
TIRANË- Përjashtimi i deputetëve të opozitës është kthyer sot në "mollë sherri" në Kuvendin e Shqipërisë. Përgjigjen opozitës ia dha ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili u shpreh se maxhoranca nuk diskutonte vendimet e Gjykatave duke iu referuar vendimit të "Administratives".
Balla tha se Kuvendi duhet që të hyjë në një rrjedhë normale të punimeve. Përgjigjen për komentin e tij, e mori nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila i tha Ballës se del në mesazhet e "SkyECC". Pas saj, në Foltoren e Parlamentit foli edhe kreu i grupit të PS, Niko Peleshi, i cili nuk u shpreh dakord me vendimin e Administratives për rrëzimin e masave të Etikës së Kuvendit. Ai shpjegoi se vendimi i organeve të Parlamentit nuk është rrëzuar, por thjesht ka zhvendosur datën.
DEBATI NË SALLË:
Balla: Keni të drejtën tuaj që të vazhdoni dhe të ndiqni çështjen që keni ngritur. Tani do hyjmë në rrjedhën normale të punimeve të Kuvendit? Sa i përket vendimeve të Gjykatës e kemi thënë që nuk i komentojmë kurrë. Edhe pse për rastin në fjalë kam komentet e mia sepse ajo që thoni ju rrëzon këtë vendim Gjykate. Gjykata Kushtetuese thotë që vendimet e brendshme të Kuvendit nuk diskutohen në Gjykatë. Shkoni dhe diskutoni në mbledhjen e Legjislacionit. Miqësisht e them, një prej detyrave imediate të Kuvendit është transpozimi i vendimeve të gjykatës.
Dogjani: Vazhdoni dhe shkelni rregulloren se ministrit i mbaroi koha dhe nuk e ndërpretë. Përjashtimi i 24 deputetëve provoi atë që dyshuan se zonja Nikolla nuk ishte e sëmurë por Edi Rama donte një ushtare aty. Ju na përjashtuat sepse morët urdhër nga Edi Rama. Juve ju intereson që të ktheni në diktaturë. Zbatoni rregulloren! Kjo sallë duhet të kthehet në një sallë debati.
Zhupa: Nga sot nuk do t'ju drejtohemi më zonja kryetare por zonja Spiropali. Keni kërkuar që këtë parlament ta ktheni në një seksion të PS. Doni që të bëni teatër dhe të kaloni ligjet fap e fap. Këtu ju mbani fjalim duke thënë se duam të flasim me opozitën. Sa falso jeni?! Ndërsa zotëria atje i "SkyECC" thotë pse e çuat në Gjykatë ju se kështu po shkelni Kushtetutën. Po kush i thotë këto? Diktatura mund të jetë ëndrra juaj, por ne jemi këtu që ajo ëndërr mos të realizohet kurrë. Ju zonja Spiropali duhet të jepni dorëheqjen se përjashtuat 24 deputetë të opozitës se ju donte qejfi. Keni shkelur Kushtetutën.
Peleshi: E kuptojmë aksionin e opozitës dhe është në të drejtën e saj por e çmoj të nevojshme që të bëj 2-3 sqarime. Këtu po shohim dy standarte për vendimet e Gjykatave. E pranojmë apo jo? Për një vendim gjykate dogjët karriget e Kuvendit. Për një vendim gjykate jeni sot këtu. Ne duhet të vendosim një standard normaliteti. Të mos djegim karrigen, por të ndjekim procedurën. Ne nuk jemi dakord, por s’do të thotë të bllokojmë Foltoren. Nëse jeni për normalitet, të lëmë procedurën të rrjedhë. Kuvendi ka vendin e vetë të pa zëvendësueshëm. Jemi në sezonin më të rëndësishëm. Nuk ka një fushëbetejë për opozitën për të bërë opozitë. Kështu që ju bëj një kërkesë qytetare. Të lëmë diskutimin e masave disiplinore. Ju sot shkundi një vendim gjykatë. Pra ka bërë një gjykim në vlerësimin tim të gabuar pasi ka hyrë në nën territor që s’i takon.
Noka: Nuk pranoj asnjë këshillë nga hajdutët. Teksa dëgjojmë çfarë flasin rilindësit këtu, bindesh që ka vetëm një rrugë për t’u marrë vesh me ju, vetëm mosbindja civile për t’u kërryer si sekti më i ndyrë i njerëzimit që ka shkelur në trojet shqiptare, sekti i rilibdjes. Dëgjojmë se flasin me gjuhë bolshevike dhe shfryjnë mllef kundër opozitës edhe sot këtu. Nuk po flas për atë zonjën atje, që ka marrë rolin e Nafijes te filmi ‘Gjuetia e fundit’. Silloja përcaktonte politikat, kurse Nafija zbatonte urdhrat, nuk kishte as të drejtë të mendonte. Kjo është katandisja ku e keni çuar Kuvendin. Sot nuk kemi ardhur për ju, se nuk mund të ndodhë ne të ulemi me hajdutët, me përfaqësuesit e krimit të organizuar, me ata që kanë shpopulluar Shqipërinë. Jo, ne sot kemi ardhur të përfaqësojmë vullnetin e popullit opozitar për t’u shprehur për atë buxhet që e keni vjedhur. Ne kemi ardhur sot t’u çjerrim maskën, t’u themi se herë pas here kujtoheni se opozita duhet parë, por e keni trajtuar opozitën si armike. Çfarë po bën kjo Nafija këtu? Sa u ul në atë karrige, akti i parë që bëri është shpallja e luftës ndaj opozitës. Se ju ëndërroni të keni një parlament monist dhe po bëni gjithçka për këtë. Ju ëndërroni të keni një vend që të jetë monizëm i plotë se sulltani juaj nuk duron dot të ketë kundërshtarë. Sulltani do skllevër, do raja, ja kështu i do, do një tufë me pengje këtu me të cilët ndan pasuritë e Shqipërisë dhe i vjedh. A mund ta pranojmë këtë ne? Jo, jo. Ne jemi këtu për betejë, për këtë të jeni të sigurt. Mosbindja civile do të vazhdojë gjersa t’ju kërrejë. Buxheti nuk është i juaji, sepse buxhetin e keni trajtuar si plaçkë tregu, tufë hajdutësh që jeni vërsulur mbi të. Ne do u themi shqiptarëve se çfarë ishte buxheti i vitit 2023, ku shkuan taksat e tyre, kush i vodhi dhe çfarë duhet të bëjmë. Sot mllefin që keni treguar ndaj opozitës, e rrëzoi edhe ai Skapi i partisë. Sapo ka rrëzuar padinë edhe ndaj zonjës Hotit, edhe për karriget e famshme tuajat. Sepse zotëria aty është ministri i Brendshëm, duhet të japë përgjigje para ligjit pse ka futur policinë këtu. Ti zonja Nafije duhet të japësh përgjigje pse ke futur këtu policinë në kundërshtim me ligjin. Kjo tregon mllef ndaj opozitës. Harrojeni, ju na dukeni si miza, prandaj do ju kërrejmë./ZËRI