BRUKSEL- Debati për projektin e Zvërnecit dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë është zhvendosur edhe në Parlamentin Europian, gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian.
Në takim, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përplasën qëndrimet e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se institucionet shqiptare respektojnë standardet europiane, ndërsa theksoi se qëllimi kryesor i Ekzekutivit mbetet përmirësimi i jetesës së qytetarëve. Ai theksoi rëndësinë e luftës kundër dezinformimit, duke kërkuar që debatet të bazohen në fakte dhe informacion të verifikuar.
"Respektojmë detyrimet tona ndaj BE-së. Evropa është standardi me të cilin masim transformimin dhe zhvillimin, çdo ditë, me çdo reformë. Respektojmë standardet në çdo fushë, përfshirë edhe mjedisin, por duam të jetë e qartë se qëllimi kryesor është përmirësimi i jetës së çdo qytetari shqiptar. Ata na zgjedhin dhe atyre u shërbejmë...Dezinformimi e zëvendëson debatin me manipulimin, faktet me gënjeshtrat dhe besimin me dyshimin. Lufta kundër dezinformimit është mbrojtje e së vërtetës, e lirisë dhe e vetë demokracisë", u shpreh Balla.
Më tej, Balla falënderoi institucionet e Bashkimit Europian, shtetet anëtare dhe partnerët europianë për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke vlerësuar edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për vendin.
"Ky ishte një mesazh i qartë politik se progresi i Shqipërisë njihet, se rruga jonë e reformave është e besueshme dhe se perspektiva jonë europiane është reale", deklaroi Balla.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi replikoi lidhur me rezolutën, duke akuzuar mazhorancën se ka refuzuar kërkesën e opozitës për debat mbi dokumentin. Sipas tij, rezoluta ngre shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
"Me forcën e kartonit, shumica parlamentare refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, që ngre edhe shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike", ka theksuar Bardhi.
Në vijim, Bardhi u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë po largohet nga funksioni i tij kushtetues.
"Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t'u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë", deklaroi Bardhi.
Ndërkohë, socialisti Balla është shprehur se rezoluta e fundit për procesin e integrimit europian është miratuar nga të gjitha forcat kryesore politike, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit institucional të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian./ZËRI