TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re masash sociale që synon të rrisë mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë. Paketa përfshin katër vendime, ndërsa dy prej tyre konsiderohen ndër më të rëndësishmet. Dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohja e viteve të shërbimit të ndihmësve personalë si periudha kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas vendimit, mbi 10 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara do të përfitojnë pagesë të dyfishuar, me efekt financiar që nis nga 1 korriku 2026. Masa synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin dhe përfshirjen sociale të fëmijëve. Për zbatimin e saj, buxheti i shtetit do të akordojë rreth 750 milionë lekë shtesë gjatë këtij viti.
Një tjetër vendim i rëndësishëm parashikon që, duke filluar nga 1 shtatori 2026, periudha e shërbimit për rreth 14 mijë e 600 ndihmës personalë të njihet si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo masë do t'i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 674 milionë lekë, duke e çuar koston totale të paketës në mbi 15 milionë euro.
Paketa sjell edhe lehtësime në procedurat administrative. Në rastet kur përfitimi është i vlefshëm për disa vite, qytetarët nuk do të kenë më detyrimin të paraqesin çdo vit dokumentacion mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, duke reduktuar burokracitë dhe kostot për familjet.
Sipas qeverisë, këto masa synojnë të forcojnë politikat sociale, të garantojnë trajtim më të barabartë për ndihmësit personalë dhe të rrisin mbështetjen, dinjitetin dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri./ZËRI