Politikë

PD kërkoi të hiqet nga rendi paga e magjistratëve, Balla: Do të votohet. Bardhi: Vendimet e Kushtetueses letër higjienike për ju...

Kreui i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ligji do të votohet, do të miratohet nga Presidenti i Republikës dhe pagat do të zhbllokohen.

F.I
PD kërkoi të hiqet nga rendi paga e magjistratëve, Balla: Do
Taulant Balla dhe Gazment Bardhi

TIRANË-Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike të cilët kërkuan të hiqet nga rendi i ditës propozimi i Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Kreui i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ligji do të votohet, do të miratohet nga Presidenti i Republikës dhe pagat do të zhbllokohen. 

Taulant Balla: Proceduralisht kërkesa juaj nuk miratohet, sepse Këshilli është shprehur. Tani duhet të shprehet seanca. Më vjen mirë të dëgjoj që PD del në mbrojtje të gjyqtarëve, sepse del si reflektim pas sharjeve e fyerjeve që i dëgjojmë shpesh. E bëni shpesh në dyert e SPAK-ut, u kujtoni familjarët. Vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të PD është kundër, sepse kërkesa është hipokrite. E votojmë sot dhe i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, që të hyjë në fuqi menjëherë dhe të zhbllokohen pagat, meqë është problem.

Në replikë kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet që të zbatohen pa asnjë diskutim. Sipas tij, mazhoranca nuk po ushtron përgjegjësinë që ka.

Gazment Bardhi: Kuvendi të zbatojë vendimin e Kushtetueses. Kuvendi është duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të GJK-së. Qeveria ka refuzuar të përmbushë detyrimin që i ka caktuar Këshilli i Legjislacionit. Ke refuzuar ti, të ushtrosh përgjegjësinë, siç është caktuar. Ka pasur heshtje nga qeveria, sepse për ju vendimet e GJK-së janë letër higjienike kur nuk ju intereson dhe janë letra me shumë vlerë, kur iu intereson. Po cenoni pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Drafti parashikon rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas draftit, rritja përkthehet në rreth 8,500 lekë më shumë në pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.

Poll

MOS HUMB