Politikë

Fitorja e Trump 'frymëzon' opozitën...Metën nga burgu e bën nostalgjik!

Ilir Meta është bërë "nostalgjik" dhe ka postuar një foto nga koha kur takonte asokohe presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

k.m.
Fitorja e Trump 'frymëzon' opozitën...Metën nga burgu e
Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË- Njëri në "arrest me burg", e tjetri në "arrest shtëpie", por të dy i kanë ndjekur zhvillimet me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është bërë "nostalgjik" dhe ka postuar një foto nga koha kur takonte asokohe presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Në reagimin e tij, edhe pse nga burgu, Meta shkruan se Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

"Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe dhe rikthim të merituar dhe me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan. Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë. Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar. Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq,"-shkruan Meta.

Ndërkohë Berisha, i cili gjithashtu kërkon një "rikthim" është fokusuar tek fitorja e thellë e zgjedhjeve nga republikani Donald Trump. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Berisha përmendi edhe George Soros, duke shkruar se qytetarët amerikanë votuan për shpëtimin e vendit të tyre. Me rastin e fitores, urimin e bëri në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane.

"Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë, President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros. Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera. Zoti i bekoftë SHBA, kombin dhe Presidentin e tyre!,"-shkruan kryedemokrati. 

Sot, Amerika votoi! Tek Republikanët ka nisur festa. Deri tani Trump ka siguruar 266 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president. Kamala Harris ka marrë 219 vota elektorale. Pavarësisht se numërimi nuk ka përfunduar, Fox News ka projektuar se Trump fiton me 277 vota elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB