
TIRANË- Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike nga Kuvendi, ka lajmëruar PD. Sipas opozitës, pas vendimit të Gjykatës Administrative ata duhet të kthehen sërish në punë pa hasur pengesa nga garda. Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi njoftoi se ata do t’i rikthehen sërish punës në Kuvend dhe do të diskutojnë për projek buxhetin e vitit 2025.
Gjithashtu, Bardhi reagoi pas vendimit të gjyaktës duke e quajtur atë një dënim të paligjshëm. Ai shtoi se rrethimi i Kuvendit me tela, është i denjë vetëm për vendet autoritare dhe jo për një shtet anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.
“Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës. Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian. Ne presim me padurim që ti vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend. Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale. Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës!”, tha Bardhi.
Ndërsa në komisionate parlamentare u paraqitën vetëm deputetët e papërjashtuar, pavarësisht se Bardhi parlamentoi se të gjithë do të jenë në sallë.
Sekretariati i Etikës më 2 tetor vendosi të përjashtojë deputetët e Partisë Demokratike: Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati për 2 muaj (60 ditë). Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho u përjashtuan për 40 ditë nga punimet e Kuvendit./ZËRI