajtur, me të drejtë kthimi. Por ky i fundit nuk ia ktheu dhe këtu lind debati sa në rrjetet sociale aq dhe në lulishtet e qytetit. Muka goditi me thikë Grei Bihucin, me të cilin nuk kishte njohje./ZËRI