TIRANË-Partia Demokratike depozitoi sot zyrtarisht kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, por kërkesa është kundërshtuar nga mazhoranca në Kuvend.
Kërkesa e firmosur nga bashkëkryetari i këtij komisioni, Luçiano Boçi, bazohet në argumentin se objektivat kryesore të projektkalendarit nuk janë realizuar ende dhe se vendimmarrja nuk mund të përmbyllet pa garantuar, sipas tij, një proces të plotë konsultativ dhe pa marrë një opinion zyrtar nga Këshilli i Evropës.
“Në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, bazuar në Vendimin nr. 75/2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kërkoj zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, si dhe të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të mandatit të tij. Gjithashtu, vlerësoj se Komisioni nuk duhet të konsiderojë të përfunduar veprimtarinë e tij dhe nuk duhet të depozitojë produktin përfundimtar në Kuvend të pakaluar në Komision e të pavotuar në Komision, sikurse pa u konsultuar paraprakisht dhe pa marrë opinionin institucional të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si institucioni më i specializuar evropian në fushën e demokracisë vendore, decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor. Kjo kërkesë mbështetet në faktin se deri më sot nuk janë përmbushur një pjesë e konsiderueshme e objektivave dhe aktiviteteve të miratuara nga vetë Komisioni në Projektkalendarin e Punës”, thuhet në kërkesë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se Kuvendi do të vijojë me procesin e reformës, duke theksuar se afati i komisionit ka përfunduar. Balla theksoi se vota e Partisë Socialiste do të jetë kundër kërkesës së opozitës për zgjatjen e afatit të komisionit.
Taulant Balla: Sot Kuvendi do të dëgjojë nga dy grupimet, nga mazhoranca dhe opozita, gjetjet për reformën territoriale. Sot nuk do të miratohet reforma, por do të dëgjohen gjetjet. Nuk duhet të kishit munguar në datën 16. Treni i orës 7 pa 5 ka ikur. Ndaj nuk keni mundësi tjetër. Duhet të shkojmë përpara.



Partia Socialiste ka deklaruar se në raportin e saj, përveç analizës së reformës territoriale të vitit 2014, do të paraqesë edhe propozimin për një ndarje të re të territorit në bashki. Nga ana tjetër, Partia Demokratike pritet të dorëzojë në Kuvend vetëm një analizë të reformës territoriale të vitit 2014, pa paraqitur një propozim për hartën e re administrative.