TIRANË- Para nisjes së seancës plenare në Parlament, Partia Demokratike në Konferencë e Kryetarëve ka paraqitur dy kërkesa: ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO-s dhe të hiqet nga rendi i ditës propozimi i Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë “KAYO”, ku kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se kërkesa e tyre nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi: Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?! Janë shpenzuar 34 milionë euro.
Pas Bradhit, kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se në kërkesën e opozitës nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.